Gurët kilometrikë për Bojaxhiun
Gjergj Bojaxhiu u regjistrua dje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve si kandidat për kryebashkiak i Tiranës. Ai depozitoi mbi dyfishin e firmave qe i duheshin – rreth 13 800 firma të qytetarëve mbështetës. Ky numër përbën edhe gurin e parë kilometrik që Bojaxhiu duhet të kalojë në garën e tij për Tiranën. Në qoftë se ai nuk arrin të marrë 13 800 vota, gjithkush do ta stigmatizonte si kandidatin që nuk mori dot as votat e atyre që u deklaruan hapur për të (me emër, mbiemër, kartë identiteti, numër telefoni).
Në qoftë se e kalon gurin e parë kilometrik, guri tjetër është tek shifra 32 mijë vota (10%). Në qoftë se arrin shifrën 10%, Bojaxhiu mund te thuhet se e ka kaluar pragun psikologjik për ta shndërruar lëvizjen e tij nga “Ne Tirana”, në “Ne Shqipëria”, duke krijuar keshtu kushtet për t’u futur në garën parlamentare të 2017-ës si një lëvizje politike.
Guri i tretë kilometrik për Bojaxhiun do të ishte shifra 107 mijë vota (33%), e cila do ta regjistronte atë në memorien kolektive si të barabartë me kandidatët e dy partive të mëdha dhe me siguri do t’i jepte atij të paktën vendin e dytë në garë.
Kuptohet që guri i fundit kilometrik për Bojaxhiun do të ishte fitorja, por në këtë rast ai do të arrinte diçka që vetëm një shqiptar e ka realizuar më parë në një bashki të madhe – Bahri Boriçi. Përtej çdo parashikimi, ai u zgjodh kryebashkiak i Shkodrës në vitin 1996, duke lënë pas kandidatët e përkrahur nga PD-ja apo PS-ja.