Humb-humb, simbol i “kretinizmit” politik!

Nga: Edmond Panariti

Shqipëria lëshoi shumë, në cënim të sovranitetit dhe interesave të saj, ndaj vendeve të veçanta për hapjen e bisedimeve me Bashkimin Europian këtë vit! Por çfarë mori pas? Asgjë!! Përkundrazi procesi u bë më kompleks dhe më i paparashikueshëm se më parë. U kalua me një nxitim të papërgjegjshëm ligji i pakicave, i cili rriti artificialisht shkallën e heterogjenitetit të popullit shqiptar, pa pyetur historianë, etnologë, gjuhëtarë dhe pa një qëndrim institucional të Akademisë së Shkencave.

U imponua si ligj, thjesht ngaqë një vend i BE-së ishte i interesuar për këtë veprim dhe kishte kryesinë e radhës, dhe prandaj duhej kënaqur! Të mos harrojmë që fqinji ynë Greqia, i cili është vend i BE-së dhe subjekt i detyrimeve nga konventat përkatëse, as nuk ka ndërmend ta bëjë një gjë të tillë.

Sepse ky vend është shumë i përgjegjshëm dhe i ndërgjegjshëm për implikimet afatgjata të akteve të tilla. Asnjë hollësi dhe transparencë për marrëveshjen mbi ujërat detarë, të cilat nuk janë vetëm punë miljesh e vijash, por mbi të gjitha të kompromiseve për zona gaz dhe naftë mbajtëse!

Tashmë kemi të paralizuar edhe Gjykatën Kushtetuese, barrierën e fundit ligjore të këtij akti. Sa per çështjen Çame, të shndërruar në kalë beteje në mandatin e parë qeverisës, ajo tashmë është fshirë edhe si terminologji e jo me si një çështje për diskutim mes palësh.

Nuk po përmend këtu vetëofrime okulte për strehim refugjatësh, nisur nga deklarata të personaliteteve Europiane! Por ama të lëshosh, japësh dhe të mos marrësh asgjë, është emblema e një kretinizmi politik.

*Deputet i LSI-së, shkrimi është postuar në facebook

SHKARKO APP