Ilva Tare: Vështirësia për të ndjekur të vërtetën me çdo kusht!

Sipas të dhënave nga Unioni i Gazetarëve, aktualisht në Shqipëri ka 56 kanale televizive të liçencuara, 200 platforma kabllore dhe 750 portale të regjistruara, pa llogaritur këtu një media të re që mund të hapet në ditët në vijim. Ka 1.5 milionë llogari në Facebook, duke përfshirë edhe televizionin online të Kryeministrit, që quhet ERTV….

Nga Ilva Tare*

Kur nisa të punoj si gazetare, më shumë se 20 vite më parë, i shkruaja me dorë shënimet e mia, dhe përdorja një makinë shkrimi të vjetër e të zhurmshme, për të përgatitur lajmet. Nuk kisha qasje në kompjuter, apo internet. 20 vjet më vonë, jetojmë në një botë, ku smartphone-t e udhëheqin jetën tonë, duke pushtuar sferën digjitale me burime të pafundme lajmesh, nga fusha e politikës, tek ajo e ekonomisë, sociales dhe argëtimit.

Në vitet ’90 kisha përballë tryezës së punës vetëm një ekran, atë të Televizionit Shtetëror, që ishte i vetmi në vend. Punoja në redaksi, dhe mbuloja fushatën elektorale të Presidentit të Republikës së asaj kohe, kur isha vetëm 20 vjeç. Më kujtohet se dita niste në 4 të mëngjesit, udhëtonim nëpër Shqipëri për të ndjekur mitingje të ndryshme, dhe riktheheshim në sallën e montazhit në mbrëmje, ku gjenim një përfaqësues politik, roli i të cilit ishte të më sugjeronte pamjet e duhura që duheshin shfaqur, dhe si rrjedhojë, të këqiat që duheshin zhdukur. 

Censura në atë kohë, nuk ishte aq e keqe, sa autocensura, që gazetarëve iu desh të vënë në zbatim në dekadën që pasoi – domethënë, nëse donin të mbeteshin në industrinë e medias.

Autocensura është rreziku numër 1, në listën time.

Sot, zyra ime ngjan më shumë me një kullë kontrolli aroporti me 6 ekrane, ku transmetohen lajme 24 orë, si dhe një kompjuter me disa dritare të hapura, ku shfaqen faqe të ndryshme lajmesh në internet. Zyrtarët e partisë nuk vijnë më në televizione. Ata kanë modernizuar kontrollin mbi median, duke dërguar udhëzime përmes Whatsapp-it, apo përmes frekuencave satelitore, ku shfaqen aktivitete që janë të raportuara prej vetë politikanëve, dhe që nuk kanë fare të bëjnë me gazetarinë.

Më kujtohet një prej eseve brilante të George Orwellit, ku argumentonte se “kur atmosfera e përgjithshme është e keqe, gjuha vuan”, sepse ata që janë në pushtet, “hezitojnë që të pranojnë të vërtetat e sikletshme, të mëdha a të vogla qofshin”. Orwelli e fajësonte gjerësisht korrupsionin politik. Në një farë mënyre më duhet të mos bie dakord – përderisa ne nuk jetojmë në vitin 1984 – sepse të gjithë ne duhemi fajësuar sot, nëse nuk arrijmë të marrim mbi vete përgjegjësinë për të rezistuar përmes të menduarit, të shkruarit, të analizuarit dhe të transmetuarit më qartë.

Përgjegjësia personale është rreziku numër 2. Përgjegjësia personale për mua do të thotë të respektosh dhe përdorësh mendjen dhe instiktet e tua: domethënë, të luftosh duke punuar fort.

Mund të tingëlloj si e shkollës së vjetër, por kjo vlerë themelore e të qënit gazetar, ka mbetur e pandryshuar – një luftë për të kërkuar të vërtetën, pavarësisht sa e vështirë që është ta përcaktosh atë, apo sa edhe më e vështirë që është, për ta gjetur atë. Në fillimet e karrierës sime, lundroja në ujëra të cekëta, dija shumë më pak se sa di sot, përdoresha më kollaj si instrument nga një transmetues televiziv, që ishte në pronësi të shtetit. Sot, ndjekja e të vërtetës është shumë më e ndërlikuar, lundrojmë në një cunam burimesh në mediat sociale, të cilat besohej gjerësisht, se do të kishin kontribuar drejt një informacioni, që supozohej të ishte më i arritshëm, më i saktë dhe më pak i lodhshëm. Duket se është shndërruar në një zhgënjim prej disinformimit të paguar, dhe fushatave të përllogaritura, të cilat kanë përdorur zakonet e njerëzve, si algoritme, për të përcaktuar stereotipet e shpërndarjes së lajmeve.

Kështu, ndjekja e të vërtetës shtohet si rreziku numër 3.

Sipas të dhënave nga Unioni i Gazetarëve, aktualisht në Shqipëri ka 56 kanale televizive të liçencuara, 200 platforma kabllore dhe 750 portale të regjistruara, pa llogaritur këtu një media të re që mund të hapet në ditët në vijim. Ka 1.5 milionë llogari në Facebook, duke përfshirë edhe televizionin online të Kryeministrit, që quhet ERTV.

Siç mund ta shihni, ndryshimet dramatike të teknologjisë kanë mbërritur në Shqipëri dhe profesioni i gazetarisë është sfiduar prej gazetarisë qytetare, revolucionit digjital, fakteve alternative, lajmeve të rreme, dhe botës së post-të-vërtetës dhe post-vlerave. Gjithësecili që ka një llogari online, mendon se kjo e bën gazetar. Lajmet rrëfehen dhe dëshmohen prej burimeve të shumta, të cilëve nuk u kërkohet të kenë një diplomë gazetarie, madje as edhe të kenë përvojë në këtë industri.

Dhe rreziku numër 4 është: ka shumë informacion të brendshëm, por panorama e gjerë dhe e vërteta mund të humbasin.

Sfidat teknologjike dhe vlera e gazetarisë

Të jesh gazetar në një vend ku liria e shprehjes dhe media e pavarur janë kufizuar për gjysmë shekulli, dhe ku sjellja konsumatore ka kaluar, nga përmbajtja e kontrolluar rreptësisht, tek një mungesë pothuaj totale e regjimit rregullator, ka qenë një luftë që shpesh herë ka rezultuar në vënien në dyshim të vlerës së vetë gazetarisë.

Si po kontribuoj unë, për të tashmen dhe të ardhmen e fëmijëve tanë, me punën time të përditshme?

Pikësëpari, ne duhet të besojmë në një media që përbën shtyllën kurrizore të demokracisë. Duhet të reflektojmë për rolin e medias, si një pasqyrë, që na nxjerr zbuluar të vërtetën, e cila shpesh herë është pasojë e të vërtetave të shëmtuara të realitetit tonë. 

Kërkimi i një reflektimi të thellë dhe i përgjigjeve për atë që shkoi keq – dhe shumica besojnë që kështu ka ndodhur – ka nisur të mundojë shumë gazetarë, si në Shqipëri, ashtu edhe në vende të tjera të Ballkanit Perëndimor. Lidhjet e errëta mes medias, politikës dhe biznesit janë më të theksuara në shoqëritë joliberale, dhe Ballkani Perëndimor zë vend në këtë kategori. Megjithatë, ka gjithashtu një shqetësim të përhapur mes profesionistëve, në vende kandidate apo anëtare të BE-së – si për shembull në Maltë, për jetën e gazetares investiguese Daphne Caruana Galizia – ose në Turqi, Hungari e kështu me radhë.

Liria për të vërtetën bëhet kështu, rreziku numër 5. Unë besoj fort se liria për të vërtetën ka më shumë gjasë të lulëzojë në një arenë konkurruese, dhe nuk ka gjasë që të shfaqet prej titujve-karrem për klikime.

Roli i medias për anëtarësimin në BE? Këtu i vjen radha rrezikut numër 6.

Lajmet e lidhura me BE janë të ftohta, të arsyeshme, shumë të ndërlikuara dhe atyre u mungojnë lajmet nga jeta e përditshme. Dhe të qënit i arsyeshëm nuk të sjell pikë. Nuk shet.

Kjo tingëllon e zymtë. Është e zymtë. Shtypi dhe media po ndryshojnë, BE ka ndryshuar në mënyrë dramatike, ndërkohë që procesi i integrimit europian nuk ka ndryshuar. Të paktën jo për mirë, sipas mendimit tim.

Njohuritë e kufizuara për BE-në, mosbesimi tek politikanët, një gjuhë në formë matrice nga ana e Brukselit, nuk e joshin publikun. Kështu që, raportimi mediatik për anëtarësimin në BE nuk është kurrë thelbësor, për atë që duhet vërtetë të ketë rëndësi për ne, por është kryesisht një prezantim pamjesh filmike, të mbledhjeve BE-Shqipëri.

Dhe meqë ra fjala, miqve tanë me qëndrim në Bruksel u them: ju lutem, mos e mbani shënim këtë, si sugjerim për një tjetër prioritet, në listën e detyrimeve që Shqipëria duhet të përmbushë. Shpjegimi i BE-së ka qenë dështim edhe gjetkë – dhe këtu më vijnë në mendje britanikët, që votuan pro Brexit-it. Thënë kjo, po sikur të na ndihmoni të ndërtojmë një platformë, për ta komunikuar si duhet Anëtarësimin në BE, dhe jo nga këndvështrimi i politikanëve?

Dhe këtu rendis rrezikun numër 7. Lidhja e politikës me median.

Sa më e fortë dhe e dukshme miqësia mes politikanëve dhe pronarëve të mediave, aq më i madh mëkati i gazetarëve. Ka një nevojë urgjente për t’u rikthyer tek bazat. Për t’u rikthyer tek vlerat tradicionale, ku kërkimi i të vërtetës ishte i ngadaltë por serioz, jo i shpejtë dhe i rremë, siç ka prirjen të jetë sot.

Një gazetar i mirë, siç përpiqen të jenë shumica e kolegëve të mi në Shqipëri, duhet të jetë i përgatitur të luftojë fort për të vërtetën, e cila instrumentalizohet prej arrogancës së institucioneve, për të cilët transparenca është koncept i huaj. Politikanët në këtë vend duhet të pushojnë së përdoruri marrëdhënie kompromentuese me pronarët e mediave, dhe të fillojnë të kenë një marrëdhënie të kthjellët me gazetarët.

Për ta bërë këtë, gazetarët duhet të riskojnë më shumë dhe të punojnë më fort, për të marrë faktet e duhura dhe për të ndihmuar shoqërinë, që të bëjë dallimin mes të mirës dhe të keqes, të pastrës dhe të pistës. Ata gjithashtu duhet të jenë të mbrojtur prej kontratave të punësimit që zbatohen plotësisht, për të luftuar informalitetin mes tyre dhe marrëdhënieve të tyre me punëdhënësit.

Këtë, unë e llogaris si rrezikun numër 8.

Qëndresë për vlerat dhe cilësinë e gazetarisë 

Rreziqet ndaj gazetarisë në vendin tim janë komplekse, dhe vijnë prej burimeve të shumta. Pyes veten: Përse duhet të kërkoj cilësi, kur është kaq e vështirë të ruash ritmin e trysnisë së kohës? Përse duhet të përpiqem të jem objektive, kur të qënit e anshme shpërblen, kur kolegë të tjerë paguhen nga palë të treta, për t’u shërbyer interesave të tyre? Përse të marr mundimin për të investiguar, kur publiku është i mpirë prej propagandës dhe i lodhur, deri në pikën ku ndihet i paralizuar? Përse të bëj pyetje, kur udhëheqësit politikë do të vënë në dyshim cilësinë e tyre gjithë kohës, apo siç ka ndodhur, do vendosin të ta bojkotojnë fare emisionin?

Unë nuk i kam të gjitha përgjigjet. Unë e di se sot, më shumë se kurrë, ne, gazetarët, duhet të ngrihemi dhe të qëndrojmë për atë që besojmë se është e drejtë.

Gazetarët duhet të rikthehen tek burimet, pa lejuar që të përdoren si “armë” në duart e institucioneve apo individëve. Duhet të fillojmë të bëjmë kërkime tërësore, dhe t’u përmbahemi standarteve themelore të gazetarisë, ndërkohë që përmirësojmë besueshmërinë dhe investigojmë shkeljet, duke vënë pushtetin para përgjegjësisë.

Winston Churchill: E vërteta është e padiskutueshme. E keqja mund ta sulmojë, injoranca mund ta përqeshë, por në fund, ajo është aty, e palëvizshme

Kur Churchilli besonte në vlerën e shenjtë të të vërtetës, një prej kënaqësive të tij ishte të tymoste puro. Sot, udhëheqësi i të ashtuquajturës botë e lirë, Presidenti i SHBA, Donald Trump, dëfrehet duke shfryrë zemërimin e tij kundër gazetarëve, në postime në Twitter. Kryeministri aktual dhe Ish-Kryeministri i Shqipërisë, përdorin “rëndshëm” mediat sociale.

Media ka rënë në kurthin e transmetimit të gjithçkaje që publikohet prej politikanëve, pa ngritur pikëpyetje mbi, apo kontrolluar besueshmërinë e përmbajtjes digjitale, duke u shndërruar në armë propagande, në vend se të jetë një institucion roje, i pushtetit të katërt të demokracisë.

Dhe këtu qëndron rreziku numër 9: besimi në media sot është vënë në dyshim. Për shkak të të gjithë elementëve të sipërpërmendur. 

Unë besoj se duhet të ngrihemi dhe të punojmë së bashku, për ta sjellë gazetarinë në misionin e saj qendror, si një kolonë e katërt e demokracisë, edhe në një vend si Shqipëria, ku demokracia ende nuk ka gjetur rrugën për t’u ngulur fort, edhe dobësia e medias është pjesë e këtij dështimi. Eshtë koha që gazetarët të respektojnë paktin me publikun. 

Bojkotoni lajmet e rreme

Më lejoni të përfundoj duke shpresuar se gazetarët, duke filluar nga unë vetë, do të kërkojnë të vërtetën, e cila po bëhet një mall gjithnjë e më i rrallë, duke luftuar për vlerat tradicionale, integritetin dhe ekuilibrin, si dhe ruajtjen e një distance të shëndetshme nga aktorët apo faktorët helmues, digjitalë apo fizikë, si dhe nga e gënjeshtërta.

Dhe lista nuk mund të ishte e plotë pa rrezikun numër 10: media jonë është në telashe, por e vërteta duhet që të mbizotërojë.

* Fjala e mbajtur në aktivitetin “EU Western Balkan Media Days”

SHKARKO APP