Investitorët e huaj, Fadi Mitri dhe këshillat e kryeministrit

Nga Dritan Kaba

Dritan Kaba

Rama sot: Mos takoni gazetarë e mos lexoni gazeta se ju pengojnë në sistemin tretës Shumë reale! Biznesmenët duhet të takojnë e të gjejnë gjuhën me shefat e Ramës nëpër Shqipëri, se ndryshe e pësojnë si Fadi Mitri, biznesmeni amerikano-libanez, që u gjymtua nga bandat për ta detyruar të largohej nga investimi i tij. Kështu që dëgjojeni kryeministrin, nuk flet kot ai. Ndryshe … shikoni foton dhe do e kuptoni si do e pësoni. Ortakët e Kryeministrit ju japin mundësinë të fitoni më shumë ose të bëheni si Fadi Mitri.

Pyesni Ramën kë të takoni para se të investoni dhe do jeni të sigurtë. Aparati tretës duhet të funksionojë me ushqimin që ju hedh Kryeministri. Përtypni atë kafshatë, që ai ju jep, ndryshe do ngeleni pa ngrënë. Me kujdes zgjedhjen e mbrojtësve tuaj në Shqipëri. Pyesni drejtoret e policive, që t’ju japin emrat e atyre që do bëhen garant të investimeve tuaja. Mos pyesni shërbimet e inteligjencës në vendet tuaja, as ato policore, se ata janë pjesë e një kazani të madh, që komplotojnë së bashku ndaj Liderit Global. Nëse në krah do keni dikë që merret me trafikun e drogës ose ka pasur elementë të tillë në biografinë e tij, jeni shumë të sigurtë. Askush nuk do guxojë të prekë investimin tuaj, kundrejt një pagese, e cila diskutohet në një drekë më pak verë buzë detit.

Kini kujdes, se rastësisht përmendni korrupsionin ose presionet e të fortëve, atëherë realisht jeni të humbur. Këto biseda nuk mund t’i bëni as me ambasadorët tuaj, se kush e di i shkojnë në vesh të Kryeministrit rastësisht. Para se të zgjidhni “mbrojtësin” tuaj hyjnor, takoni qytetarë të zakonshëm dhe pyetini, kush është ai që ka mik Kryeministrin dhe i ka bërë presion ose ju ka dhënë para për votën, ai është njeriu i duhur. Shqipëria është vendi i mundësive të mëdha. Këtu mund të gjeni para të shumta për t’i pastruar në investimet tuaja. Por pa këto nuk mund të hidhni as një hap, nuk mund të thithni as ajrin, jo më të investoni. Mendojeni mirë këtë. Eshtë ofertë që ju vjen vetëm një herë. Ndryshe, përfundoni si Mitri. Kjo është Shqipëria e rilindur, ju lutem respektoni rregullat e saj.

SHKARKO APP