Jankulloska fyen Adem Jasharin

 

Nga Ruben Avxhiu

Ka dy mënyra për të kundërshtuar një propozim për një monument publik kushtuar një heroi kombëtar të popullit me të cilin ndan atdheun.

Një, ai profesional dhe civil është të paraqesësh argument si për shembull, Jashari i përket vendit fqinj dhe do të ishte mirë të nderohej në Kosovë dhe jo në Maqedoni me një monument.

Privatisht mund t’u ishte thënë miqve të koalicionit, në BDI, se nuk është momenti ta vëmë monumentin e Adem Jasharit që udhëhoqi luftën në Kosovë, se ne jemi vetë një vend që doli nga lufta dhe do të kishte reagime të panevojshme nacionaliste nga maqedonasit. Le ta shtyjmë për një kohë tjetër.

Mirëpo kjo do të ishte mënyra europiane dhe e kulturuar e një kundërshtimi edhe ashtu të padrejtë. Po Gordona Jankullovska, ministrja e Rendit në Maqedoni, ka treguar se nuk shquhet as për asnjë nga virtytet e lartpërmendura.

Në bisedën e fundit të zbuluar nga udhëheqësi i opozitës në vend, ajo dëgjohet duke e ofenduar Adem Jasharin si njeri me “gjashtë gishta” (një shenjë e djallit në traditën e disa vendeve), “mutant” dhe “pjellë e incestit”.

Biseda e saj me kolegun e Financave, Zoran Stavrevski është reagim i propozimit të deputetit të BDI-së, Artan Grubi për një shtatore në Radushë të Adem Jasharit komandantit të UÇK-së në Kosovë, por një hero për shqiptarët kudo që ndodhen.

Sa më shumë kalon koha aq më shumë bëhet e qartë se sa të rëndësishme janë këto zbulime bisedash për të njohur fytyrën e vërtetë të disa politikanëve në Maqedoni. Elita maqedonase është përpjekur në vite të imitojë fqinjët e saj edhe në përbuzjen ndaj shqiptarëve duke i paraqitur si të pacivilizuar përkrah popullit maqedonas që është një nivel tjetër.

Mirëpo, këto biseda të zbuluara po ua nxjerrin shëmtinë shpirtrave dhe të mendjeve të elitës politikë maqedonase në pushtet. Të vërtetën që ne e dinim, e që na u konfirmua se kjo aradhë politikanësh është në fakt fytyra e mungesës së civilizimit dhe klasit në Maqedoni. Këta janë elitarët që flasin me gjuhën e rrugaçëve vulgarë. Këta janë të paaftët për të kundërshtuar në mënyrë të rafinuar, për të prodhuar argumente ligjorë e politikë.

Jankullovska u hoq si një autoritet i pavarur në rastin e Çështjes Monstra e në situata të tjera konflikti ku janë përfshirë shqiptarët. Me dëgjimet e fundit, ajo ka humbur edhe fijen më të fundit të besueshmërisë.

Sado statuja me figura antikiteti të ngresh në qendër të Shkupit, ato nuk fshehin dot vulgun në komunikimin dhe veprimin e fanatikëve që ka ngjitur në pushtet Gruevski. Për të mos lejuar njerëz të tillë abuzivë në pushtet janë bërë luftrat në Ballkan e është derdhur gjak.

Adem Jashari, që sot nuk ka nevojë për shtatore që të influencojë me figurën e tij Maqedoninë shumë më tepër se grekët e mermertë të lashtësisë, u vra që shqiptarët në Kosovë të jetojnë me dinjitet. Për këtë luftuan dhe dhanë jetën edhe plot shqiptarë në Maqedoni.

Nëse 13 vite mbas luftës pranojnë të përshkruhen si kafshë nga një aleate politike, kjo është poshtërsi e madhe. Po edhe një kafshatë turpi që nuk do të gëlltitet lehtë nga BDI-ja bashkëqeveritare.

Kanë kaluar 13 vjet dhe PDSH nuk rikthehet dot në pushtet sepse nuk doli nga qeveria kur shqiptarët trajtoheshin në mënyrë të ngjashme. Po të paktën atëhere ishte kohë lufte. Sot, kur jetojmë “epokën e bashkëpunimit”, cili është justifikimi i ministrave maqedonas për antishqiptarizmin e tyre virulent? BDI duhet t’i mendojë mirë hapat politikë në vijim. Në lojë mund të mos jetë thjesht një mandat qeveritar, por e ardhmja politike në një apo dy dekadat që vijnë.

Jankullovska nuk fyeu thjesht politikisht shqiptarët. Ajo e fyeu Adem Jasharin nga morali i familjes. Moralin e një familje që u masakrua pa mëshirë deri te fëmijtë e moshës më të njomë. Fëmijë që patën më pak vite jetë se gishta të dorës.

Shqiptarët e Maqedonisë nuk patën një Adem Jashar. Patën dëshmorë e luftëtarë dhe Ali Ahmeti ishte figura qendrore e luftës në një mënyrë që i përngjet më shumë Hashim Thaçit sesa Adem Jasharit. Po nëse Ahmeti nuk sheh se fyerja ndaj Jasharit është fyerje e drejtpërdrejtë për të, atëherë ai ose nuk kupton vërtet ose hiqet sikur.

Dje një zv-ministër, Arben Labënishti dha dorëheqjen nga qeveria. Do të ishte mirë që BDI të shqyrtonte të njëjtën masë, në mos shkarkimin e menjëhershëm të ministres gojështhurrur. Krerët e BDI-së ashtu si disa të PDSH janë mbase në ato biseda të regjistruara në mënyra të tjera komprometuese dhe nuk guxojnë të ngrihen në këmbë. Po sado turpëruese e të ndëshkueshme të jenë bisedat e tyre të përgjuara, nuk ka gjë që i krahason me turpin që u hodhën mbi kokë shprallitjet skandaloze të kryexhandares së Gruevskit.

(Autori është kryeredaktor i gazetës Illyria në Nju Jork)

SHKARKO APP