Je suis Scanderbeg
Nga Artan Lame
E kam qeshur e jam tallur me Skënderbenë, sa pa dyshim e kam tepruar. Kam bërë ironi dhe i kam rënë në qafë, sa s’di si më ka duruar. Por i kam bërë këto se e dua Skënderbenë njeri me mish e kocka me halle e telashe, jo si një mit të kalçifikuar nga ata që pastaj themi “pale a ka qenë”.
Ashtu sikundër çdo i krishterë i mirë, e do Jezunë si njeri që zbriti mes vdektarëve e dha jetën për ta. Ashtu sikundër çdo muhamedan i mirë, e do Muhametin si njeri që ulur këmbëkryq u shpjegon të thjeshtëve udhën e drejtë. Ashtu edhe unë e dua Skënderbenë si njeri që mes njerëzve të tij, me gjoks përballte të keqen e madhe të kohës vet, ndërsa me kurriz mban edhe llafet e kohës sonë.
Por sot Skënderbenë tim ma zunë me perde që të mos shihej se si mbretëron e kalëron mbi kalë tash 550 vjet. Sot i zunë të pamët të mos i shihte, neser një zot e di se ç’mund t’i bëjnë.
Ndaj sot jam i gatshëm nga njeri të bëhem hero, për të mbrojtur heronë-njeri. Sot ndjehem i gjithi “je suis Skanderbeg”. E në qofshim shumë, s’kanë ç’i bëjnë heroit.
A.