Kineastët hajdutë, viktima të propogandës fashistoide të Rilindjes

Nga Andi Bushati.

Duke i hedhur një sy si zakonisht mediave që bëjnë propogandën e qeverisë, shikimi më mbeti tek një lajm që trajtonte si hajdutë ordinerë dy nga kineastët që po vazhdojnë betejën për të mos prishur godinën e teatrit, Kastriot Çipi dhe Robert Budina.

Të dy trajtoheshin si keqbërës të rëndomtë, që i kishin vjedhur qendrës kinematografike një sasi prej 8.8 milionë lekësh. Ajo që të binte në sy në të gjitha këto media ishte fakti se teksti ishte totalisht i njëjtë, madje disa kishin përtuar t’i ndërronin edhe fotografinë, se faksimilet e vendimeve të gjykatës ishin të skanuara nga e njëjta dorë, se ato dukej që ishin shpërndarë me regji qëndrore.

E vetma liri që secila media i kishte lënë vetes pa u këshilluar më parë për këtë, qe madhësia e gërmës së shkrimit dhe nënvizimi me “bold” ose jo i nëntitujve.

Më bëri përshtypje ky fakt sepse nuk mund ta besoja dot se ky qe kryelajmi i ditës së sotme. Vërtet më dukej e habitshme sesi, në ballinat e të gjitha faqeve online, kjo qe shndërruar në temë qëndrore. Padyshim që ishte sakndaloze që në të tërë titujt vendosej pa pikë skrupujsh fjala: “Vjedhës”.

Nuk do shumë mend të kuptosh se përse bëhet kjo monovër që do të kishte ndot ta prodhonte edhe mendja diabolike e Gëbelsit. Mesazhi i saj është i qartë: Ata që akuzojnë Ramën, Kumbaron, Veliajn si hajdutë, janë vetë të tillë. Ata që bëjnë sikur duan teatrin nuk janë më shumë sesa aktorë ordinerë që duan të përfitojnë politikisht. Ata që flasin për virgjëri morale, janë zhvirgjëruar për vete me vendime gjykatash.

Kjo teknologji perverse kërkon, në thelb të saj, të barazojë 8.8 milionë lekë me vjedhjen e një trualli publik, të falur pa garë e pa tender, që vlen më shumë sesa 200 miloinë euro. Ajo do të shpërndajë tymnajë për të fshehur grabitjen e madhe që po ndodh në mes të qytetit. Ajo mëton të shkurajojë çdo kënd që beson në ndarjen e qartë mes së mirës dhe së keqes.

Për të vërtetuar këtë mjafton vetëm një krahasim i thjeshtë: nëse të gjitha këto media do ishin vërtet të interesuara për pasuritë publike, nuk do ta fillonin hetimin e tyre nga ato kacidhe që paska humbur qendra e kinematografisë 20 vite më parë, por do të hetonin ligjin e sapo votuar Rama- Fusha, gropat që ka ai, hapsirat për abuzim që lë dhe dhe precedentin arbitrar që vendos.

Ato s’kanë shkruar kurrë asnjë fjalë për këtë temë, por që kur ka filluar çështja e teatrit, kanë vënë theksin vetëm tek deklaratat se godina e vjetër duhet shembur, se aktorët janë përçarë se mbrojtja e pasurisë publike apo e trashigimisë paskësh prapavijë partiake.

Ato janë të paragjykuara edhe për një gjë tjetër në qëllimin e tyre. Pasi nëse akti prej “Bonnie & Clyde” i çiftit Çipi- Budina do të kishte qenë një skandal me përmasa kombëtare, ato do të kishin raportuar për të që këtu e dy dekada më parë kur daton fillimi i kësaj çështjeje. Por ata e kanë rizhvarrosur sot këtë histori dhe nuk do shumë mend të kuptohet se përse.

Natyrisht, qëllimi i këtij shkrimi nuk është të mbrojë nderin e humbur të dy kineastëve. As të bëjë avokatin e tyre për një çështje për të cilën është shprehur gjykata. Por të shpjegojë kontekstin kohor kur linçimi i tyre po ndodh.

Dhe këtu është pika më e rëndë.

Sepse ky sulm, i pa principtë, i pa moralshëm dhe i korruptuar kokë e këmbë, nuk ka si qëllim vetëm arsyet e dhëna më lart, pra fashitjen e të vërtetës dhe relativizimin e krimit.

Ai ka edhe një pasojë me dëme më afatgjata. Ai tenton të tulatë edhe ata pak zëra të cilët nuk pajtohen dot me grabitjen. Pikërisht për këtë u rinxor sot në skenë çështja Çipi-Budina. Pikërisht për këtë i’u kujtuan pagat e mara ndër vite Mirush Kabashit pasi doli në protestë. Pikërisht për këtë iu përmendën teket e rrëkëllyera në orararet e punës për njerëzit e zakonshëm, Bujar Asqeriut, pasi me pathosin e tij vuri gishtin drejt e mbi plagë. Sepse, për të gjithë, qëllimi është i njëjtë: të pushojmë me ç’do mënyrë ata që janë kundër vjedhjes.

Që kur disa nga ikonat e kësaj proteste, Ndrenika, Dërhemi, Basha, Trebicka u detyruan të lëpinin mbi atë që kishin pështyrë, thashethemnaja që i përshtatet në mënyrë simpliste psikologjisë së momentit, ku paraja është mbret, përhapi versionin e shtitjes së tyre tek ndërtuesit e kullave. Por askush, deri më tani, askush, nuk ka parë edhe hipotezën tjetër. Një lloj neverie, mungese force, dekurajimi, për të luftuar me armët e pista të propogandës së Rilindjes. Sepse asnjë njeri normal nuk do t’a kishte me qef të shndërrohej në targetin e një tabori mediash të pushtetit, siç i ndodhi sot Çipit dhe Budinës. Sepse jo ç’do kush e ka brenda vetes fibrën e “heroit” për t’a parë se si i dalin në pazar, robat e palara të shtëpisë. Sepse shumica ka drojë të vetësakrifikohet për të mbrojtur trashëgiminë dhe pronën publike.

Ky është efekti vrastar i metodave fashistoide që Rilindja përdor kundër të gjithë atyre që tentojnë t’i thonë ndal makutërisë së saj të pakufishme. Por, për këtë fajtorë nuk janë vetëm Rama, Veliaj, Fusha e me radhë, që tregojnë të njëjtin zell, si për të grabitur, po ashtu edhe për t’a fshehur atë. Fatkeqësisht, fajtorë janë edhe një pjesë e kolegëve tanë, që në emër të atyre pak thërrimeve që u pikojnë, janë bërë autoparlantë të kësaj gënjeshtre të madhe.

SHKARKO APP