Kjo Shqipëri nuk është e imja, ma kanë vjedhur e më kërkojnë haraç
Nga Agim Xhafka
Çdo vit unë vij në Shqipëri. E marr parasysh udhëtimin e gjatë nga Amerika, lodhjen, shpenzimet se dua të gjendem mes njerëzve të mij, të gjakut a shok e miq.
Shkoj te varrezat, te prindërit, bëj muhabet të gjatë me ta se kam bindjen që më dëgjojnë, rri me gocën, nipin, mbesën, të afërm e plot të njohur e ia mbath ca ditë nga Vlora deri në Sarandë. Ca ditë se më tepër nuk ia vlen. Stresohesh, acarohesh, grindesh, sëmuresh, tërbohesh e mund të shkosh në djall.
Unë nuk jam si ca të fandaksur që duan partinë mbi Shqipërinë. Këtë as e them as e mendoj. Por veten e dua, e dua shumë, edhe më tepër se Shqipërinë. Se një jetë kam që do e falja për njerëzit e mij, por për atdheun e sotëm kurrë.
Kjo Shqipëri nuk është e imja, ma kanë vjedhur e më kerkojnë haraç ata që pandehin se janë pronarë të saj. As 800 mijë banorë nuk ka Tirana e unë lahem me orar, se për të pirë ka vite e vite që ujin e blej. Krahasoj ajrin me të vendeve pranë, jo atyre të zhvilluara, e del që është 4 herë mbi normat e lejuara. Shoh grafikët e zhurmave e shigjeta në Shqiperi po i drejtohet hënës. Kryqyteti si një kapanon i madh ku prodhon sëmundje e tret njerëz.
Plazhet pa drita, ose me voltazh që frigoriferi nuk ngrin gjë e kondicionieri vërtit ajrin e nxehtë. Derdhen në bregdet mutrat e gjysmës së kombit. Ia kanë mbathur edhe peshqit, e shumta gjen në breg ndonjë breshkë të ngordhur. Rrugët copë e gropë, bajpaset u transformuan në qendra fshatrash e qytetesh , ku ka veç qenër se njerëzit kanë marrë arratinë. Shyqyr diellit nuk i kanë menduar ndonjë rreng hë për hë.
Në këto kushte unë, i pëmallur për vendin, por i gjendur në grackën e tij, i thërras mendjes e iki me vrap kudo, veç Shqipëri mos quhet. Shkoj në Itali e pushoj si njeri, vete në Greqi e ndjej që zemra më zbutet, shpirti më qetohet. Shkoj në Mal te Zi e gjej rehati, arrij në Maqedoni e nxehem që as si ky vend nuk u bë Shqipëria ime.
Unë e dua veten, e dua shumë. Nuk më shkon ta them që e dua më shumë se vendin tim. Por kështu më del, se Shqipëria e ca njerëzve nuk i do shqiptarët. Na përbuz e na largon, nuk na ofron gjë. Ndaj unë iki e si Bajroni i këndoj këtij largimi, nxjerr dufin, trishtimin, inatin, por nuk qëndroj. Iki..