Kokëfortësia e Ramës me shifrën “1 milion të papunë”
Nga Eduard Zaloshnja
Mbrëmë në emisionin “Shqip” në Top Channel, kryeministri Rama i tha drejtueses Xhunga pak a shumë kështu: “ Ju talleshit me shifrën 1 milion të papunë që ne deklaruam para zgjedhjeve të qershorit 2013, por ajo ishte mëse e saktë”. Më tej ai, duke iu referuar INSTAT-it "të rilindur", deklaroi se gjatë vitit 2014 u shtuan 83 pik ca mijë vende punë. Pra, me afërsi, i bie që në fund të 2014-ës të kenë qenë mbi 900 mijë të papunë në Shqipëri…
Por ç’na tregojnë shifrat e INSTAT-it "të rilindur" për numrin e të papunëve? Sipas tabelës “Përmbledhje e treguesve të tregut të punës vlerësuar sipas Anketës Tremujore të Forcave të Punës, Tr.1/12-Tr.4/14” (http://www.instat.gov.al/al/themes/tregu-i-pun%C3%ABs.aspx?tab=tabs-5 ), në fund të 2014-ës, ka patur vetëm 227,786 të papunë në grupmoshën 15 vjeç e lart (Sipas standarteve ndërkombëtare të statistikave mbi punësimin, të papunë quhen ata që janë në kërkim aktiv të një vendi pune, por që nuk e kanë gjetur dot). Ndërsa në qershorin e 2013-ës (sipas së njëjtës tabelë të INSTAT-it "të rilindur"), numri i rishikuar i të papunëve ishte 200,667 (INSTAT-i "i parilindur" e raportonte 140 mijë këtë shifër). Të dy këta numra te INSTAT-it "te rilindur" (që ndryshojnë vetëm me 27 mijë nga njëri-tjetri) janë shumë larg shifrës “1 milionë të papunë”…
Kuptohet që shifrën “1 milion të papunë” dikush që merret me shifra ia ka llogaritur Ramës kur ishte në opozitë. Dhe ai dikush duket se ka ngatërruar të papunësuarit me të papunët. Kjo hipotezë e imja mbështetet edhe nga të dhënat e tabelës së sipërmendur të INSTAT-it "të rilindur". Sipas saj, numri i të papunësuarve 15 vjeç e lart që NUK kërkonin punë (inaktivët), në qershor 2013, ishte 1.12 milion (tek inaktivët 15 vjeç e lart përfshihen të gjithë personat që NUK janë në kërkim aktiv të një vendi pune, si pensionistë, invalidë, nxënës, studentë, shtëpiake, qiradhënës, etj, etj.). Aktualisht, numri i inaktivëve është pakësuar – ka zbritur në 1.04 milion. Gjë që tregon se është shtuar me rreth 80 mijë numri i shqiptarëve 15 vjeç e lart që deri dje nuk kërkonin punë, e tani ose kanë një punë, ose janë në kërkim të një pune.
Po numri i të punësuarve për moshat 15 vjeç e lart si ka ndryshuar? Nga qershori 2013, në dhjetor 2014, numri i personave që janë në punë (sipas tabelës së sipërcituar) është rritur me 72 mijë (1,067,613 – 995,553). Nga nga ana tjetër, rritja e vendeve të punës me 72 mijë është shoqëruar me një rritje prej 27 mijë e numrit të atyre që kërkojnë punë dhe s’e gjejnë dot. Në mënyrë të përmbledhur, forcat e punës (të punësuar + kërkues të një vendi pune) janë rritur me rreth 100 mijë nga qershori 2013 në dhjetor 2014.
Shënim: Qysh para zgjedhjeve të 2013-ës, kam publikuar një shënim në respublica.al, ku e kam vënë në pikëpyetje edhe shifrën “1 milion të papunë” te Rames, edhe ate "140 mije te papune" te Berishes (http://respublica.al/node/7509 )