Kolë Idromeno, “parganjoti” që u bë artist i madh në Shkodër
Nga Saimir Kadiu
86 vjet më parë, më 12 dhjetor 1939, u shua në Shkodër Kolë Idromeno, një nga artistët më polivalentë që Shqipëria ka pasur ndonjëherë: piktor, arkitekt (projektoi dhe ndërtoi mbi 60 ndërtesa private e publike, gjurmët e të cilave janë të dukshme edhe sot), urbanist, fotograf, skenograf, siparist, muzikant, instrumentist, kompozitor i këngëve shkodrane, si dhe organizatori i shfaqjeve të para kinematografike në Shqipëri në vitin 1919. Por mbi të gjitha ai ishte një përfaqësues i shquar i pikturës moderne shqiptare.
Kolë Idromeno konsiderohet si një prej piktorëve më të mëdhenj të shkollës shkodrane të arteve pamore, së bashku me Ndoc Martinin dhe Simon Rrotën. Emri i Kolë Idromenos është bërë i njohur me pikturat e famshme “Motra Tone” dhe “Dasma Shkodrane”, që e identifikojnë lehtë autorin si “Mikelanxhelo i Shqipërisë”.
Të gjitha pikturat e Idromenos kanë vlera, sepse secila prej tyre mbart veçantinë e vet artistike. Kolë Idromeno pikturoi portretin e motrës së tij, Tonës, në vitin 1883, në moshën 23-vjeçare. Kjo vepër është më përfaqësuesja dhe më realistja e tij, por edhe një ndër kryeveprat e arteve pamore shqiptare.
I lindur në Shkodër më 15 gusht 1860, por me origjinë nga arvanitasit e ishullit Hidro në Greqi, që i përkisnin religjionit ortodoks dhe ishin vendosur në Çamëri, familja Hidromeno erdhi në Shkodër nga Parga e Çamërisë. I ati, Arseni, ushtronte profesionin e marangozit dhe shpesh e merrte edhe Kolën e vogël, i cili kishte prirje për vizatim, që të zbukuronte orenditë që përfundonte. Martesa e Kolës me vajzën qytetare Roza Saraçi e shkodranizoi edhe më shumë. Ai u dha pas muzikës popullore, kompozimit dhe instrumenteve muzikore. Merrte pjesë në ceremoni dasmash bashkë me motrën Tone, e cila këndonte sikur të kishte studiuar kanto.
Më vonë, vdekja e djalit të vetëm dhe e motrës Tone në moshë të re e pikëlluan thellësisht, por ai nuk u tërhoq kurrë nga rruga e një artisti e patrioti. Lidhjen me paraardhësit, Kolë Idromeno e paraqet në pikturën “12 luftëtarët e Pargës në lundër”, ku përjetëson trimat e Pargës dhe të mbarë Çamërisë. Lundra në vetvete mbart një histori sa heroike, aq edhe të dhimbshme. Ata që ishin në të mund të ishin ortodoksë shqiptarë, të detyruar të largoheshin sepse nuk pranonin të quheshin grekë për hir të religjionit; mund të ishin myslimanë shqiptarë, të cilëve ua mohonin kombësinë, tokën, pasurinë dhe trashëgiminë, e për këtë i dëbonin me forcë nga vendlindja.
Në atë varkë mund të kenë qenë edhe paraardhësit e Mitrush Kutelit, të religjionit ortodoks, nga fisi i përmendur Kuteli, me origjinë nga Arta e Çamërisë, të cilët u përjetësuan në vargjet e birit të tyre, Dhimitër Paskos, që ngriti zërin me vendosmëri:
“Se jam këtu, kur s’kish njeri dhe as kufi, as fqinjëri…
Nga një det në tjetrin det isha zot vetë…
Unë jam këtu, dem baba dem…” (M. Kuteli)
Te Kolë Idromeno u bashkuan në mënyrën më të mirë traditat, zakonet, shpirti artistik dhe kultura e një familjeje që vinte nga jugu i Shqipërisë nga Çamëria, Parga e gërshetuar aq bukur me kulturën shkodrane, të qytetit ku u vendos dhe u integrua, duke na dhënë vlera të padiskutuara. Rrallë tek ndonjë artist, të paktën në përvojën time, kam parë të jenë bashkuar në një harmoni të plotë piktori, skulptori, fotografi, skenografi, butaforisti dhe arkitekti. Kjo e bën Idromenon një figurë poliedrike.
Falë dhuntisë, talentit dhe formimit që kishte, kjo shumësi aftësish është lehtësisht e dallueshme në krijimtarinë e tij. Pa dyshim, vepra më e spikatur mbetet piktura, ku ai konsiderohet si përfaqësues i pikturës moderne shqiptare.
Ai dha shfaqjet e para kinematografike në Shqipëri me kinemanë e vitit 1913, që ishte risi në jetën kulturore të Shkodrës. Quhej ndryshe “Teatri elektrik”. Si arkitekt, projektoi dhe ndërtoi mbi 60 ndërtesa private e publike, gjurmët e të cilave janë ende të dukshme. Bazat e inxhinierisë dhe të arkitekturës i mori nga i ati, autodidakt edhe vetë. Si fotograf, hapi studion e tij më 1883 me pajisje të importuara nga një kompani e njohur franceze. “Dritëshkronja Idromeno” u bë e njohur për veprimtarinë e saj, madje edhe jashtë vendit, ku Idromeno konsiderohej si një ndër fotografët e parë shqiptarë. Fatkeqësisht, shumë nga punët e tij janë humbur.
Si muzikant, ai luante në trombë, violinë dhe instrumente të tjera, dhe tingujt e tyre mbahen mend nga bashkëkohësit. Nuk është çudi që kompozoi edhe këngë, jo pa sukses. Si skenograf, la gjurmë të rëndësishme në vendosjen në skenë të shumë shfaqjeve, duke ditur të ndërtonte gjithçka në funksion të përmbajtjes dhe idesë së veprës dramatike. Për kuriozitet, ai realizoi dekorin skenik të njëvjetorit të Pavarësisë në Vlorë.
KOHA JONË SONDAZH

