Konflikti i egër në PD, a do të shërohet plaga e hapur?

Marrëveshja dhe “Qepallimi” me kryeministrin, nga lideri i sapo dalë nga Çadra e opozitarizmit radikal anti-Rama, rezultuan çoroditëse.
Fjalimet dhe slloganet elektorale të Bashës, që u përqëndruan kundër LSI, në sinkronizim të plotë me fjalimet elektorale anti-LSI të kryeministrit…

Nga Artur Zheji

Më keq nuk kishte se sa të shkonte në Partinë Demokratike. Egërsia e përplasjeve, sharjeve dhe akuzave të ndërsjella, ka sjellë një gëzim të stërmadh në kampin rozë. Kush mendonte se Berisha ka apo kishte nën kontroll gjithëshka, gabohet. Tanimë vetëm kontroll dhe pushtet qëndror nuk ka në Partinë e dikurshme, më të centralizuarën në Shqipëri.

Patozi dhe Topalli kanë përshkallëzuar sulmet ndaj Bashës. Por jo vetëm ata. Marrëveshja e mesnatës e 17-18 Majit dhe humbja e thellë që pasoi, kanë ulur çdo mur dhe kanë shkatrruar çdo filtër.

Tanimë ka dy Parti Demokratike. Njera, parlamentare dhe me 44 deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, e drejtuar de facto nga Basha dhe një Parti e dytë Demokratike, ekstra parlamentare, që është krejtësisht në opozitë me kryetarin e ngrirë…

Mirëpo gjërat me siguri do të qetësohen pas 22 Korrikut. Në një formë ose në një tjetër, konflikti i egër do të fashitet. Opozitarët e Bashës, do të vazhdojnë të jenë mediatikisht interesantë, por do ta kenë shumë të vështirë të prodhojnë politikë në terren, sepse kanë pak ose aspak instrumenta financiarë dhe janë në mungesë të plotë të infrastrukturës së duhur.

Nga ana tjetër proçesi spastrues i Bashës, ishte i thellë dhe rrënjësor. Në të vërtetë Basha, reflektoi analizën e munguar të humbjes së PD në vitin 2013 dhe zbatoi “spastrimet”, që ndëshkuan Partinë Demokratike 4 vite më parë, porse rezultati i korrur, ishte vërtet dramatik më 25 Qershor. Arësyet janë patjetër te bojkoti masiv dhe mospërdorimi i influencave të grupit të të përjashtuarve nga listat fituese të PD dhe te mungesa e plotë e një platforme profesionale elektorale në shtabin Bashës.

Marrëveshja dhe “Qepallimi” me kryeministrin, nga lideri i sapo dalë nga Çadra e opozitarizmit radikal anti-Rama, rezultuan çoroditëse.
Fjalimet dhe slloganet elektorale të Bashës, që u përqëndruan kundër LSI, në sinkronizim të plotë me fjalimet elektorale anti-LSI të kryeministrit, krijuan mbresën e thellë se Basha dhe Rama në këtë fushatë ishin në të njejtin krah, ashtu si edhe ishin në të njejtën qeveri e qeverisje.

Dhe e gjithë kjo metamorfozë, ndodhi në një kohë shumë të shkurtër, nga urrjetja dhe kërcënimet politike të Çadrës te Qepallimi Basha-Rama dhe te harmonizimi tronditës i tezave elektorale.

Por tanimë kjo është një analizë që i përket gjithmonë e më shumë të kaluarës. Basha duket gjithësesi më afër fitores, pamvarisht çmimit dhe shpërbërjes së një pjese të konsiderueshme të Pd, boshllëk që po mbushet me të rinj, në mënyrë dialektike por edhe të orientuar nga kupola Basha.

Çështja shtrohet se çfarë do të ndodhë në Shtator, do të vazhdojë apo jo, Qepallimi dhe bashkëqeverisja Rama-Basha? Sinjalet që vijnë nga PD e Bashës, janë kontradiktore. Ndoshta do të kemi një mbështetje të Qeverisë Rama, vetëm për Reformat kushtetuese dhe për Ligjin e ri zgjedhor, sepse thuhet që Basha është i apasionuar pas ligjit zgjedhor maxhoritar kombëtar, të ngjashëm me atë që ishte në vitin 2005, Ligj të cilin edhe Rama e ka në interes tashmë. Një Opozitë e butë pra dhe bashkëpunuese rast pas rasti, që do të sjellë një qeverisje të qetë të mandatit të dytë të Ramës, ku kokëçarjet e vetme opozitare do të vijnë nga Lsi e drejtuar nga Kryemadhi.

Por mund të ndodhë edhe krejt ndryshe, por deri më tani, nuk ka asnjë shenjë për këtë. /360grade.al/

SHKARKO APP