Krimi në skaner, 10 mënyra si dilet nga kjo situatë

Nga Roland Qafoku

Vera e re në fuçinë e vjetër

Vrasja e një personi dhe plagosja e dy të tjerëve në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, në një ngjarje me 8 persona të përfshirë në të, nxori mbi ujë situatën reale të krimit. Vërtetë nga 1 janari i këtij viti e deri më sot, shënohen 37 vrasje në të gjithë vendin, shifra më e ulët në këto 28 vjet, si dhe rekordi i rekordeve, por duhet theksuar se perceptimi i qytetarëve shqiptarë për situatën kriminale, është i tillë që i shpërfillin shifrat. Një vrasje e kësaj natyre në një lokal “high class” në zemër të Tiranës, 50 metra nga zyra e kreut të Kuvendit, 100 metra nga zyra e kryeministrit dhe zyra e presidentit të Republikës, nuk ka asgjë tjetër më të rëndë. Madje, në perceptimin e rendit dhe sigurisë, kjo është shumë herë më e rëndë edhe se sa edhe 8 të vrarët në Selenicë më 10 gusht.

Është e tillë sepse, ndërsa vrasja e tetëfishtë ndodhi në një cep të Shqipërisë, ku jeta e vrasësit i ngjante më shumë Robinson Crusoe, ngjarja e 4 tetorit ndodhi në zemër të zonës, që pëlqen të vetëquhet zona aristokrate e Tiranës. Një zonë me dendësinë më të madhe dhe më të pasur në të gjithë Shqipërinë, por që në fakt duhet të quhet zona më e kriminalizuar e të gjithë Shqipërisë.

Trafiku i drogës, qarkullimi i personave të inkriminuar dhe përplasja e grupeve kriminale, e kanë kthyer së fundi edhe në vend ekzekutimesh, po të kujtojmë vrasjen e bankierit Artan Santo më 26 qershor 2014, vrasjen e Elton Çiços më 1 maj 2016 ose edhe ngjarje të tjera me plagosje dhe sherre, duke përmbysur imazhin e një zone luksi dhe një lloj Manhatani të kryeqytetit shqiptar, në një zonë krimi. Por përse situata erdhi në këtë pikë? Përse policisë po i rrëshqet situata nga dora? Çfarë po ndodh me rendin dhe sigurinë dhe si dilet prej kësaj gjendjeje? Përgjigjen e këtyre pyetjeve, do përpiqem ta jap në 10 arsyetime dhe rrugëdalje më se imediate për situatën, duke synuar të jem sa më realist dhe pa asnjë anësi.

1. NDËRPRERJA E PROCESIT TË VETTINGUT NË POLICI

Ndërprerja e procesit të vettingut në polici është arsyeja e parë madhore që krimi në vend ka ngritur krye. Ka kaluar më shumë se një vit, kur ky proces u shpall me shumë bujë, pikërisht me arsyetimin se, në polici kishte persona të inkriminuar. Dhe nga nisja e procesit para tre muajsh, unë nuk kam parë polici më të trazuar se aktualja. Dhe të parët që e ndjenë tërmetin, ishin pikërisht policët problematikë. Të gjithë policët ishin nën siklet, por pjesa problematike ishin në gjendje tensioni dhe ankthi. Në Shqipëri, vendosja e rendit në rend, ka përbërë përherë sfidën e çdo drejtuesi policie, ministri dhe shumica e drejtuesve, për hir të vërtetës, kanë dështuar.

Por pastrimi me ligj që nisi, duket se solli fundin e policëve të lidhur me krimin. Dhe cilat ishin pasojat? Kundërsulmet dhe më shumë se kaq, ngritja e një opinioni se, Fatmir Xhafaj dhe drejtuesit e policisë, po shkatërronin policinë – sepse kërkonin pastrimin e saj – ishte goditja më e madhe. Kjo solli një lloj stepje. Kupola e policisë me rastin Babale, u godit rëndë. Futja e politikës në këtë proces e bëri policinë gati si një kafshë të plagosur, që i duhet të lëpijë vetë plagët e marra për tu ringritur. Pikërisht, kjo është situata e tre muajve të fundit. Policisë i janë lidhur duart, duke ndërprerë një proces më të rëndësishmin në radhët e veta dhe kjo solli këtë situatë, duke bërë që krimi ta shfrytëzojë dhe të lulëzojë. Prandaj, vijimi i procesit të vettingut do ishte fitorja e shtetit ndaj krimit. Nëse policia nuk pastrohet nga të inkriminuarit, nga ata që kanë lidhje me grupet dhe bandat kriminale, që kanë abuzuar me detyrën, policia kurrë nuk mund të garantojë rend dhe siguri; vettingu duhet bërë urgjentisht!

2. INTERFERIMI I POLITIKËS NË POLICI

Por ndërprerja e vettingut, nuk mund të ndodhte pa ndërhyrjen e politikës.

“Nuk më kishte ndodhur asnjëherë në karrierën time 28-vjeçare, – tha një oficer policie, – të më merrte një deputet i rangut të lartë në telefon, për ta ndihmuar në një çështje. Vetëm kur i thashë jo i prerë, ai hoqi dorë”.

Vërtetë hoqi dorë me këtë oficer të ndershëm dhe integritet, por kush e beson se deputeti i madh ka hequr dorë nga ndërhyrja te shefat e tjerë? Ndërhyrja e politikës në polici, është sëmundja më e rëndë dhe shkatërruese e kësaj arme që e ka gërryer në këto 28 vjet. Këtu nuk kam parasysh vetëm shumicën, por edhe opozitën. Në këto 28 vjet, si PS-ja dhe PD-ja kanë synuar, kanë dashur dhe ia kanë arritur ta kthejnë policinë në armën e tyre të pushtetit. Natyrisht, nuk ia kanë arritur në disa. Por ama, e kanë synuar dhe e kanë bërë këtë, sa herë kanë mundur. Aktualisht, jemi në një gjendje që, më shumë se kurrë, shikoj një politikë që kërkon ta ketë vetë policinë. Nis nga lart te deputetët, ministrat dhe deri te rangjet më të ulëta të partisë në pushtet; futen dhe duan të interferojnë në punët e policisë, atje ku atyre u ecën. Një kryetar bashkie ose minibashkie, nëndrejtorë ose funksionar i rëndomtë politik, deri te kryeministri, të gjithë duan ta kenë të tyren policinë, në varësi të shkallës së saj. A ia kanë arritur? Po edhe jo. Ia kanë arritur deri sa përfliten që janë të përfshirë në ngjarje të rënda, por edhe nuk ia kanë arritur, si në rastin e oficerit të policisë. Unë futem tek ata që nuk e besoj dhe nuk dua ta besoj, që Taulant Balla ka qenë në mjediset e postës së Fushë-Krujës, në prani të të cilit është kërcënuar oficeri i policisë, Emiljano Nuhu, me pistoletë në kokë. Por ama, nëse provohet me prova të pakundërshtueshme dhe të forta, mund të them se kryeministri Edi Rama do tregonte moral të fortë qeverisës, nëse nuk merrte masën ekstreme për Ballën. Mbrojtje të tipit “ose ka qenë, ose nuk ka qenë” me koeficient të ulët inteligjence, bëjnë për tu gajasur edhe vetë Ramën. Këto lloj historiçkash i ngjajnë barsoletave me policë, që i kishim harruar.

3. TËRHEQJA E POLICISË PAS GODITJEVE

Goditjet që ka marrë policia, janë shoqëruar me tërheqje të saj. Kështu ka ndodhur historikisht, sa herë kanë ndodhur ngjarje të rënda. Nisin që nga 2 prilli 1991 në Shkodër, ngjarjet e vitit 1997 (një prej tyre është ajo e masakrimit të 6 gardistëve në Cërrik), ngjarja e 21 janarit 2011, deri te ngjarjet e fundit kriminale. Duhet theksuar që, deputetë, ministra e politikanë, nuk kanë pësuar asgjë. Janë vrarë vetëm policë dhe për ironi, në burg janë futur vetëm policë. Policë dhe gardistë të thjeshtë, oficerë policie, janë bërë viktima të çdo ngjarjeje që ka ndodhur në këtë vend. Janë afro 300 policë që janë vrarë në këto 28 vjet në krye të detyrës dhe dhjetëra të tjerë të arrestuar si përgjegjës; kjo goditje kaq e madhe, ka koston e vetë. Dhe cili ka qenë rezultati? Policia, pas çdo ngjarjeje të  rëndë, është tërhequr nga beteja me krimin. Një pasojë që edhe sot, vazhdon të qëndrojë si një vragë e madhe në trupin e policisë dhe që, me sa duket, do të vazhdojë të jetë e tillë.

4. MOSMARRJA E DENONCIMEVE DHE FSHEHJA E NGJARJEVE

Janë disa ngjarje që thuhen nën zë, por që policia nuk i ka bërë publike. Nuk ka vendngjarje, nuk ka denoncime dhe nuk ka hetim. Por ama, opinioni i madh e i vogël, flet nën zë. Nuk ka ndodhur në këto 28 vjet që një ngjarje të mbahet fshehur, duke përmbysur edhe aksiomën mediatike se, me kaq televizione, radio, gazeta, portale dhe me këtë Facebook, nuk ka asnjë shans që një ngjarje të fshihet. Por ja që ka disa muaj, disa ngjarje janë mbajtur fshehur. Nuk janë bërë të ditura dhe nuk janë raportuar as nga media. Të mos ishte qytetari dixhital i doktor Berishës, kushedi sa e sa ngjarje nuk do të ishin bërë publike. Kjo është një situatë skandaloze, që duhet të ndryshojë urgjent. Policia ka mekanizmat e saj të informacionit dhe duhet të bëjë deklarata sqarimi për gjithë opinionin. Dhe paralelisht me këtë, duhet të përmbysë, një herë e mirë, opinionin se nuk merr denoncime. E themi sërish që, nuk ka ndodhur në këto 28 vjet të mos merren denoncime. Në vitin 1997, edhe pse situata ishte e rëndë dhe zyrtarisht nuk kishte shtet, nuk kishte vendngjarje dhe të hetoje një çështje ishte si të hapje një proces për betejat e luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, por ama denoncimet merreshin, shkruheshin në një regjistër dhe regjistroheshin në librat e policisë.

5. DEKONSIPIRIMI I AKSIONEVE

Nuk ka më gjë më dekurajuese, por edhe poshtërsi më të madhe, kur një grup policësh kryejnë një aksion për kapjen e grupeve kriminale dhe spiunohen nga kolegët, deri shefat e tyre! Duhet ta themi që, kjo gjë jo vetëm ka ndodhur, por në policinë e shtetit është bërë dukuri. Pa asnjë mëdyshje, policë të tillë pa moral e karakter dhe që u shërbejnë personave të inkriminuar, duhet të vendosen përpara ligjit. Nuk mund të militojnë në Polici, policë spiunë për llogari të kriminelëve! Kjo gjë duhet të marrë fund urgjentisht!

6. BASHKËPUNIMI ME PROKURORË DHE GJYKATËS

Është një trekëndësh që gjithmonë ka patur problemin që policia i arreston, prokuroria dhe gjykata i liron. Por është e pashmangshme. Si është ky bashkëpunim aktualisht? Përgjigjja e kësaj pyetjeje, do ishte një fakt i fortë për të vërtetuar se si ishte situata kriminale. Derisa shumë ngjarje të rënda, nuk janë zbardhur ende, do të thotë se, Policia që në fillim të hetimeve dhe më pas prokuroria e cila drejton këto hetime, nuk ka siguruar prova të mjaftueshme për personat e dyshuar si autorë. Prandaj, bashkëpunimi me prokurorinë dhe gjykatën, është në interes të zbardhjes së çështjeve, sidomos të atyre që kanë ndjeshmëri të lartë dhe interesi i publikut kërkon ndërhyrje të menjëhershme.

7. HAPJA E POLICISË ME MEDIAN

Në këto 28 vjet, policia ka patur një aleat të përhershëm, pavarësisht pozicioneve politike. Media edhe pse e pozicionuar qartë në kahe politike, në të shumtën e rasteve e ka mbështetur Policinë. Në një farë mënyre, Policia ka qenë më e hapur me median. Por në 2 vitet e fundit të qeverisjes së Berishës dhe në 5 vitet e qeverisë Rama, ka një mbyllje të Policisë ndaj medias. Afërmendsh, ministrat që kanë qenë në detyrë në këto vite, do rrudhin buzët me këtë, por kam një fakt shumë domethënës dhe kokëfortë. U krijua një traditë e mirë me analizat vjetore të Policisë, në të cilat merrnin pjesë edhe mediat. Por tashmë, ose ato janë pa praninë e medias, ose bëhen fshehtas saj. Për të mos folur më pas për mungesën e zërit të titullarëve të Policisë. Në 7 vitet e fundit, intervistat e drejtuesve të Policisë së shtetit, numërohen me gishtat e dorës, për të mos thënë se për ndonjë drejtues është zero. Pra, praktika aq e mirë, kur drejtorë policie deri në qarqe, jepnin konferenca shtypi dhe intervista, ka arritur në pikën ku drejtorët nuk flasin, janë pa zë dhe figurë. Nuk ma do fare mendja dhe nuk e besoj kurrë, që titullarët nuk kanë kapacitete artikuluese, siç duan ta sqarojnë këtë situatë spin doctor-at e qeverisë. Personalisht, mendoj që ai drejtues policie që nuk di të flasë për mediat, nuk e bën mirë punët e drejtuesit të Policisë. Komunikimi me komunitetin dhe median, është një nga elementet që përbëjnë figurën madhore të një drejtuesi. Nga përvoja ime në SHBA, një drejtues policie fliste për median edhe më shumë se një politikan. Ndërsa këtu, një drejtues policie është kthyer në memec, sepse në emër të tij flasin spin doctor-at. Kjo ka vetëm një arsye: Informacioni dhe komentet rreth tij, janë të përqendruara deri në kupolën qeverisëse.

8. POLICIMI NË KOMUNITET

Ishte një traditë që ministri aktual, Fatmir Xhafaj, e ktheu pak muaj më parë dhe ishte si një sihariq. Policia nuk është repart ushtarak që është e përqendruar në kazermë, por është një organizatë që bazën e punës së saj e ka në terren dhe bashkëpunimi me  qytetarët është një hallkë e rëndësishme në punën e saj. Por nga kjo rinisje, tashmë duket se po shkojmë në një situatë përsëri të mbyllur. A keni parë këto kohë ndonjë takim të gjerë në Tiranë, të policisë me komunitetin? A ka ndonjë takim mes inspektorëve dhe qytetarëve të zonës, që i është caktuar? Nëse do kishte, padyshim që do ishin në të mirë të punës. Por fatkeqësisht, nuk ka!

9. E KENI PARË GJË INSPEKTORIN E ZONËS?

Nuk e di se cili është inspektori i zonës ku unë banoj prej më shumë se 12 vjetësh. As e kam kërkuar ndonjëherë, por as ai nuk më ka dhënë të njohur. Jam i bindur që, si unë në Tiranën me 1 milion banorë, ka shumë që nuk e njohin inspektorin e policisë së zonës. Epo, le ta themi troç! Kjo nuk është shenjë fare e mirë. Një inspektor zone vlen më shumë se sa qindra agjentë, informatorë, oficerë policie gjyqësore, prokurorë e gjykatës së bashku. Përse? Ai dhe vetëm ai, është njeriu i cili me informacionet dhe njohjet që ka, është pika kryesore e asaj që ndodh në atë zonë. Nëse forcohet puna e inspektorit të një zone banimi të caktuar, aty do ketë më shumë informacion, se kush janë personat problematikë, kush mban armë pa leje, kush është dhunues në familje, kush është i forti i lagjes që bën sherre dhe kush është njeriu që ka premisa për të kryer ngjarje kriminale. Sot, gjendja e inspektorëve pothuajse është inekzistente. Disa prej tyre, ose kanë më shumë se një dekadë dhe dalin shokë dhe miq me gjysmën e banorëve, duke i toleruar për gjithçka që bëjnë, ose zonën që mbulojnë e kanë jashtë kontrollit, edhe për shkak të korrupsionit 1 mijë lekësh, që marrin për të mbyllur sytë. Por duhet theksuar se, baza e punës së policisë, nis pikërisht tek inspektori. Database i tij është thesar i çmuar për policinë kriminale dhe kjo ndihmon jo vetëm në zbulimin e krimeve, por edhe parandalimin e tyre.

10. ADMINISTRATORËT E PALLATEVE DHE POLICIA

Krahas punës së inspektorit, administratorët e pallateve është një nismë e bashkisë për tu përshëndetur. Por, a ka një bashkëpunim me policisë dhe administratorëve të pallateve? Duhet thënë se, aktualisht, perceptimi është se më shumë ka tendencë që administratori i pallatit të mbetet vetëm për pastrimin e shkallëve dhe sa për punët e tjera, nuk i përkasin atij. Por nëse do ketë një punë bashkëpunuese deri detyrim ligjor, padyshim që shtetit i bie të jetë në çdo qelizë, deri pranë derës së qytetarit. Nëse policia do kërkojë informacion për dikë, qoftë edhe ata që lëvizin shpesh me qira dhe bëhen problematikë jo vetëm për hedhjen e plehrave nga dritarja e apartamentit ku banojnë, administratorët e pallateve do kishin informacion të mjaftueshëm për problematikët e krimit. Këtu futet sidomos dhuna në familje, por edhe persona të përfshirë në krime, përdoruesit dhe deri trafikantët e drogës. /AFP/

SHKARKO APP