Kritikë për kritikët e Blushit
Andi Bushati.
Tashmë e di, e kam dëgjuar nga kritikët e tij se bën Blushi është një bukëshkalë. E di se është një socialist që po i fut Ramës thikën pas shpine në prag të zgjedhjeve lokale. E di gjithashtu se është një politikan i mërzitur se nuk i dhanë post. E di se i ka lënë në mes të rrugës shokët e tij të lëvizjes për mendim ndryshe. Po, po, i di të gjitha këto. Di gjithashtu, kritikët e tij nuk lenë rast pa e përmendur, se shpenzon kohën e deputetit për të shkruar libra. Se përdor kompjuterin përpara se të përdorë patllken (e domosdoshme për të bërë një vend të respektuar në parlament). Se ka qenë dyshues dhe më parë ndaj kryeministrave Nano dhe Majko duke u sjellë njësoj si me Ramën në opozitë ashtu edhe me Ramën në pushtet, pra shkurt një kritizer i pandreqshëm. E di, po na e thonë, se është një ambicioz i shfrenuar, një megaloman që nuk i përfill homologët e tij deputetë, një teoricien që sulmon nga kulla e tij e vetmisë, pa dhënë asnjë zgjidhje për problemet që ngre.
Prej më shumë se një jave i kam dëgjuar të gjitha këto nga kritikët e Blushit. Dhe duke i ridëgjuar, menjëherë më ka lindur një dyshim. Përse të gjithë këta rrëmojnë në të shkuarën e Benit, madje deri në kohën kur ai qe personazhi i atij librit të famshëm për fëmijë, pse merren me karakterin, letërsinë, ambicjen dhe psikologjinë e tij? Dhe përgjigjja është e thjeshtë: sepse nuk kanë këllqe të meren me kryeministrin Rama. Dihet tashmë se prej kohësh Blushi po kritikon qeverisjen dy vjecare. Ai ka shpallur dështimin e Ramës dhe funeralin e Rilindjes. Pra në këtë binom, Rama- Blushi, kushdo që do të ishte i intersuar të kuptonte, kushdo që do të nisej nga interesi publik, po të vinte kritere personale gjykimi, (do pikturën apo letërsinë, është ambicioz apo jo, inferior apo më pak i tillë, autokrat apo e kundërta e saj, ankthioz apo i hapur ndaj njerzve me personalitet) sipas tyre kritereve do të mundohej të gjykonte kryeministrin. Nëse këto elemente ata i quajnë të rëndësishme për një analizë, me anë të tyre ata duhej të na shpjegonin Ramën. Në një farë mënyre janë vendimet e tij që kanë në dorë fatet e qindramijra shqiptarëve.
Përpara se të flisnin për Blushin që lë shokët në baltë, ata duhet të kujtoheshin se Rama ka tradhëtuar plot tre kryeministra për të bërë përpara duke shkelur mbi kufomat e tyre politike. Përpara se të përmendnin ambicen e Blushit, ata duhej të kuptonin se si ka mundësi që Rama nuk qeveris dot së bashku me personalitete të forta. Përpara se të denonconin se të gjithën këtë Blushi e bën për pushtet, ata duhet të mbanin mend se Rama s’ka ditur njëherë të japë dorëheqje.
Përpara se të merakoseshin se përse Blushi nuk bën ligje po bën letërsi, ata duhet të shqetësoheshin se përse kryeministri që nuk di të bëjë politika e shpenzon kohën duke vizatuar vetë sheshet e lokaliteteve dhe vendosur për pemët që do të mbillen anash rrugëve.
Krahasime të tilla mund të sillen pa fund, por këto janë të mjafta për të demaskuar strategjinë perfide të kritikëve të Blushit. Ajo konsiston në një truk të njohur: Kur ske ci bën idesë atëherë merru me mbartësin e saj. Dhe në fakt e gjithë vijësjellja e kritikëve të Blushit ka qenë e tillë: të shmangim debatin real për ato që ai thotë?
A ka dështuar Rilindja? A premtoi vende pune, ulje të çmimit të energjisë, ulje të çmimit të naftës dhe dështoi?
A ishte kundër rritjes së borxhit dhe e shtoi?
A ka bërë gjë për ngushtimin e diferencave sociale dhe për të luftuar varfërinë?
A po bëhet PS-ja një parti e mbyllur ku vendimet i merr një njeri i vetëm?
Këto sëbashku me 127 pikpyetjet që Blushi ka shtruar në shkrimin e kësaj fillim jave janë esenca e debatit të sotëm publik brenda të majtës. Ndaj gjithkush që kërkon të marrë pjesë në të do të qe i sinqertë, nëse fliste hapur se ku Blushi ka të drejtë, apo qoftë edhe se ku Blushi nuk thotë të vërtetën apo gënjen? Ky po që do të qe një debat real. Ndërsa çdo përpjekje tjetër për të mos u marrë me pikpyetjet por me mbartësin e tyre është një fallcifikim. Një fallcifikim që shumë nga kritikët e Bliushit e bëjnë në emër të mbrojtjes së Ramës, duke harruar se në këtë mënyrë i bëjnë dëmin më të madh: krijojnë përshtypjen se ai vërtet s’ka argument ndaj kritikave.