Kriza morale në Shqipëri…

 

Nga Bedri Çoku

Në asnjë vend të botës dhe në asnjë periudhë të historisë njerëzore nuk ka ndodhur që një popull të mos e ketë dënuar të kaluarën e tij, e cila i ka shkaktuar fatkeqësi dhe përçarje kombëtare dhe të mos e ketë lavdëruar historinë e vet, kur ka bërë një hop nga një epokë e prapambetur në një tjetër më të zhvilluar. Dhe është më se e natyrshme të ndodh kështu, kur ai, populli, është i ndërgjegjshëm që, si një trup i vetëm, duhet të kapërcej rreziqet dhe kohërat e vështira të luftërave e të fatkeqësive natyrore. Por edhe t’i gëzojë etapat e një zhvillimi e të një begatie mbarëkombëtare. Ndërsa tek ne kjo histori është ndërprerë qysh kur në vendin tonë hyri me dinakëri dhe përdhunshëm ideologjia më famëkeqe e njerëzimit, diktatura e proletariatit, e cila, duke qenë antikombëtare dhe antishqiptare nga vetë origjina  prej nga erdhi, pikë së pari, vrau dhe eliminoi inteligjencien e kultivuar në vendet perëndimore, për hir të dashurisë për internacionalizmin proletar, shkatërroi çdo ndjenjë atdhetarizmi, duke vrarë e burgosur patriotët apo duke shpallur tradhtarë gati të gjithë poetët dhe shkrimtarët e rilindjes kombëtare, që patën frymëzuar atdhedashurinë dhe dashurinë e shkronjave shqipe. Ndodhi kështu kur Shqipëria u rrethua me tela gjembaç dhe roje të armatosur gjatë tërë kufirit, të cilët qëllonin pa mëshirë cilindo që do tentonte të largohej nga atdheu prej dhunës dhe terrorit komunist, apo për t’i shpëtuar luftës famëkeqe klasore, e cila, nga ashpërsia me të cilën zbatohej, i ndau shqiptarët të armiqësuar deri në atë shkallë, sa babai mohonte të birin, gruaja – burrin, motra – vëllanë, kushëriri-kushëririn, deri në disa breza me radhë. Ashtu siç ndodh në të gjitha rastet e një epidemie, e cila me forcën e saj të lig shkatërron e bënë kërdinë në organizmat frymorë, ku çdonjëri, me këtë rast, përpiqet të mbijetojë edhe duke shkelur mbi kufomat e të afërmve të tij. Jemi të ndërgjegjshëm se, gjysma e dytë e shekullit të  kaluar në Shqipëri, ose periudha e vetizolimit të Shqipërisë prej udhëheqësve të  sistemit komunist, ishte koha që solli denigrimin moral dhe ekonomik të popullit tonë. Pra, mund të konsiderohet periudha më “kanceroze” e historisë së popullit shqiptar. Në fazën e shpërthimit të mureve izolues, të rrëzimit të sistemit monopartiak, kjo “sëmundje lënguese” mund të ishte përmirësuar gradualisht, nëse shtetarët, që e morën përsipër këtë situatë të re, do ta kishin zbatuar pa hile terapinë intensive e të domosdoshme, të përmirësimit fizik e moral të kësaj plage vdekjeprurëse. Por ama, mundësisht udhëheqësit e qeverive pluraliste, të mos ishin të shënjuar vetë nga virusi i helmatisur i diktaturës së proletariatit. Kusht, ky, absolutisht i domosdoshëm edhe për ata që e kishin sjellë dhe përhapur këtë sëmundje me dëshirë të madhe ose me përdhunë në popull. Me patjetër që këta duhet të ishin ndëshkuar ashpërsisht, ose më e pakta të ishin izoluar si njerëz me rrezikshmëri të madhe shoqërore e kombëtare. Fatkeqësisht këto gjëra nuk ndodhën në Shqipëri. Ne jemi sot këtu ku jemi. Moralisht “kancerozë” dhe me precedentin për të infektuar edhe brezat e lindur e që do të lindin pas nesh me virusin e ideologjisë kanceroze-komuniste. Do të ishte ligësi apo mungesë e theksuar morale nëse dënimin e kësaj epoke dhe përligjjen e njerëzve në postet onorifike e vendimmarrëse për vendin, dikur përgjegjës të fatkeqësive, do të “sajdiseshin” ende si të tillë, duke sajuar për të mbrojtur këtë stato quo me lloj-lloj hamendësime banale dhe djallëzore, me gjasë se paskan ikur vitet historike të këtyre veprimeve, apo se dokumentet arkivore që vërtetojnë përgjegjësitë e tyre janë zhdukur, e ku ta di unë, vetëm e vetëm që kjo “luftë” morale të mos realizohet kurrë në Shqipëri. Arsyeja është e thjeshtë. Të gjitha ata që pengojnë pastrimin moral të shqiptarëve dhe prosperitetin e vendit,janë vetë ata, të pamoralshmit, të liqtë e këtij kombi, ngase, me këtë rast, me pastrimin moral të historisë balanca do të kalonte me patjetër në anën e patriotëve të ndershëm dhe antikomunistëve.

E mora këtë shtysë për të hedhur këto mendime në letër, nga një rast i thjeshtë në dukje, por me domethënie të madhe në emisioni i mëngjesit News 24, të cilin e drejton Bashkim Hoxha, një gazetar tashmë i respektuar në popull, kur dëgjova një vajzë të re, e cila u prezantua sikur fliste nga një qytet i Veriut. Ajo ankohej për qeverisjen aktuale, për gjendjen e keqe ekonomike, për papunësinë dhe largimin e njerëzve nga vatani, si pasojë e fatkeqësive të ndodhura në vitet e mëparshëm, psh., fatkeqësia e “Gërdecit”, e “ 21janarit”… Gati mallkonte edhe rrugën e famshme Durrës- Kukës, ndërtimi i së cilës, sipas saj, e kishte varfëruar popullin shqiptar, ngaqë pushtetarët, për ndërtimin e saj kishin vjedhur miliona euro nga taksat e popullit. Madje,madje, idenë e parë për këtë rrugë, thoshte ajo, meritën e kishte xhaxhi Enver, siç ia kishte rrëfyer i ati, ku udhëheqësi i madh i popullit tonë, e kishte përmendur i pari ndërtimin rrugës Durrës – Kukës, në një nga librat e tij të shumtë , si një vepër strategjike e shpëtimtare për Shqipërinë, por, edhe si një faktor të rëndësishëm, sidomos për t’u bashkuar me Kosovën dhe. me Evropën…(!?)

 Vini re virusin e ideologjisë komuniste, i cili i ka pushtuar të rinjtë e sotëm pse ata nuk e kanë njohur atë kohë të zymtë e të trishtuar, por as u ka treguar njeri për të vërtetat e asaj kohe. Me të drejtë ata do ta përfytyrojnë sipas rrëfimeve të prindërve apo gjyshërve të tyre, “idealistë” të marrosur për të zbatuar diktaturën e proletariatit dhe mësimet e çmuara të diktatorit Enver Hoxha.

 

 Nuk ka rëndësi nëse thuhet sot se në Shqipëri s’ka më komunistë me tesere në xhep. s’ka më parti komuniste të tipit Enver Hoxha, s’ka më kooperativa bujqësore, kampe internimesh, burgje politike…Por, për deri sa kjo e kaluar e keqe komuniste nuk është dënuar e ndëshkuar ende moralisht e fizikisht, edhe pse parlamenti ynë e ka votuar për ta bërë një gjë të tillë, në kuadër të rezolutës evropiane, me të drejtë çdo njeri mund të thotë se zhvillimet dhe mos zhvillimet e deri tanishme janë pa droje rezultat i mentalitetit komunist. Nëse nuk do të kishte vërtet veprime dhe mos veprime të kësaj natyre, të ideologjizuara, apo njerëz të indoktrinuar, që drejtojnë shtetin shqiptar në pozicionet të rëndësishme qeverisëse, vëlla i dashur, pronat e pronarëve të ligjshëm, sot, në mënyrë të padiskutueshme, duhet të gjendeshin patjetër të hipotekuara në emrin e tyre. Ky si veprim i parë do të ishte kuptimplotë, antikomunist. Së dyti, duhet të ishin dënuar, të paktën moralisht, qysh në vitet e para të pluralizmit, Partia e Punës së Shqipërisë me anëtarët e saj të Byrosë Politike dhe Komitetin Qendror të sajin e të rinisë, në ushtrimin dhe zbatimin të ideologjisë së diktaturës komuniste, si shkaktarë të drejtpërdrejt të krimeve dhe grabitjeve çnjerëzore ndaj bashkëkombësve të vet… Duhet të ishin rehabilituar viktimat e diktaturës, në mënyrë që ata sot të mos vuanin për bukën e gojës apo të banonin ende nëpër kasollet, ku i kishte detyruar të jetonin njerëzit përgjegjës të internimeve. Vetëm në këtë mënyrë mendja dhe shpirti i shqiptarëve do të kishin marrë “bombardimet” e para “antikomuniste” dhe, padyshim mundësia e përsëritjes së kësaj flame antikombëtare, do të ishte zvogëluar në maksimum. Shteti dhe shoqëria e jonë postkomuniste padyshim që do të ishin të vendosur në shinat e një të ardhme evropiane dhe morali i shqiptarëve nuk do të ishte ky që është sot, peng i një padrejtësie të madhe historike, por fatkeqësisht, peng edhe i një arrogance të re vrastare shtetërore, e cila nuk të skllavëron më me diktaturën famëkeqe të shtetit komunist, por me diktaturën e një grupi të caktuar njerëzish që nuk përfaqësojnë asgjë të sotme e të ardhme për shqiptarët. Sepse ata janë pasuruar në mënyrë abuzive e kriminale…

 Përveç atyre që e mendojnë të kapërcyer kohën e ndëshkimeve për gjenocidin komunist në Shqipëri, (Ka qenë dhe është pikërisht ky qëllimi kryesor i komunistëve, për t’i shpëtuar ndëshkimit moral e fizik), fatkeqësisht ka dhe bashkëvuajtës nga ai gjenocidi i shkaktuar prej luftës së klasave që s’í kanë gjetur ende eshtrat e të afërme të tyre të pushkatuar apo të mbytur me litar përrenjve e  humnerave, të cilët nuk kërkojnë më drejtësi dhe ndjesën e kriminelëve të djeshëm, përkundrazi, të pasuruar në një farë mënyre, ose të larguar përgjithmonë nga Shqipëria, ata shprehen se e kaluara për ta ka marrë fund tashmë, se nuk u intereson më asgjë veç së tashmes e së ardhmes. Për historinë dyzetë e pesë vjeçare të diktaturës komuniste , ata thonë : “ Të shkuara e të harruara ! “. Kjo është kriza më e madhe morale që ka pllakosur një pjesë të mirë të shqiptarëve në këtë tranzicion të tej zgjatur. Pikërisht në këtë krizë morale të vendit, drejtues partish e të shtetit që e drejtojnë vendin ende me direktivat dhe mentalitetin e asaj kohe, si Gjinushi me shokë, vazhdojnë të këmbëngulin për të drejtuar ata partitë shqiptare dhe sistemin e ri , pa u skuqur fare, madje edhe me portretin e Enver Hoxhës para syve. Madje bëjnë kualicione hapur fare dhe me anëtarët e Partisë së Punës së Shqipërisë., udhëheqësi shpirtërore i të cilëve vazhdon të jetë ende diktatori Enver Hoxha. Ata shprehen krenarisht se janë të gatshëm për t’ia thyer hundët popullit përsëri, po qe se ai ua rrezikon pushtetin dhe pasuritë e vendosura padrejtësisht me moton : “ Pushteti buron nga pushka dhe mbrohet vetëm me pushkë !”

Përpjekjet e herë pas hershme për të ringritur Sigurimin e Shtetit, ndoshta jo më si në kohën e paraardhësve, por me forma më të stërholluara për të zhvilluar luftën e klasës dhe eliminimin e kundërshtarëve politikë, ka qenë, është e do të jetë një nga qëllimet kryesore të pushtetarëve të tranzicionin tonë  të dhimbshëm. Kujtoni vetëm ikjet masive nga Shqipëria, menjëherë sapo humbi Qeveria demokratike më 1997, të kërcënuar nga bandat e krijuara me ish agjentët e Sigurimit të Shtetit për të rimarrë pushtetin me dhunë…Kujtoni “turrën” drejt bankave dhe pasurisë kombëtare të njerëzve që drejtoheshin nga fijet e mistershme të politikanëve të brendshëm e agjenturave të huaja në vrasje rivalësh ekonomik e politik…..Kujtoni vjedhjet masive dhe vrasjet politike para kutive të votimit për marrjen apo mbajtjen e pushtetit me anë të numërimeve fiktivë…Kujtoni Shqipërinë xhungël gjatë këtyre viteve të tranzicionit, ku më i forti e më i pacipi është bërë më i pasur e më i mbështetur politikisht  nga mediet e shumta…

Këtë gjendje, pak a shumë mbërriti Italia përtej Adriatikut tonë para vitit 1975, e sunduar nga kthetrat e mafies siciliane. Partia komuniste italiane e asaj kohe ishte gati të merrte pushtetin politik, pasi ekonomikisht e kishte pushtuar Italinë qyshkur. Por ishte fjalimi i jashtëzakonshëm i Kisingerit para popullit italian, diplomatit të famshëm amerikan dhe Sekretarit të Shtetit Amerikan që e shkundi nga frika e terrori popullin e mrekullueshëm të atij vendi, që Italia, në zgjedhjet elektorale të mos binte në duart e komunistëve, alias, Mafies. Qeveria e re, jo komuniste,e zgjedhur nga votat elektorale, më 1975, i kërkoi urgjentisht parlamentit italianë të thërriste për ndihmë FBI-në amerikane, për të shkatërruar mafiozët e vendit të vet. Ndonëse për dy javë kjo kërkesë u kundërshtua me forcë nga deputetët e së majtës, gjithsesi, forcat progresive në Itali fituan dhe FBI-ja mori të drejtën e ndërhyrjes për të ndihmuar shtetin italian, që, së bashku me agjentët vendas, të godisnin lidhjet mafioze dhe forcat regresive për t’i hapur rrugën përparimit dhe zhvillimit të demokracisë së vërtetë…

 Le të shpresojmë se dhe në Shqipëri do të fitojë dëshira e vërtetë e shqiptarëve: Miqësia me SHBA-në, vendosja e Shtetit Ligjor dhe Drejtësia e nëpërkëmbur për mbi 70  vjet në vendin e bukur të shqipeve…

SHKARKO APP