Kryeministri duhet të bëjë “shoping” të ri pas humbjes së Metës

Nga Artur Zheji

Rama kryeministër, është gjithmonë në kërkim të blerjeve të reja. Me një çantë në shpinë, atij i duhet të bëjë pazar ose shoping si thuhet sot, në rradhën e qerratallarëve të politikës, opinionbërësve dhe andej këtej nëpër kallamishtet ku rrinë krokodilët e pjesës gri të shoqërisë.

E ka humbur Metën, dhe me sa duket përgjithmonë kësaj rradhe, sepse Meta, ja ka lënë stafetën e partisë Kryemadhit dhe Kryemadhi e ka çuar gazin deri në fund kundër Ramës. Kur e humbi sëpari Metën, Kryeministri ishte në flirt të plotë me Bashën dhe ndryshe nga çpritej, kishte një superplan: Meta andej dhe Basha këtej.

Më 25 Qershorin tashmë të largët, me Bashën në krah, iluzion apo realitet, enigma ka mbetur ende e pazgjidhur, Rama, ndonëse nuk fitoi, dërgoi në humbje kundërshtarët e vet.

Dhe mbeti një fitimtar pa fitore në kolltukun e vet kryeministror, si Pasha Rama, buldozer elektoral dhe një intrigant politik i paparë. Dikur nxënës, sot profesor i ish mësuesve të vet, që u mbetet veç të habiten me ish nxënësin e tyre, sot Mjeshtër i Madh i punës së palodhur, herë prej urithi, herë prej aktori brilant, herë prej regjizori spektakli, herë prej piktori dhe herë prej shpikësi.
Një nga shpikjet më të mëdha është padyshim auto-opozitarizmi. Pra edhe në pushtet edhe në opozitë me pushtetin e vet, duke shplarë mjeshtërisht trutë e guakëve dhe budallenjve të shumtë që e rrethojnë…

Përçarja e Partisë Demokratike, përçarje dhe çarje që nuk mbulohet dot me sulmet e dëshpëruara të Bashës në Kuvend, punon vetvetiu përsëri për Ramën, i cili herë radikalizon replikat me Bashën, herë e përkëdhel dhe e lajkaton, herë i hedh helm Berishës dhe herë Flamur Nokës.

Mirëpo situate politike është kurdoherë e paqëndrueshme dhe Rama e di mirë këtë. Kryemadhi po ja rrëmben Bashën para syve, me radikalizmin e saj shembullor.

Se ajo, surpriza politike e kësaj periudhe të mjergullt, po e shtrëngon PD-në të zbresë në fushë-betejë, përndryshe dyshimet e marrëveshjes së fshehtë Luli&Edi, nuk do të zhduken kurrë.

“Kjo dreq Monike, po ja acaron nervat kryeministrit, sepse po ja heq Lulin nga duart!” më thotë një koleg prosocialist plot humor.
Kështuqë Ramës i duhet një shoping i ri.

I duhen blerje të reja si i thonë këto kohë, por pazari politik është varfëruar shumë, andaj thonë se për të shpikur gënjeshtra të reja politike, ka mbledhur këshilltarët në përpjekje për të sajuar ndonjë parti të re, ku do të emërojë ndonjë nga çunat e rinj besnikë. Mundësisht që të ketë edhe universitet privat.

360grade.al

SHKARKO APP