“Kthesa politike në Kosovë: Fitorja historike e Vetëvendosjes dhe sfidat e së ardhmes”

Nga Marjana Doda

Më 28 dhjetor 2025, qytetarët e Kosovës folën qartë. Ata votuan për sovranitet, stabilitet dhe një vizion të vendosur politik. Zgjedhjet parlamentare të jashtëzakonshme shënuan fundin e një ngërçi njëvjeçar që kishte paralizuar institucionet, duke prodhuar polarizim të thellë politik dhe duke e ekspozuar vendin ndaj presionit të vazhdueshëm ndërkombëtar. Lëvizja Vetëvendosje (LVV), e udhëhequr nga Albin Kurti, doli fituese absolute, me mbi 50% të votave dhe 56 mandate në Kuvend.

Kjo fitore përfaqëson një moment historik për Kosovën, duke krijuar kushtet për stabilitet institucional dhe një drejtim të qartë politik në vitet e ardhshme. Pas një viti tensioni, bllokimi institucional dhe krize qeverisëse, zgjedhjet e 28 dhjetorit shënojnë konsolidimin më të madh elektoral të LVV-së dhe të vetë Kurtit.

Swiss Digital Desktop Reklama

Përtej kësaj, viti 2025 do të mbahet mend si një nga vitet më intensive politike në Kosovë. Albin Kurti ishte figura qendrore e këtij cikli të gjatë politik dhe elektoral. Ai e nisi vitin me fitore në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit dhe e përmbylli atë me një mbështetje pothuajse plebishitare. Megjithatë, fitorja e parë e tij nuk u shoqërua menjëherë me formimin e qeverisë, çka solli një krizë të zgjatur, paralizim institucional dhe kosto të dukshme ekonomike e sociale.

Swiss Digital Mobile Reklama

Por padiskutim zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit do të lehtësojnë formimin e qeverisë së tretë të Albin Kurtit duke i dhanë fund këtij ngërçi që kishte dëmtuar interesat qytetare dhe kredibilitetin institucional të vendit. Pavarësisht fushatave të ashpra politike, rolit shpesh polarizues të mediave dhe përfshirjes së faktorëve ndërkombëtarë në diskursin e brendshëm, qytetarët shprehën një vullnet të qartë, sovrani vendosi dhe ky vendim duhet të respektohet.

Mandati i tretë i Kurtit nuk është vetëm vazhdimësi qeverisëse, por një test i rëndësishëm politik. Ai duhet të dëshmojë se një qasje e fortë ndaj sfidave rajonale dhe presionit të jashtëm mund të kombinohet me zhvillim të brendshëm, funksionim institucional dhe marrëdhënie të balancuara ndërkombëtare. Ky mandat dërgon gjithashtu një mesazh të qartë për partnerët ndërkombëtarë, stabiliteti afatgjatë nuk mund të ndërtohet duke anashkaluar demokracinë, por vetëm duke respektuar vullnetin e qytetarëve.

Ndonëse fitorja absolute e Vetëvendosjes krijon kushtet për konstituimin e shpejtë të Kuvendit dhe formimin e qeverisë, stabiliteti afatgjatë kërkon më shumë sesa shumicë parlamentare. Ai kërkon bashkëpunim me opozitën për çështje të interesit kombëtar, përfshirë ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, dialogun me Serbinë dhe përdorimin efektiv të fondeve evropiane.

Në këtë drejtim, reagimi i opozitës ishte domethënës. Deklarata e Lumir Abdixhikut, i cili pranoi humbjen, uroi fituesin dhe shprehu gatishmëri për të marrë përgjegjësi personale, përbën një shembull pjekurie politike. Një pranim i tillë i shpejtë i disfatës është i pazakontë dhe tregon një nivel të avancuar të kulturës demokratike.

Edhe deklarata e parë e Albin Kurtit pas zgjedhjeve sinjalizoi një qasje më të matur. Ai shmangu retoriken euforike dhe ftoi kundërshtarët në bashkëpunim për çështje të rëndësishme shtetërore. Kjo qasje reflekton pjekuri politike dhe një angazhim të qartë për konsolidim institucional dhe reduktim të polarizimit politik.

Një dimension i rëndësishëm i kësaj fitoreje është përplasja e drejtpërdrejtë me një zinxhir të gjerë politiko-mediatik dhe politiko-diplomatik kundër Albin Kurtit. Për një vit të tërë, u zhvillua një fushatë intensive demonizuese ndaj tij, duke e paraqitur si figurë destabilizuese.

Shënjestrimi i tij politik dhe shenjat e pakënaqësisë së qytetarëve ndaj makinacioneve të këtij zinxhiri politiko-mediatik, si dhe ndaj lobimeve ndërkombëtare, u bënë të dukshme që në vitin 2020, me rrëzimin e qeverisë së tij, për t’u fuqizuar edhe më tej në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021.

Edhe ndërkombëtarët e panë se Albin Kurti kishte përkrahje dhe mbështetje të popullit, ndonëse, për fat të keq, raportet dhe lobimet e partive politike jehonin në kancelaritë e ndryshme në Evropë dhe SHBA kundër emrit të vetëm: Albin Kurti. E pabesueshme mbeti fakti se ndërkohë që Kosova ishte në një ofensivë nga Beogradi në veri të vendit, në Banjske, opozita, në vend që të bashkëpunonte me Kurtin në mbrojtje të Kosovës, e la atë vetëm përballë makinerisë serbe.

Është e pafalshme që çdo akuzë kundër Kurtit, në fakt, ushqente oreksin serb. Një polic u vra në krye të detyrës, dhe që nga ajo kohë deri tani, në pika të ndryshme kufitare të Kosovës, si dhe në banesat e individëve të caktuar, janë gjetur arsenale të mëdha armësh, që tregojnë përgatitjen për akte të tjera terroriste në Kosovë, madje potencialisht edhe për luftë. Por opozita dështoi, dështoi në mbrojtjen e interesit më të lartë: mbrojtjen e Kosovës.

Albin Kurti u shënjestrua si fajtori, kur në të vërtetë gishti duhej drejtuar drejt Beogradit. Ndërkombëtarët, në vend që të qëndronin objektivë, e drejtuan gishti jo vetëm ndaj Kurtit, por edhe ndaj vetë Kosovës, duke e sanksionuar me masa që flasin më shumë për paaftësinë e mekanizmave evropianë sesa për ndershmërinë ndaj politikës dhe qeverisë së Kurtit.

Politizimi mediatik dhe efekti i fushatës antikurti në opinionin publik

Fitorja historike e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit Albin Kurti më 28 dhjetor 2025 mbart mesazhe të rëndësishme politike dhe mediatike, jo vetëm për Kosovën, por edhe si mësim për gjithë rajonin. Një nga aspektet më problematike të vitit të kaluar ishte roli i mediave dhe i një pjese të analistëve politikë. Gjatë gjithë vitit 2025 u zhvillua një fushatë intensive mediatike kundër Albin Kurtit. Ai u portretizua si figurë destabilizuese, nacionaliste ekstreme dhe madje u krahasua me Slobodan Millosheviçin, një krahasim thellësisht malinj, që synonte demonizimin politik dhe delegjitimimin e tij ndërkombëtar.

Por ky lloj diskursi nuk i shërben as gazetarisë profesionale dhe as debatit publik. Përkundrazi, ai e zhvendos vëmendjen nga politikat konkrete drejt sulmeve personale, duke krijuar një klimë të theksuar polarizimi që dëmton drejtpërdrejt cilësinë e demokracisë. Rezultati i zgjedhjeve tregoi qartë se kjo strategji dështoi. Përpjekjet për ta delegjitimuar Kurtin prodhuan efektin e kundërt, konsoliduan mbështetjen për Kurtin dhe Vetëvendosjen. Një bumerang politik klasik.

Ky është një mësim i rëndësishëm për median, gazetarët dhe analistët politikë, se kritika ndaj pushtetit është e domosdoshme dhe e shëndetshme, por ajo duhet të bazohet në fakte, analiza serioze dhe përgjegjësi profesionale, jo në narrativa të ndërtuara për interesa politike afatshkurtra. Kur gazetaria shndërrohet në instrument politik, humb jo vetëm besueshmërinë, por edhe rolin e saj themelor në një shoqëri demokratike. E pra, duhet theksuar se kjo fitore e Albin Kurtit përbën një shuplakë të fortë politike ndaj të gjithë atyre që, nën petkun e medias dhe të fjalës së lirë, e shfrytëzuan hapësirën publike për të goditur në mënyrë të koordinuar dhe të njëanshme një figurë politike.

Politizimi mediatik antikurti nuk ishte thjesht kritikë ndaj qeverisë, por një projekt i qëllimshëm propagandistik, i dizajnuar për të demonizuar personalisht Albin Kurtin dhe për të minuar legjitimitetin e tij politik, brenda dhe jashtë Kosovës. Ironikisht, sulmet e vazhdueshme vetëm e forcuan pozicionin e tij, duke e bërë një nga politikanët më të votuar në historinë e vendit, me afro gjysmë milioni vota.

Megjithatë, kjo fitore nuk duhet të çojë në glorifikim. Kurti nuk ka nevojë për mitizim politik. Kurti tashmë është një figurë e votuar nga qytetarët e Kosovës, dhe vendi duhet të përqendrohet në rikthimin e stabilitetit institucional dhe politik, për të hapur rrugën drejt zgjidhjes së sfidave të tjera që përballen qytetarët.

Ndaj them se kthesa e madhe në Kosovë, më 28 dhjetor, nuk shënoi vetëm përfundimin e një cikli politik të vjetër, por edhe të një establishmenti politiko-mediatik, i cili, duhet theksuar, ishte në një koordinim të frikshëm kundër një emri të përveçëm: Albin Kurtit.

Mandati i tretë dhe sfidat e së ardhmes

Mandati i tretë i Albin Kurtit është, pa dyshim, më i vështiri dhe më vendimtari. Pas certifikimit të rezultateve zgjedhore, Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje mbajnë një përgjegjësi historike. Sfidat për vitin 2026 janë të mëdha dhe komplekse: formimi i një qeverie funksionale, miratimi i buxhetit, normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, menaxhimi i rreziqeve të sigurisë dhe ruajtja e karakterit multietnik të shoqërisë kosovare.

Mandati i tretë i qeverisë Kurti përbën një test të qartë për kapacitetin e qeverisjes efektive dhe për aftësinë e bashkëpunimit konstruktiv ndërmjet forcave politike. Rezultati i zgjedhjeve është një tregues i rëndësishëm, si për qytetarët ashtu edhe për partnerët ndërkombëtarë, se zhvillimi, demokracia dhe stabiliteti i vendit varen nga respektimi i vullnetit qytetar, funksionimi i institucioneve dhe një bashkëpunim politik i përgjegjshëm.

Fitorja e Vetëvendosjes krijon një dinamikë të re politike, por konsolidimi i progresit kërkon një frymë bashkëpunimi dhe stabilitet institucional. Vetëm përmes koordinimit të qëndrueshëm dhe strategjive të përgjegjshme, Kosova mund të rikuperojë kohën e humbur gjatë krizës politike njëvjeçare dhe të përballet me sfidat e së ardhmes në mënyrë të qëndrueshme dhe demokratike.

Ky moment paraqet gjithashtu një mundësi për partnerët ndërkombëtarë që të mbështesin një vend i cili ka demonstruar aftësi për menaxhimin e proceseve demokratike edhe në kushte të vështira, duke theksuar rëndësinë e respektimit të parimeve demokratike dhe të vullnetit qytetar.

Në një botë gjithnjë e më të paqëndrueshme gjeopolitikisht, Kosova ka nevojë për institucione të forta, aleanca të gjera politike dhe koordinim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian. Rezultati i zgjedhjeve përbën një mundësi reale që partnerët ndërkombëtarë të mbështesin një Kosovë demokratike, stabile dhe sovrane.

Vetëm përmes bashkëpunimit të përgjegjshëm dhe një fryme stabilizuese, Kosova mund të rikuperojë kohën e humbur dhe të kapë ritmin e zhvillimeve rajonale dhe ndërkombëtare. Për këtë, tashmë nevojitet një bashkëpunim i të gjithë aktorëve politikë, por edhe mediatikë dhe diplomatikë, në emër të Kosovës dhe për Kosovën.

/Argumentum.al

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Si ishte viti 2025 për ju?