Kthim në identitet

Nga: Artan Lame

Në fillim ishin 12. Pastaj, kur në vitin 1961 na ndau politika, i ndamë me sovjetikët, 4 në e 8 ata. Katër tonat vazhduan t’i shërbejnë Atdheut për gati 40 vjet të tjerë. Pastaj erdhi fundi. Në fillim u ndalën, e pas vitit 1995, s’dolën më në det të hapur.

Më pas ju hoqën mirëmbajtjen e kujdesin. Në fund bëmë gjënë që dimë të bëjmë më mirë, i plaçkitëm në ’97-en.  Pas kësaj erdhi grykësia. Katedralet e detit, të kthyera në rrënoja, u nxorrën të shiten për skrap.

Njëra pas tjetrës, tre syresh u sharruan copë pas cope dhe të ngarkuara nëpër kamione, përfunduan në krematorët e skrapit. Kishte mbetur e fundmja syresh. Thjesht se ende dikush nuk kishte bërë pazarin e ditës së fundit. Një pirg llamarinash të ndryshkura, të plaçkitura dhe të lagura nga uji i kripur.

Pastaj mjaftoi veç pak vullnet dhe zemra dashurie. Boja, graso, vidat e telat, gjenden në dyqane, ndërsa dashuria jo. Grupi i ndryshkur i llamarinave u restaurua copëz pas copëze dhe u shnderrua serisht nje katedrale e detit. Kësaj copëze trashëgimie e së shkuarës sonë, i dhanë shansin e saj dhe mbijetoi. Shumë të tjerave nuk jua dhanë këtë shans. Dhe u zhduken e po na zhduken përgjithmonë. Nuk është çështje parash, është çështje dashurie.

Ps. Diku rreth vitit 2000 një prej oficerëve të vjetër te Pasha Limanit më solli ca dokumenta të kohës së vet dhe ndër të tjera edhe një prej ditarëve të bordit të njërës prej nëndetësëve. E kishte shpëtuar gjatë ditëve të marra të ’97-ës. Po e sjell këtë ditar, me premtimin ta dhuroj për t’a rikthyer në nëndetësen e vet, ku të vijojë sërisht të shënojë ditët e ngjarjet.

SHKARKO APP