Ku ia kalon Rama, Nolit dhe Konicës
Nga EDI LESI
Në të gjitha shakatë e bollshme që ka bërë Edi Rama, nga më të dendurat në fushatë e ato të përditshmet në qeverisje, të tipit; kemi rritje ekonomike, kemi shtim të vendeve të punës, kemi shëndetësi falas, ska drogë, kemi luftu krimin, e deri tek më epikja, kemi bërë shtet, në gjithë këtë buqetë të madhe gallate spikat ajo se ky barabitet në stil, retorikë e në mendim, është si të thuash rrotë më rrotë, me Nolin e Konicën.
Hulumtues të filologjisë dhe historisë kanë bërë kërkime serioze e kanë botuar volume për këto figura të spikatura, dhe do të ishte mungesë modestie të tentoje në një shkrim gazete për të nxjerrë përmasat e Nolit dhe Konicës, se të atilla janë, sa e nxjerrin këtë krahasimin e Ramës automatikisht në krye të gurrës së pandalshme të humorit të tij.
Megjithëse studiues të rinj të tipit Spiropali, që e kanë për zakon të hedhin poshtë teori të konsoliduara me një të rënë të lapsit, mund ta akuzojnë Ramën për modesti të tepruar në këtë rast, pasi sipas tyre, ky lider i ka lënë me kohë mbrapa Nolin e Konicën dhe është në bojën e Skënderbeut, prapë një shumicë e heshtur bie dakort se kryeministri me këtë shpallje i ka dhënë shakasë një dimension të pahasur më parë.
Zor se dikush mund ta dijë se si do silleshin Noli e Konica sot nëse do të ishin në krye të qeverisjes së vendit, c’dështime e gafa do konsumonin, po cdokujt, që i ka kënduar idetë dhe ka marrë pak nga iluminimi i tyre, mund tia rrokë mendja disa gjëra që ata nuk do ti bënin, për të parë kësisoj se sa të pangjashëm janë me Ramën, ose më saktë ku i kapërxen ai lehtazi ata dhe sqimën e tyre.
Noli dhe Konica vështirë se do të largonin Blushin e do mbanin Tërmet Pecin.
Nuk do ta shpallnin kampion shumëgarësh Tahirin.
E pabesueshme që të kishin model të qeverisjes vendore Rroshin, të eficencës në mjekësi Beqën, dhe zot të ekonomisë Ahmetajn.
Shihni cfarë ndodhi pak ditë më parë.
Edi Rama mbërrin në Laprakë. Eshtë një qendër shëndetësore e standardit të lartë, i thonë. Kamera kryeministrore vigjëlon mbi cdo detaj, që populli ta kuptojë drejt këtë mrekulli nga ekrani. Ministrja përsërit 5 herë të njëjtën gjë. Mungesë e theksuar fjalori. Një mamije shtiret sikur po djersin për të shërbyer, duhet për sfond. Drejtori kapsallit sytë nga arritja e madhe, dhe merr frymë thellë prej vizitorit të lartë. Një paciente është thirrur me ngut të jetë aty, njohje e personelit ose e gjetur regjistrave të partisë. Ska pasur kohë të vishet mirë. Udhëheqësi flet vetë në fund. Thotë se ka gjetur formulën magjike në këtë lëmë dhe melhemin e lëngatave. U kry kjo punë.
Noli dhe Konica s’do e kishin bërë dot.
Mund tu dukej patjetër spektakolar tërbimi i Vjosës dhe Osumit, po nuk do ta thonin këtë, nëse qindra familje janë përmbytur e dihasin të pastrehë mes baltës e dhenve. Këtë e bën Rama.
A do rrinin ata dreka e darka me njerëz të hurit e litarit, injorantë që skanë lexuar një libër, po dinë të lëvrijnë patllaken e të dorovisin drogën? Me gjasë jo. Edhe ky stil jete, i nxjerr ata të reduktuar faqe Ramës.
A do maskohej Noli apo Konica si babagjyshi i vitit të ri, e të shfaqej në ekran ashtu tebdil duke shtangur drejtuesit e emisionit që mezi mbajnë lotët, më shumë se Rita Ora jurinë e voice of Germany, në krye të një aksioni biblik për ndryshimin e jetës së një fëmije?
Ja edhe një gjë që i ndan ata përjetë nga Edi Rama.
E sigurtë është dhe kjo, pas blerjes masive të votave, ata s’do të mbanin afër studiues të tipit Spiropali, që do t’i shpallte publikisht me zë të cjerrë si skenderbenj.