Ku shqiptari Rama, gabon me serbin Vuçiç

Nga: Artur Zheji

Ish-milosheviçiani Vuçiç, tashmë një figurë e përkëdhelur e Perëndimit, është rrëfyer një qeveritar i zoti serb. Ai, sigurisht që ka më shumë “halle” të brendshme politike me radikalët e vet nacionalistë, por nacionalistët serbë, kanë filluar të kenë bindjen se ai, është në të vërtetë, po aq serbdashës sa edhe ata.

Serbia rrënjëthellë, punon në Ballkan si një organizëm vital, ku gjymtyrët janë të ndara dhe kanë punën e tyre të diferencuar, gjë që në Shqipëri dhe në Kosovë, kjo praktikë duket e largët. Më thjeshtë: Vuçiç, ka marrë përsipër të përfaqsojë fytyrën e re të Serbisë, së mbasluftës së Kosovës. Dhe me ndihmën e paçmuar të kryeministrit shqiptar, e ka kryer më së miri këtë lyerje të bukur të fasadës, me nuanca paqedashëse dhe bashkëpunuese, “dialogiste” dhe të “nurshme” në çiftimin ceremonial dhe jo vetëm, me Ramën.

Shqipëria zyrtare pra, i ka bërë zotit Vuçiç, një makiazh të mrekullueshëm, por me përfitime të ndryshme. “Flirti” me kryeserbin e Beogradit, e bëri shqiptarin Rama, të ngjiste shkallët në takime me kancelaren Merkel dhe të vizitonte Pallatin presidencial francez. Bukur deri këtu. Shqiptarëve u vjen mirë që edhe shqipua kryeministër viziton këto salla prestigjioze dhe shtrëngon ato duar, që shtrëngojnë telekomandën e Europës. Po përfitimi gjeoplitik? Asgjë e përfillshme, ndërkohë që përfitimi gjeopolitik i Vuçiç dhe i Serbisë, shumë herë më i madh, sepse falë kryeserbit dhe shqipos kryeministër, duket se lufta shfarosëse e Kosovës, është harruar dhe lënë pas krahëve, në një kohë tmerrsisht të shpejtë.

Serbia zyrtare ska kërkuar kurrë falje, as moralisht dhe as financiarisht. Mirëpo tani Vuçiç, me pamjen e pafashme prej djaloshi të zgjuar, kërkon të krijojë edhe “Tregun e përbashkët të Ballkanit Perëndimor”, ku xhirojnë rreth 40 miliard euro shkëmbime në vit dhe ku pjesën e luanit e ka pikërisht Serbia. Synimi është i qartë. Ekonomia e Kosovës është e dobët dhe mjerane, ekonomia e Shqipërisë po ashtu. Mirëpo nga ana tjetër shqiptarët janë një treg konsumi prej rreth 6.000.000 frymësh, një treg i lakmueshëm për industrinë serbe që nuk e çan dot lehtë Perëndimin me mallrat e saja ushqimore dhe industriale, por konkuron deri tash, si një minisuperfuqi tregëtare, pikërisht në Ballkanin Perëndimor. Falë edhe disa grupeve të biznesit në Prishtinë apo Tiranë.

Çmimet e ulta të mallrave bujqësore serbe, si edhe ato që vijnë nga Maqedonia, e lënë mollën dhe pataten korçare të kalbet dhe sjellin rrënim në bujqësinë shqiptare dhe shkaktojnë zbrazjen e madhe të fshatrave shqiptare. Shto këtu financimet mjerane shtetërore për bujqësinë. Nuk po flasim për industrinë shqiptare, se ajo pothuajse nuk egziston akoma. Kështuqë, përtej fjalëve dhe llustrave, na mbetet ekonomikisht, pak naftë, më së shumti e vjedhur, krom me shumicë, por pa peshë në ekonominë e përgjithshme, “kanabisi”, trafiqet, prostitucioni dhe plazhet e ngrohta të verës. Tipare tipike të vëndeve koloniale.

Me një klasë politike të pasur në para, pa identitet dhe të varfër në ide dhe projekte vend zhvilluese, e shitshme dhe e bleshme, për ambicie të luftës së brendshme për pushtet. Prandaj dhe serbi Vuçiç dhe për pasojë Serbia e tij e dashur, vijon të shihet në Ballkan si një forcë lokale lider, mbas Greqisë, kuptohet, me turizmin e saj të pakonkurueshëm.

Marrë nga /360grade.al/

SHKARKO APP