Kur ngopesh me lugë bosh…

Nga Ylli Manjani

Artur Zheji, në editorialin e tij me titull “Lufta politike, si ilaç për të luftuar depresionin ekonomik”, të para disa ditëve i ka rënë kokës! Aq e vërtetë është kjo gjë sa s’ka më asnjë fjalë për ti shtuar.

Reforma, drejtësia, vettingu, KLGJ, KLP, KED, PPP, ONM, ambasadorët, SHIK, DASH, maxhoranca e opozita, Kushtetuta, gjykatat, marrëveshja politike e pesticide të tilla dominojnë fjalorin publik. Asnjë fjalë e vetme për punësimin, taksat, investimet, tregjet, bankat, biznesin, varfërinë, projektet e zhvillimit! Asnjë!

Në vend të tyre dëgjojmë: Kulla, koncensione, blerje të çuditshme pasurish, inceneratorë e shuma parash që qarkullojnë në pak duar.

Flitet edhe për tepsi, kazan e legenë. Flitet edhe për bukën falas të shtetarëve, por jo për ushqimin e popullsisë! Ekonomia e vendit është në depresion! Pa asnjë dyshim. Nuk lëviz asgjë! Asnjë projekt serioz prodhues, asnjë investitor i huaj, asnjë tregëtar cilësor.

Puna është bërë një gjë e pa gjetshme. Shkolla nuk i hyn në punë askujt! Edhe ata që shkollohen jashtë e kthehen e kanë kot, se nuk i qas njeri! Krizë dhe e thellë madje! Shqiptarët ikin! Vetëm ikin, ku munden!

Depresion e shkuar depresionit. E kishte mbuluar disi hashashi këtë situatë, por tani që janë të detyruar ta mbyllin,nuk lëviz më asgjë! Vetëm vriten e çapalohen! Me silenciator ose me tritol, sipas sasisë së mllefit, vriten! Madje në zonën elektorale të Kryeministrit vriten më shumë! Kjo është pasoja e ekonomisë së hashashit! Fiks si në kohën e piramidave, kur filluan të bien!

Bankat nuk gjejnë thuasje asnjë projekt serioz për ta financuar. Kullat e larta nuk janë projekte serioze, përkundrazi të rrezikshme për tu financuar.

Nuk ka ku bëhet me keq! Ndaj qeveria ju hedh njerëzve politikë e skandale! Vetëm lugë bosh kërcasin… Dhe njerëzit …… i hanë!

Na bëftë mirë!

SHKARKO APP