Kush mund të bëjë një reformë arsimore të vërtetë?

Nga Ylli MANJANI

Pa dyshim jo më qeveria! Qeveritë tona janë të interesuar për vota dhe jo për edukim dhe shkollim. Kështu erdhën punët në këtë vend që çdo gjë jo politike bëhet e tillë. Mësuesi, drejtori, pedagogu e madje edhe Rektori e Akademiku shfaqen si njerëz “kujdeset” partia për ta. E pa precedentë është kjo sjellje, me thënë të drejtën! Mësuesi nuk ka asnjë lidhje me partitë. As partitë nuk kanë asnjë punë me shkollën dhe mësuesin. Por ja që kemi arritur aty ku s’ke më se nga ta kapësh.

Kryeministri anoçoi largimin e 300 drejtuesve të shkollave dhe një numëri të madh mësuesish gjithashtu. Po mirë, të gjitha i kuptoj, por si ka mundësi që ka filluar shkolla me këta mësues e drejtorë që u dashkan zëvendësuar?! Ku vajti gjithë ajo reformë?!

Mësuesi si profesion është investim afatgjatë i shoqërisë. Shteti kujdeset që Ai apo Ajo të përmirësohet e të përshtatet me nevojat e brezit të ri për dije. Por si mund të ndodhë kjo gjë kur sa fillon viti shkollor partia e heq nga puna?! Nuk ka system menaxhimi Publik apo privat, të suksesshëm që flak mësuesin në rrugë! Nuk ka!

Kthetrat politike në sistemin arsimor janë gjithandej e në çdo gjë. Librat, Kurrikulat, metodat e mësimit, politika e personelit e deri edhe pastrimi e mirembajtja janë politike. Ndaj mund të themi plotësisht se: autori i vërtetë i shkatërrimit të arsimit është POLITIZIMI.

Arsimi ka nevojë të de politizohet dhe të pavarësohet sa më shumë të jetë e mundur. Nuk janë vetëm Universitetet, që për mua duhet të jenë të pavarura (jo thjesht autonome), por i gjithë sistemi i shkollimit dhe i edukimit para universtitar.

Reformat që bën njëra parti përkundër partisë tjetër në qeverisje janë si të thuash “hiqja e Lenës e vërja Prenës”. Askush në politikë nuk ka këllqe të bëjë reforma afatgjata që lejojnë sistemin arsimor të funksionojë për kohë të gjatë. Burrat e pu-shtetit janë thjesht rob të votës!

Ndaj reformat duhen projektuar dhe duhen zbatuar ekskluzivisht nga akademike, profesore dhe përfaqësues të sipakur të menaxhimit. Jo nga ministra (megjithë respektin) e as nga qeveri. Qeveritë vetëm duhet të paguajnë kostot. Kaq. Tekstet, metodat, kurrikulat e madje edhe përgatitja profesionale e mesueve të jenë në dorë e tyre jo të qeverisë. Ajo qeveri që do të projektonte një skemë të tillë të reformës në arsim, do ta mbështesja pa asnjë rezervë! Nejse, Gëzuar edhe këtë vit të ri (por me mendësi të vjetra) shkollor!

*Ish-Ministër i Drejtësisë. Shënim: Ky shkrim është marrë nga faqja personale në facebook e z.Manjani

SHKARKO APP