Lamtumirë Lu dhe Vlahutin, ne na latë peshqesh gropat e reformës
Nga Andi Bushati.
Vizita flash në Tiranë e komisionerit të zgjerimit Hahn më shumë sesa vuri në pah një problem të ndërlikuar, atë për shkollën e magjistraturës, ishte një provokim relal për të parë se ç’po bëhet me reformën në drejtësi.
Komisioneri u përpoq t’i japë një dorë qeverisë duke përligjur dështimet në ngritjen e Këshillit të lartë të Prokurorisë dhe atij të Gjyqësorit. Ai u reshtua me propozimin e socialistëve që në mungesë të këtyre institucioneve, magjistrantët e ri të mos zgjidhen sipas rrugës që parashikon reforma. Por, përtej këtij debati teknik, “fatkeqësia” –siç e quajti ai- e mos emërimit dot të gjyqtarëve të rinj në vend të të djegurve nga vetting-u, ngre një pikpyetje tjetër: sa gropa, boshllëqe, pasaktësi dhe lëmshe kushtetuese po dalin nga ajo reformë e cila publikut po i serviret si një sukses i paimagjinueshëm që duhet kopjuar edhe nga vende të tjera të Europës?
Sot, dy vite pas ditës kur një parlament i frikësuar nga presioni ndërkombëtar votoi në bllok një arkitekturë të komplikuar ligjore, jemi afër buzës së greminës.
Një bilanc i thjeshtë tregon se përpos spektaklit të gijotinës për disa emra të përveçëm, asgjë nuk ka funksionuar.
Shkolla e magjistraturës është e bllokuar.
Në krye të prokurisë kemi një grua pa identitet, që ende nuk dihet nëse është militante apo theshjtë e paaftë, e cila pranoi të zgjidhej vetëm me votat e njërës nga palët.
Ende nuk janë zgjedhur gjashtë prokurorët që do të formonin Këshillin e lartë të Prokurorisë.
Po të njëjtin fat ka dhe Këshilli i lartë i Gjyqësorit të cilit i mungojnë gjashtë togat e zeza.
Si pasojë e ngecjes së tyre nuk ngrihet dot Byroja Kombëtare e hetimit dhe SPAK-u, instrumentat që u shitën si garancia që do të bënte kërdinë mbi politikanët e korruptuar.
Po të vazhdojmë me tej, askush nuk i drejtohet dot Gjykatës Kushtetuese për të vlerësuar çmendurinë e ligjeve speciale të qeverisë, sepse asaj i ka mbetur vetëm 1 nga 9 anëtarët që duhej të kishte.
Edhe Gjykata e Lartë po mer të njëjtën rrugë, pasi ka mbetur vetëm me çerekun e 19 gjyqtarëve të saj.
Pas këtij enumeracioni, nuk është e vështirë të hedhësh dilemën: a mos paska qenë në korrik 2016 më i rëndësishëm ekspertimenti, sesa një korpus funksional ligjesh?
Mos vallë, qëllimi i diplomatëve ndërkombëtarë që arritën falë shantazheve dhe presioneve të votonin në reformën në drejtësi, paskësh qenë të thërrisnin me urgjencë fitore, përpara se të shtronin rrugën e shërimit të një sistemi të kalbur?
Këto pyetje bëhen edhe më të mprehta, sot kur gjithë protagonistët e kësaj hisorie po thonë njëri pas tjetrit lamtumirë. Lu-së dhe Vlahutin-it tani i janë caktuar zëvendësat. Han dhe Mogherini kuk do të jenë më në detyrë pas zgjedhjeve europarlamentare të vjeshtës së ardhshme. Viktoria Nuland u bë kohë që nuk i mban më sytë nga Shqipëria.
Në një mënyrë apo në një tjetër ata morën spaletat e meritave se realizuan në Shqipëri një eksperiment të paparë. Ndërsa neve që mbetëm këtu na lanë trashëgim një lëmsh që nuk funksionon dhe që do të duhet ndoshta shumë vite që të shplekset. Natyrisht nga pasardhësit e tyre që do të kërkojnë të marrin grada të reja, për të zgjidhur të njëjtin hall gjithnjë e më të vjetër.