“Lavazhi” Top Channel për Saimir Tahirin
Me siguri që ish ministri i Brendëshëm Saimir Tahiri, përpos mëkateve të tij ka vuajtur në imazhin publik edhe si pasojë e arrogancës së postit që mbante edhe si pasojë e faktit se qe drejtuesi më jetëgjatë i atij dikasteri enigmatik, ku përgjoheshin qytetarët edhe si pasojë e mendësisë së një qeverie që burgoste fukarenjtë dhe nuk dënonte trafikantët.
Por, sot, emisioni Top Story ishte konceptuar si një retushim total i këtij imazhi. Nga njeriu që mund të ngjallte urrejtje, nga bashkëpuntori i mundshëm i trafikantëve, ai skicoi portretin e një viktime që ngjall empathi. Natyrisht me ndihmën e gazetarit Sokol Balla.
Ai e kishte zhvendosur emisionin nga studioja e zakonshme në shtëpinë e ish ministrit. Pjesa e parë dhe sentimentale e bisedës u zhvillua në tavolinën e kuzhinës së familjes Tahiri, aty ku gatuan e shoqja dhe ha mëngjesin i biri. Gazetari skicoi një njeri të përgjuar, të braktisur nga miqtë, të tradhëtuar nga kolegët, të hedhur poshtë nga Rama që e quajti një zhgënjim.
Po në këtë linjë vetë Tahiri shtoi se ai është i vetmi politikan i demokracisë (megjithëse të tjerëve u janë kapur makinat dhe shoferët me drogë) të cilit i është bastisur shtëpia nga prokurorët dhe policët.
E gjithë kjo melodramë zgjati në 2/3 e emisionit një orësh.
Pjesës që Balla e quajti të fortë, pra saj të dosjes penale, iu lanë vetëm 18 minuta.
Por, kushdo që priti që aty të kuptonte të vërtetën me siguri që ka mbetur i zhgënjyer. Tahirit në këtë pjesë nuk iu bënë pyetjet themelore. Psh: si shpjegohet që Habilajt hetoheshin prej 4 vitesh në Itali dhe nuk u hetuan, por kishin të gjitha dyert e hapura në Shqipëri?
Si ka mundësi që Tahiri pretendon se nuk kishte lidhje me këta kushërinj të largët dhe përsëri ia merrte veturën sa herë të donte? A i ndodh ndonjërit prej nesh të marrë te njerez që si njeh makinën e shitur prej kohësh? A tregon kjo se edhe nëse nuk e dinte që ishin trafikantë, siç pretendon, Tahiri ka qenë shumë i afërt me kushërinjtë trafikantë?
Por, në vend që të diskutioheshin këto pyetje kyçe, Tahiri u la të gënjente (pa ndërhyrje nga gazetari) kur tha se denoncuesi i tij ishte dënuar nga gjykata e krimeve të rënda. Jo nuk është e vërtetë. Kundër Zaganit nuk ka asnjë vendim dënimi nga kjo gjykatë. Tahiri u la të mashtronte kur tha se Zagani e fitoi azilin politik në kurriz të tij. Pyetja normale pas këtij pohimi do të qe: Po pse vallë edhe shteti zvicerian qenkësh pjesë e komplotit kundër ish ministrit socialist? Në vend të këtyre ndërhyrjeve e vetmja gjë ku Sokol Balla insistoi ishte fakti nëse Tahiri kishte udhëtuar ndonjëherë në veturë me Habilajt. Pra ai e bëri të përsërisë dy herë, pikën më të fortë që Tahiri kishte dhe me të cilën doli fitues edhe ndaj prokurorëve në komisionin parlamentar shkruan lapsi.
Pra e gjithë mizanskena një orëshe ishte një farsë patetiko-gënjeshtare – emocionale për të shplarë Tahirin. E vetmja pyteje që mbetet pas kësaj është: cili qe çmimi i këtij operacioni transformimi imazhi?
A i duhej vërtet njeriut të akuzuar për bashkëpunim me trafikantët e drogës, kjo shfaqe që nuk i jep përgjigje asnjërës prej pyetjeve që njerëzit që janë para ekranit qarkullojnë nëpër mend?(lapsi)