Letra e një lësëisti për Ilir Metën

 

Fejton

Nga Thoma Goga

Kam kohë që vërtitem të të takoj o kryetari ynë, po ju jeni të mbytur me punë. Ne që jemi marrë me të shkruar tërë jetën, na hanë duart për ndonjë kartë, ndaj po të shkruaj. Kështu është kjo punë; ca u hanë duart për kryetar bashkie, popullit i ha kurrizi …Në telefon nuk të flas dot se më del një çupkë që më thotë se “personi është i padisponueshëm”. Unë nuk i besoj këto fjalë se ju për hatrin tim, do t’ja prisni  replikën edhe Doktorit… Po ty të paçim gjigant ashtu siç je në krye të qoshesë. Ata “kodoshë” apo dhe theatrinat e tyre, që të sulmojnë ty, të të marrin të ligat. Po gjetkë e kam llafin.

Kam edhe unë një hall “të vogël”. Po “të vogël” fare. Do ta them në fund. Po hë, do thoni ju, ku ishe, pse me kaq vonesë? Keni parë ju se, si i papunë që jam, nuk më lënë edhe punët… Fol me një zyrtar, e më gënjen. Fol me një tjetër, e ky më babaxhan se i pari; as më zgjidh e as më gënjen. Atëherë mendova të të bëj këtë esse, si e stilit të Hyskë Borobojkës apo Bamkë Çomagës një herë e një kohë. Besoj se keni dëgjuar për këta mjeshtëri të humorit. Zgjodha këtë rrugë, pra rrugën e shtypit, se e di që ju e filloni ditën e punës me gazetat. Mbase mund të të duken edhe pak të tharta këto fjalë, por ju mos e prishni terezinë… “Gjuha, thotë Ezopi, është gjella më e mirë. Po gjuha është dhe gjella më e keqe”. T’u kemi të fortë, se ne populli edhe bar ham, vetëm që të mos shqetësohet udhëheqja. Ju kujtohet fushata e 2013 sidomos në zonën e Roskovecit, po dhe të Fierit në përgjithësi? Domosdo, të kujtohet. U takuam ca herë, por unë nuk jam nga ata që edhe takimet me udhëheqësit i shkruajnë në CV, sepse nuk kanë çfarë të shkruajnë. U ngatërrova edhe unë që s’isha përzierë fare prej 20 vjetësh me këto punë fushatash. Po ç’t’i bëj mikut tim Robert Bitrit që nuk ja prishja dot. Ai më ftoi në një biçim bashkëpunimi atëherë. Patëm një si fjalë burrash midis nesh. Djalë më të mirë se Bitri nuk gjen në tërë kasabanë tonë. Ishte në ethe gjatë fushatës, lumëmadhi. Dridhej. Ca nga emocionet, ca nga pasiguria. Po frikën ia hoqën çunat e LSI-së, sidomos ca që ngatërronin ose barazonin fjalën “votë” me “votkë”. Kur dalin e bëjnë politikë ata edhe harabelat qeshin, edhe bota tallet. Më mirë të mos i kesh në krahinë e jo në fshat. E kush u jepte vota atyre. Kurse “votka” gjerbën sa u shembën. Po nuk më besuat mua, pyesni fshatin. Populli këtyre i vari teneqenë se sovrani e ka dhe gjuhën brisk kur thotë “Burrat e mençur dallohen nga fjala”. Këtë shprehje duhet ta dijë edhe deputeti, apo jo?

Po ajo fushatë iku. Miku im Bitri edhe pse e hodhi lumin, nuk i harroi kuajt që punuan për të e që duan nga pak tagji… Ja, fjala vjen, mua nuk më la në baltë. Sa herë që më takon, më kërkon CV time. O po ç’i do, i thosha, ku i çon?! Le që kot e vras mendjen unë. Ka plot vende ku shkojnë këto letra. E rëndësishme është që “më hap zemrën” ëmbël, domethënë ma qan hallin, jo si ca që kthejnë kurrizin e këpusin kopaçe të trasha. Gojët e liga në Fier thonë e ç’nuk thonë… Këtej nga anët tona u bënë ca emërime “brilante”. Hallall. Kjo më solli në mendje atë punën e lugëve të florinjta pas luftës më 1944 që u ndanë “sipas listës”. Thonë se ca të emëruar (që s’ishin fare në “luftë”) morën lugët më të mëdha dhe i hynë tepsisë së Rilindjes që e bënë na, tepsi. Ca janë për ndjekje penale. Ca u futën e kanë dalë përkohësisht nga burgu. E po populli do flasë, atë punë ka. I thonë demokraci, or tungjatjeta…Unë vë dorën në zjarr se deputeti nuk ka gisht fare në këto punë. Për herë të fundit që e takova, kishte vetëm një shqetësim; të emëronte djalin e tij në një vend të mirë. U mundova ta qetësoja e t’i jepja kurajë që ta kalonte edhe këtë hall, se ai është i ndjeshëm ndaj elektoratit e nuk mban shumë ngarkesë. Ishalla e ka zgjidhur i shkreti, se edhe i biri te elektorati bën pjesë. Tashti emrin në listë e kam edhe unë, po në listën e dyqanit të fshatit për bukën, kripën, qepët… Ç’duam lugët?! S’paska hall më të madh se puna…

Ja kështu, o kryetar i dashur Ilir. Më fal se të mora ca minuta kohë dhe i rashë pak gjatë (po më shkurt se Doktori…), ose griva ca sallatë e nuk ta thashë që në fillim hallin. Tani qeveria po bën shumë reforma, hallall. Rilindje si kjo s’ka për të patur kurrë në vendin tonë edhe sikur Naim Frashëri të ngrihet nga varri…Mirëpo, xhepat tanë të grisur dhe stomaqet nuk “i bluajnë” dot këto fatura dritash, uji, ilaçesh, rritje çmimesh.

Tani ndodhem mes dy rrugësh; një rrugë e ka Zoti në dorë të më çojë atje ku është Naim Frashëri. Kushedi, mbase i duhet ndonjë punëtor nga të rilindjes së re. Po e lexoi këtë shkrim Zoti, le të ma bëj këtë favor, se trurin ajo Rilindja e parë ma edukoi. Kurse rrugën tjetër e keni ju në dorë. Po të kesh ndonjë mik të më fusësh në burg, se unë vetë s’ja them jo për të vrarë, por as për të sharë, as për të djegur, as për të vjedhur, as për të… Kështu do shpëtoj të paktën nga faturat. Ja ky është halli im. Thashë ta qaja hallin me ju, si ushtari me komandantin…Të jap fjalën si burrë se edhe në burg do të më kesh ushtar besnik të partisë…Betohem!

SHKARKO APP