Liria e fjalës intelektuale – një vlerë e domosdoshme për shoqërinë

Placeholder Image

Nga Artan Fuga

Pas letrës publike ku kam ngritur një sërë shqetësimesh lidhur me gjendjen e Akademisë të Shkencave dhe zgjedhjet pa kritere dhe parametra bashkëkohorë, rrotativë, që po përgatiten të bëhen atje në 4 shtator, nga një profil fallco, me emër fallco, aspak një vajzë naive sikur e trajtojnë ata që dikan gjithçka sa më sipër, kam marrë disa mesazhe radhazi me shpifje si edhe me thirrjen ultimative: Pusho, merr honorarin që të takon, ose ik!

Sigurisht, ky mesazh i padenjë dhe qesharak vjen nga rrethe të caktuara, por unë personalisht nuk ja lejoj vetes të akuzoj kërkënd pa fakte. Aq më pak më lejohet të them e nuk dua t’a mendoj se ato mesazhe janë shkruajtur nga ndonjë dorë akademike.

E vërteta është se në brendësi të ndërgjegjes sime, më shumë se këto mesazhe të përbuzura nga unë sepse janë të njerëzve me maskë dhe pa dinjitet, e pa personalitet, sakohë e fshehin atë, më rëndon fakti se prej gjashtë ose shtatë vitesh ngre brenda institucionit të Akademisë të Shkencave shqetësime shumë serioze për mbarëvajtjen e saj dhe vyshkjen e saj dita ditës, ndërkohë që ajo duhet të ishte një institucion i pavarur, me ndriçim, në fushën e dijes dhe kulturës kombëtare.

Prej vitesh, i censuruar brenda institucionit, pra nga drejtuesit e tij.

Në kushtet kur po ndodh që gjithë kësaj vyshkjeje po i vihet kapaku prej një dekade, me një mbyllje hermetizmi në drejtim, ku vazhdon që kryetari bëhet nënkryetar dhe nënkryetari bëhet kryetar, disa herë radhazi, dhe po përgatiten zgjedhje pa platforma dhe alternativa zhvillimi, pa kandidatura alternative, pa bilance mandatesh të përmbyllur në vitet që shkuan, gjykova të dal publikisht!

T’i drejtohem publikut të gjerë dhe komunitetit të shkencëtarëve dhe universitarëve!

Paraprakisht i kisha njoftuar drejtuesit e Akademisë të Shkencave për hapin që do të hidhja, pas përpjekjeve brenda institucionit, sepse ajo nuk u takon akademikëve, por shoqërisë dhe kombit!

Pra më shumë sesa thirrja uiltimative në rrjetet sociale e dikujt që fsheh edhe fytyrën edhe dorën por që organet e specializuara mund ta identifikojnë pa problem nëse e gjykojnë se duhet ta bëjnë, është gjendja e kërkimit shkencor, e shkencës, e dijes, e Akademisë të Shkencave, të gjitha në vyshkje e sipër prej vitesh e vitesh, që rëndon mbi ndërgjegjen time dhe të gjithë atyre që punojnë në këto fusha!

Askush nuk na dëgjon!

Në këto kushte, pas shumë shkrimesh dhe prononcimesh publike, prej vitesh, nesër do t’i dërgoj një letër publike kryeministrit të vendit z. Edi Rama, duke i vendosur në kujtesë gjendjen alarmante të kërkimit shkencor në vend, gjendjen në rrënim të institucioneve të kërkimit shkencor si edhe të Akademisë të Shkencave, duke i bërë edhe propozimet e mia.

Por, ndërkaq, falenderoj ata qindra miq në rrjetet sociale që u indinjuan bashkë me mua, dhe u solidarizuan, për të denoncuar metodat hipokrite të atyre që në vend të debatit të hapur publik, mbrojnë interesa egoiste kundër të mirës publike, duke u fshehur pas mundësive që jep teknologjia e sotme, por që gjithsesi nuk është perde celiku që nuk lejon të zbulohet atë që hedh gurët dhe fsheh dorën!

Falenderoj edhe figurat publike që këtë rast të përbuzshëm e trajtuan gjerë si një çështje që lidhet me lirinë e fjalës, e cila padyshim ka pengesat e veta arbitrare në institucione dhe agjenci të ndryshme, si efekt i këtij tranzicioni të gjatë dhe pa mbarim, e këtu një falenderim të sinqertë dhe miqësor për z. Sali Berisha, i cili pati ndjeshmërinë karakterizuese për t’a shtruar edhe njëherë lirinë e fjalës intelektuale, të të gjithë profesorëve, akademikë, gazetarëve, artistëve, shkencëtarëve, si një vlerë e shtuar, e cila duhet të gëzojë hapësirat e duhura të munguara, jashtë lincimeve të fshehura ose të hapura publike, si edhe marrjen e saj në konsideratë kundër injorimeve dhe trajtimeve inatcore e hakmarrëse.

SHKARKO APP