Lufta politike, si ilaç kundër depresionit ekonomik?
Nga Artur Zheji
E vetmja mënyrë për të dalë nga diskutimi madhor: “katastrofa ekonomike që po afron me shpejtësi”, është padyshim radikalizmi i luftës së brendshme politike.
Nuk mund ta shkruaj me siguri të plotë nëse kjo është një strategji e përcaktuar, e pra një skemë apo thjesht një instikt që po e ndjek, klasa jonë politike, por kjo po ndodh dhe është kryeministri që po e prin.
Ndoshta sepse ai, ka të dhëna në dorë, më shumë se të tjerët, se sa keq janë punët në ekonomi, temë kjo, dramatikisht e lënë pas dore, kryesisht nga vetë shqiptarët në vëmendjen e tyre.
Rama, po priret ta radikalizojë këtë trend dhe modelet e suksesshme në këtë fushë nuk mungojnë, qoftë nga aktualiteti dhe qoftë nga historia.
Në vitin ’97 dhe më pas, në vitin ’98, me grusht shtetin e dështuar për një grimë, u varrosën analizat për katastrofën ekonomike, që sollën piramidat dhe zhvatjen misterioze të parave të shqiptarëve, nga banditë dhe nga njerëz me pushtet.
Sot duket më shumë se asnjëherë, që palët po shkojnë drejt përplasjes së plotë dhe pritet të ndodhë shpejt një spektakël i ashpër dhe me viktima politike e mediatike.
Për fat të keq duke krijuat thjesht iluzione dhe duke fshehur me emocione, zbrazëtinë e thellë ekonomike dhe pamundësinë e instrumentave për ta shëndoshur atë.
Rama ka, për momentin shumë instrumenta në dorë, porse ka edhe vetëdijen se nuk janë të pafundme dhe mbi të gjitha nuk janë prodhuese, por veçse provokative, sherr-ndezëse dhe zjarr-mbjellëse.
Populli admiron sherrin dhe zjarrin, sepse ka shpresën që përplasja totale, ajo dhe vetëm ajo, mund të sjellë në dritë një situatë të re, megjithëse për çdo rast valixhen e ka gati për të marrë arratinë, sapo ti jepet rasti./360grade.al/