Magjisteri papnor: Gara e armatimeve, shifrat dhe sa e ngutshme është paqja
Dy fjalë rreth shpenzimeve për mbrojtjen sotpërsot në botë në dritën e magjisterit papnor.
R.Sh. Vatikan
Më 18 shtator 2025, në një intervistë me «Daily Mail», ish-zëvendëskomandanti i NATO-s, gjenerali Richard Shirreff deklaroi se në 100 orë, ose në më pak se pesë ditë, presidenti rus Vladimir Putin mund ta shkatërronte Evropën. Por a është vërtet e mundur të shkatërrohet tjetri, armiku, me luftë konvencionale, pa përdorur armë bërthamore gjë që do të sillte një apokalips bërthamor? Pohimi i gjeneralit Shirreff është i dyshimtë dhe ajo që po ndodh në terren e kundërshton sepse realiteti është shumë më i ndërlikuar.
Lajme për dronët
Pikërisht në kohën kur ushtarakët e NATO-s po jepnin alarmin për fuqinë ushtarake të Rusisë, qarkullonin edhe raporte për dronë që fluturonin mbi qiellin evropian: më 9 shtator 2025, avionë luftarakë u ngritën në Poloni dhe disa aeroporte u mbyllën. Më 22 shtator, ishte radha e Kopenhagenit dhe Oslos; në fillim të tetorit, trafiku ajror u pezullua në Mynih; në fund të tetorit dhe në fillim të nëntorit, ishte radha e aeroporteve të Berlinit dhe Bremenit; më 7 nëntor, Belgjika; dhe në fund, më 4 dhjetor, u panë dronë në bazën e nëndetëseve bërthamore pranë Brestit, Francë. Në të gjitha këto raste, nuk u dha më pas asnjë konfirmim për publikun në lidhje me origjinën e vërtetë të dronëve (raportet fillestare thonin se ato mund të kishin ardhur nga Rusia). Nuk u fol as për rrezikun e tyre. Për shembull, në vitin 2025, vetëm në Gjermani, pati 225 ndërprerje fluturimesh të shkaktuara nga dronët. Prandaj është me vend të pyesim veten nëse këto paralajmërime u vlerësuan si duhet.
Ligjet shtetërore për riarmatimin
Po në ato muaj u miratuan ligjet buxhetore të vendeve të BE-së, duke kërkuar që ato të vendosnin për rritjen e ndjeshme të shpenzimeve ushtarake: shtetet e eurozonës duhej të paraqisnin Planin e tyre të Draftit Buxhetor (PDB) në Komisionin Evropian dhe në Eurogrup deri më 15 tetor, i cili më pas diskutohet, ndryshohet dhe miratohet deri në fund të vitit nga parlamentet e secilit vend anëtar.
Shpenzimet ushtarake globale, siç dihet, janë rritur vazhdimisht vitet e fundit (9.4% vetëm në vitin 2024, siç tregohet në Librin Vjetor të SIPRI-t: Armatimet, Çarmatimi dhe Siguria Ndërkombëtare 2025). NATO, me marrëveshjen e arritur në takimin e nivelit të lartë të Hagës qershorin e kaluar, synon të shpenzojë 5% të buxhetit për armatime deri në vitin 2035 (3.5% për armë dhe 1.5% për sigurinë).
Vendimi strategjik për armatim, për fat të keq, kërkon që investimet të ndahen ndryshe, duke i lënë pas dore politikat sociale, të kujdesit shëndetësor, të arsimit, të punësimit dhe të mbrojtjes së mjedisit. “Politika e Selisë së Shenjtë që nga Lufta e Parë Botërore” ka qenë të “këmbëngulë ndërkombëtarisht për çarmatim të përgjithshëm dhe të kontrolluar, kështu që nuk jemi të kënaqur me drejtimin që po ndjekim”, komentoi kardinali Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit, në mars 2025. Situatat kur përceptimi i rrezikut është më i lartë mund ta ndryshojnë opinionin publik, duke e bërë më të prirur për garë armatimesh. Edhe rreziku i një pushtimi rus të Evropës, përveç luftës në Ukrainë, hyn këtu. Kështu, nuk ka më hapësirë për debat kritik kur miratohen buxhetet qeveritare.
Gara e armatimeve përgjatë historisë
Historia e kohëve të fundit tregon se si shpenzimet ushtarake perceptohen në mënyrë ciklike, si një domosdoshmëri e pashmangshme. Pas Luftës së Dytë Botërore, pas konfliktit botëror që kushtoi jetën e gjashtëdhjetë milionë njerëzve, dhe me shpërthimin e Luftës së Ftohtë, riarmatimi dukej thelbësor për mbijetesë. Qëllimi i parandalimit i armëve bërthamore, ekuilibri midis blloqeve dhe kërcënimi i një lufte botërore e bënë rritjen e shpenzimeve ushtarake pothuajse të pashmangshme.
Me fundin e Luftës së Ftohtë dhe me rënien e Bashkimit Sovjetik, gjendja ndryshoi. Në shumë zona të botës, shpenzimet ushtarake u ulën ose nuk u rritën, ndërsa forcat e armatosura nisën detyra në misione paqeruajtëse, ndërhyrje humanitare dhe menaxhim të krizave rajonale. Mbrojtja kështu u transformua në bashkëpunim, u përqendrua te stabiliteti dhe e drejta ndërkombëtare.
Siç e dimë mirë, vitet e fundit, lufta është kthyer në jetën e përditshme. Konfliktet me intensitet të lartë, tensionet gjeopolitike dhe konkurrenca midis fuqive të mëdha, të kombinuara me tkurrjen e së drejtës ndërkombëtare, i kanë sjellë shpenzimet ushtarake përsëri në qendër të axhendës politike. Marrëveshjet kryesore kundër përhapjes së armëve bërthamore janë braktisur. Madje, shembulli më i fundit është traktati “New Start”, i cili skadoi më 5 shkurt 2026 dhe synonte të zvogëlonte dhe të kufizonte instalimin e armëve bërthamore dhe strategjike nga Shtetet e Bashkuara dhe Rusia.
Krahasimi i të dhënave
Një element i dobishëm në këtë drejtim është krahasimi i të dhënave për shpenzimet ushtarake për vendet e NATO-s, Rusinë dhe Kinën. Kështu, vitin e kaluar, Shtetet e Bashkuara kishin një buxhet prej 30.62 trilion dollarësh dhe shpenzime ushtarake prej 921 miliardë dollarësh (3.01% e PBB-së), ndërsa vendet e tjera të NATO-s, nga 26.38 trilion dollarë të ardhura, shpenzuan 574 miliardë dollarë (2.18% e të ardhurave) për armë dhe siguri.
Duke i mbledhur këto shifra së bashku, totali i shpenzimeve për vendet e NATO-s është 1.495 miliardë dollarë, të barabarta me 2.62% të të ardhurave. Ndërsa Rusia me të ardhura të përgjithshme prej 2.54 trilionë dollarësh, shpenzoi 187 miliardë dollarë për armë (7.4%). Kina nga ana tjetër, me të ardhura prej 19.398 miliardë dollarësh, shpenzoi 314 miliardë dollarë (1.62%) për armatime.
Këto të dhëna tregojnë se nuk ka barazi në shumat e shpenzuara midis NATO-s dhe Rusisë. Shumat e caktuara për armatime ngrenë një pyetje që është kjo: «Përgjigja kundrejt kërcenimeve që po kalojmë, a kontribuon me të vërtetë në zvogëlimin e tyre, apo rrezikon t’i nxisë më tej ato?»
Rritja e vazhdueshme e shpenzimeve ushtarake mund të japë përshtypjen e forcimit të sigurisë, por rrallë ose kurrë nuk shkon te thelbi i tensioneve që qëndrojnë në themel të konflikteve.
Industria dhe armët
Çdo shtesë shpenzimesh ushtarake me 1% të të ardhurave për frymë do të thotë afërsisht 600 miliardë euro shtesë në vit. Megjithatë, duhet theksuar se këto janë shifra të përgjithshme dhe nuk dallojnë shpenzimet thjesht për armë nga ato të sigurisë kibernitike.
Një tjetër pikë kritike këtu është mungesa e një buxheti evropian të përbashkët në mënyrë që gjithmonë të ndjekim si duhet zhvillimet ndërkombëtare, duke rritur shpenzimeve ushtarake sipas nevojave, dhe jo veç e veç secili.
Shpenzimet ushtarake mbeten një komponent themelor i sigurisë dhe nxitëse për sektorin e teknologjive larta.
Gjatë 52 javëve të fundit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ( të dhunat janë marrë nga raporti Bloomberg), treguesi i shpenzimeve ushtarake ka shkuar në +28,97% për Europe Stoxx Total Aerospace & Defense, dhe treguesi i ndërmjarrjes S&P Aerospace and Defense Select Industry ka shkuar në +73,45%. Megjithatë, kjo garë armatimesh ka kosto politike, ekonomike dhe sociale. Ajo kërkon sakrifica, krijon borxhe dhe kushtëzon vendimet e secilit shtet.
Në Evropë, presioni i SHBA-së, madje edhe kur flitet për aleatë, cakton standardet, përparësitë dhe objektivat e shpenzimeve.
Ai dypërqindshi i famshëm për shpenzimet ushtarake tani nuk është vetëm parametër por kusht që të gëzosh besueshmëri ndërkombëtare.
Ky zhvillim i çrregullt vetëm sa e thekson varësinë teknologjinë dhe industriale të Evropës në një kohë kur luftrat përcaktohen më shumë nga infrastruktura dixhitale dhe aftësitë kibernetike.
Civilët, fat të keq, nuk janë më spektatorë, por mund të preken nga lufta. Prandaj ka rrezik që investimet vetëm në mbrojtjen ushtarake mund të mos jenë të mjaftueshme. Parandalimi i vërtetë kalon nëpër shtigjet e diplomacisë, mbi të gjitha asaj ekonomike, dhe nëpër përdorimin më efikas të teknologjisë. Diskreditimi i vazhdueshëm i së drejtës ndërkombëtare dhe i organeve ndërkombëtare, bashkë me rrezikun e luftës, i shtyn edhe brezat e rinj që të justifikojnë dhe të dëshirojnë që shtetet të armatosen.
Fjalët e Papës mbi çarmatimin
Në mesazhin e tij të fundit për Ditën Botërore të Paqes 2026, Papa Leoni XIV shkroi: “Thirrjet e përsëritura për rritjen e shpenzimeve ushtarake dhe vendimet e shumë qeverive justifikohen nga kërcënimet që vijnë nga të tjerët. Në të vërtetë, forca e armëve, dhe në veçanti frika bërthamore, tregojnë se sa irracionale janë marrëdhëniet midis popujve kur bazohen jo te ligji, drejtësia dhe besimi, por te frika dhe forca ushtarake.”
Pasi kujtoi rritjen prej 9.4% të shpenzimeve ushtarake globale gjatë vitit të kaluar, të cilat arritën në 2,718 miliardë dollarë, ose 2.5% të ardhurave të përgjithshme, Papa shtoi: “Për më tepër, sot duket se sfidave të reja po u bëhet ballë jo vetëm me sakrifica ekonomike për riarmatim, por edhe me përshtatjen e politikave arsimore. Në vend të kujtesës historike, e cila na kujton shekullin e njëzetë dhe nuk harron miliona viktimat e tij, po bëhen fushata komunikimi dhe programe edukative në shkolla dhe universitete, si dhe në media, të cilat flasin për kërcënime dhe përcjellin thjesht një nocion të armatimit.” Përballë skenarëve gjithnjë e më shqetësues të luftës dhe rrezikut të keqinformimit që lidhet me interesat kryesore ekonomike në lojë, është gjithnjë e më e qartë se siguria sot nuk mund të konceptohet vetëm përmes forcës.
Çarmatimi – kulturor, politik, shpirtëror – bëhet një alternativë që duhet marrë seriozisht në konsideratë, sepse hap një perspektivë të ndryshme: atë të një ekuilibri të bazuar në besim, bashkëpunim dhe parandalim. Forcimi i organeve ndërkombëtare, forcimi i mekanizmave të mbikëqyrjes demokratike brenda secilit shtet, gjetja e hapësirës për debat kritik dhe tejkalimi i logjikës së emergjencës: këto do të ishin hapat e parë drejt ndërtimit të një të ardhmeje më të qëndrueshme, në të cilën mbrojtja nuk e përjashton çarmatimin, por e konsideron atë pjesë integrale të një strategjie më të gjerë dhe largpamëse.
Çarmatimi, i kuptuar jo vetëm si reduktim i sasisë së armëve, por si zgjedhje kulturore, diplomatike dhe institucionale, përfaqëson alternativën e vërtetë strategjike. Jo utopi, por një rrugë e bazuar te një realizëm i shëndetshëm. Ky realizëm i ka nxitur vazhdimisht Papët të ngrenë zërin e tyre për të shmangur aventurat katastrofike të luftës. Çarmatimi zvogëlon rreziqet, nxit bashkëpunimin, forcon stabilitetin ndërkombëtar dhe rikthen në qendër dinjitetin e njeriut. Në një botë ku luftërat ndryshojnë trajtë dhe teknologjitë i nxjerrin në pah dobësitë e të tjerëve më shpejt, në një botë ku të ashtuquajturat “bomba inteligjente” vazhdojnë të masakrojnë civilë të pafajshëm, «çarmatim» do të thotë një model i ndryshëm për të ardhmen, më gjithëpërfshirës, më i vetëdijshëm, dhe që merret më shumë me parandalimin e konflikteve sesa në menaxhimin e tyre.
Rreziku i fundit të botës nga armët bërthamore
Në fund, pastaj, kush është realist nuk duhet të harrojë kurrë se rreziku i apokalipsit bërthamor duket gjithnjë e më afër. Kur fillojmë ta konsiderojmë shkatërrimin total të tjetrit si të mundshëm – madje edhe hipotetikisht – ne i anashkalojmë faktet për të cilat janë dakord të gjithë analistët: doktrina e shkatërrimit të ndërsjellë, e shkaktuar nga përdorimi në shkallë të gjerë i armëve bërthamore nga një vend sulmues kundër një vendi mbrojtës të aftë për një sulm të dytë, në fakt do të çonte në asgjësimin e të dy shteteve. Asnjëra palë nuk mund të “fitojë” sepse ajo që godet e para shkatërrohet edhe ajo. Sot në botë ka afërsisht 12,000 bomba bërthamore, 90% e të cilave zotërohen nga Rusia (5,459, 1,718 prej të cilave janë gati) dhe Shtetet e Bashkuara (5,177, nga të cilat afërsisht 1,700 janë gati). Armët bërthamore ekzistuese kanë fuqi të mjaftueshme për të asgjësuar qytetërimin tonë qindra herë, e pesëdhjetë prej tyre do të ishin të mjaftueshme për të shkaktuar dëme katastrofike për planetin.
Por përsa i përket luftës konvencionale, duhet të pranojmë se, veçanërisht sot, teknologjia çon në luftëra me potencial të madh shkatërrues, të cilat vazhdojnë për një kohë të gjatë. Kjo është arsyeja pse e vetmja zgjidhje e vërtetë, të cilën e gjejmë në Magjisterin e Papëve, është të braktisim luftërat dhe të kthehemi te humanizmi i diplomacisë, i dialogut dhe i bisedimeve.
Dhe çarmatimi, për të krishterët, buron nga fjalët e Jezusit drejtuar Pjetrit në kopshtin e Gjetsemanit: “Fute në mill shpatën tënde,” tha Leoni XIV më 11 tetor të kaluar. “Këto fjalë u drejtohen të fuqishmëve të botës, atyre që udhëheqin fatet e popujve: kini guximin e çarmatimit! Dhe i drejtohet në të njëjtën kohë secilit prej nesh, për të na bërë gjithnjë e më të vetëdijshëm se për asnjë ide, besim apo politikë nuk mund të vrasim. Së pari duhet çarmatosur zemra, sepse nëse nuk ka paqe brenda nesh, nuk do të rrezatojmë paqe.” Është një ftesë “që të përqafojmë një këndvështrim të ndryshëm për ta parë botën nga poshtë, me sytë e atyre që vuajnë, jo nga këndvështrimi i të mëdhenjve”.
KOHA JONË SONDAZH

