Majlinda Bregu: 15 vjet nën vëzhgim, çfarë fshihet pas propozimit të BE-së?

created by Polish

Nga Majlinda Bregu

Tërsëllimën e kotësive që dëgjojmë çdo ditë dhe mjegullën se ç’ndodh me ne, ia vlen ndonjëherë t’i lësh mënjanë për të parë më kthjellët se çfarë po vendoset për fatin tonë politik europian. Sepse vendet nuk jetojnë sa mandatet e qeverise, as me lajme hapje e mbyllje kapitujsh. Jetojnë me zgjedhjet që bëjnë për dekadat që vijnë, me institucionet që ndërtojnë dhe me vendin që arrijnë të zënë në botën ku u ka rënë të jetojnë. Dhe ndërsa ne perplasemi e s’dalim dot nga qerthulli ynë mbytës, në Bruksel po diskutohet diçka shumë më afatgjatë për Shqipërinë: si do të hyjmë në Bashkimin Europian, çfarë do të marrim përpara se të hyjmë dhe çfarë lloj anëtari do të jemi pasi të hyjmë.

Dokumenti i ri i Komisionit Europian, Preparing for a Ëider Union, duhet lexuar pikërisht kështu. Jo vetëm për lajmin që tërhoqi vëmendjen, një mekanizëm i posaçëm mbrojtës për 15 vitet e para pas anëtarësimit të vendeve të reja, por sepse pas tij po merr formë një kontratë e re politike e zgjerimit. E thene shqip, më shumë integrim përpara anëtarësimit; më pak hapësirë për veto politike gjatë rrugës; më shumë garanci kundër regresit pasi bëhesh anëtar.

Swiss Digital Desktop Reklama

Më shumë Europë përpara anëtarësimit

Swiss Digital Mobile Reklama

Këtë tezë e njoh mirë. Për vite me radhë, në RCC, ishte ideja kryesore mbi të cilën punuam: që Ballkani Perëndimor të mos presë ditën e anëtarësimit për të filluar të jetojë disa prej përfitimeve të tij. Roaming-u pa tarifa shtesë në rajon, ulja e kostove të roaming-ut me BE-në, Green Lanes, njohja e diplomave dhe profesioneve, lëvizshmëria, afrimi me SEPA-n dhe Tregun e Vetëm, të gjitha vinin nga e njëjta logjikë: të zvogëlojmë, një nga një, dallimet praktike mes të qenit brenda dhe jashtë BE-së.

Më duhet ta them këtë edhe për hir të saktësisë historike: kjo ide lindi në rajon, jo në Bruksel. Ishte rajoni që kërkoi të mos priste anëtarësimin për të filluar integrimin dhe që e provoi këtë logjikë me hapa konkretë. E them jo për të ndarë meritat, por sepse historia institucionale ka kujtesë të shkurtër dhe ndoshta këtë nuk e dinë më as të gjithë ata që sot punojnë në Bruksel, e jo vetëm jashtë tij. Sot Komisioni po e çon këtë logjikë në një nivel tjetër: po e kthen nga një ide e shtyrë dhe e provuar nga rajoni, në pjesë të arkitekturës së zgjerimit të BE-së. Dhe kjo është një gjë e mirë.

Vendet që përmbushin kushtet mund të integrohen gradualisht në politika, programe dhe agjenci të BE-së dhe, në një fazë të avancuar, edhe në pjesë të Tregut të Vetëm, pa pritur ditën formale të anëtarësimit.

Më pak veto gjatë rrugës

Komisioni propozon gjithashtu që disa vendime të ndërmjetme të negociatave, përfshirë hapjen e grup-kapitujve, të mos varen më domosdoshmërisht nga unanimiteti, por të merren me shumicë të cilësuar. Vendimi përfundimtar për anëtarësimin mbetet unanim nga te gjitha vendet anetare. Kjo prek një nga kontradiktat e vjetra të procesit.
Nuk mund t’i thuash një vendi se anëtarësimi është i bazuar në merita dhe në të njëjtën kohë, ta lësh çdo hap të tij peng të një vetoje politike apo të një mosmarrëveshjeje dypalëshe që nuk ka lidhje me kriteret e anëtarësimit. Por pastaj vjen pjesa e tretë qe beri lajm dje dhe ajo është më e ndërlikuar.

15 vjet mekanizma mbrojtës pas anëtarësimit

Komisioni propozon që për 15 vitet e para pas hyrjes në BE ,anëtarët e rinj t’i nënshtrohen një mekanizmi të posaçëm në rast të shkeljeve serioze të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe vlerave themelore të Bashkimit Europian. E di edhe që dikush mund të thotë: “Pas meje qameti. Të hyjmë njëherë në BE, pastaj shohim ,” apo “S’do të hyjmë kurrë, ç’na duhen këto diskutime?” Madje edhe: “Ç’e duam BE-në, nëse edhe pasi hyjmë na mbajnë 15 vjet nën vëzhgim?” I kuptoj këto reagime. Pas kaq shumë vitesh pritjeje, premtimesh, afatesh të shtyra dhe lodhjeje nga politika, janë pothuajse të parashikueshme. Por janë më shumë shfryrje disfatiste sesa argumente.

Pyetja është, a nuk e ka këtë garanci sot Europa? Vendet kandidate nuk mbërrijnë te dera e BE-së të pakontrolluara. Për Ballkanin Perëndimor, kushtëzimi fillon shumë përpara negociatave, përmes Marrëveshjeve të Stabilizim-Asociimit. Pastaj vijnë screening-u, kriteret për hapjen dhe mbylljen e kapitujve, përafrimi me legjislacionin e BE, ndërtimi i institucioneve dhe, gjithnjë e më shumë, prova se ligjet nuk ekzistojnë vetëm në letër, por zbatohen.

Metodologjia e re e zgjerimit u ndërtua pikërisht sepse transpozimi i ligjeve nuk konsiderohej më i mjaftueshëm. Kapitujt 23 dhe 24, për gjyqësorin, të drejtat themelore, drejtësinë, lirinë dhe sigurinë, happen të parat,monitorohen gjatë gjithë procesit dhe mbyllen të fundit. Nëse ka regres në themelet demokratike, negociatat mund të ngadalësohen apo edhe të kthehen pas. Pra kandidati kontrollohet, rikontrollohet dhe duhet të krijojë një track record të zbatimit. Në fund, të gjitha shtetet anëtare duhet të bien dakord se është gati të hyjë.

Atëherë, pas gjithë këtij procesi, çfarë problemi po zgjidh edhe një regjim i posaçëm 15-vjeçar? Nëse përgjigjja është se reformat mund të zhbëhen sapo zhduket stimuli i anëtarësimit, shqetësimi është real. Por ky nuk është problem vetëm i anëtarëve të rinj.

Hija e Hungarisë

Mbi këtë debat qëndron përvoja e BE-së me regresin demokratik brenda vetë Unionit. Hungaria hyri në BE në vitin 2004. Përplasjet serioze me institucionet europiane mbi shtetin e së drejtës erdhën vite më vonë. Por nëse problemi është regresi demokratik, pse mekanizmi më i fortë duhet të vlejë vetëm për anëtarët e rinj? Dhe pse pikërisht 15 vjet? Demokracia nuk fiton imunitet nga regresi në ditën e parë të vitit të gjashtëmbëdhjetë.

Nëse një vend sillet në mënyrë shembullore për 15 vjet dhe fillon të zhbëjë institucionet demokratike në vitin e 16-të, BE-ja kthehet përsëri te instrumentet kufizimet e të cilave ndihmuan ta prodhonin këtë debat. Prandaj ndoshta pyetja më interesante që ngre “safeguard-I” nuk është për Shqipërinë apo Malin e Zi. Është për vetë Bashkimin Europian:

Komisionit Europian i duhet që zgjerimi të prodhojë rezultat. Komisioni nuk mund t’i anëtarësojë vetë vendet e reja ndaj formulon një policë sigurimi politike për vendet anëtare që t’ua bëjë zgjerimin politikisht më të pranueshëm atyre që duhet të thonë “po” në fund. Dhe këtu po biem dakord për një realitet politik që nuk ka kuptim ta zbukurojmë: çdo anëtarësim i ri do të hasë më shumë, jo më pak, rezistencë brenda vetë BE-së. Sa më afër mbylljes së negociatave , aq më konkrete bëhen pyetjet për koston, fondet, lëvizjen e lirë, bujqësinë, vendimmarrjen dhe, mbi të gjitha, frika se çfarë ndodh nëse një vend, pasi hyn, bën hapa pas.

Po Shqipëria?

Shqipëria është ende e tunduar ta masë suksesin si mbledhje aritmetikë në shtyllë. Sa kapituj hapëm, sa mbyllëm, sa bëjnë 5 plus 7 detyrime, përshëndesim çdo propozim që vjen nga Brukseli dhe pastaj ta quajmë duartrokitjen strategji. Nuk është kështu.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A keni besim se Protesta do ta rrëzojë kryeministrin Rama?