Mal Berisha: Krenar që u dekretova nga një atdhetar i madh e i ndershëm
“Të ndjeheni krenar për atë që bëtë. Trashëgimia juaj do të mbahet mend gjatë.” Ky është thelbi i mesazhit plot ndjenjë e mirënjohje që diplomati i njohur Z. Mal Berisha i ka shprehur disa ditë më parë Presidentit Bujar Nishani në prag të dorëzimit ceremonial të detyrës së Kryetarit të Shtetit Shqiptar.
Sharmant dhe eloquent në fjalët e tij, Z. Berisha i ka shprehur Presidentit mirënjohjen, respektin dhe krenarinë e pafundme për punën e bërë si një atdhetar i vërtetë në shërbim të kombit shqiptar por gjithashtu edhe për vlerësimin e lartë që ai ka treguar ndaj tij, vlerësim i shprehur me dekretimin e tij si Ambasador i RSh në Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe, të Irlandës së Veriut dhe Republikës së Irlandës në vitin 2013.
“Si njëri prej të dekretuarve të shumtë me nënshkrimin Tuaj, në një pozitë të lartë të shtetit shqiptar, dëshiroj të shpreh respektin e thellë, mirënjohjen e pafund, dhe krenarinë që kam patur të isha Ambasador i RSh në Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe, të Irlandës së Veriut dhe Republikës së Irlandës. Kam patur nderin dhe privilegjin të flisja në emrin Tuaj me shumë dignitarë të huaj përfshirë Monarken më të vjetër në historinë e njerëzimit, Madhërinë e Saj, Elizabetës së II – të,” thotë Ambasadori Berisha në mesazhin e tij të postuar në Facebook e tij zyrtar.
Ishte 27 qershor i 2013-s, kur Ambasadori i nderuar, i dekretuar nga Presidenti Bujar Nishani, u paraqit në Buckingham Palace, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Zj. Donika, për të paraqitur kredencialet para Monarkes. Përshkrimi i këtij momenti me detaje të imëta e plot jetë hap edhe librin e Z. Mal Berisha “Realitete shqiptaro-britanike”i prezantuar publikut shqiptar dhe atij britanik në 2015 si një panoramë e plotë e zhvillimeve ndërmjet Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe në histori, diplomaci dhe kulturë.
“Ishte pa dyshim dita më e shënuar e jetës timë në shërbim të shtetit shqiptar. Me vete mbaja atë dokument që më jepte fuqi të plotë për përfaqësimin e vendit tim të cilin u mundova ta bëj me maksimumin e përgjegjësisë, ndershmërisë, përkushtimit dhe devocionit. Ajo që më bënte të lumtur atë ditë ishte fakti që unë po i paraqisja ato letra të nënshkruara nga një burrë serioz, i vendosur, patriot, atdhetar i madh, i ndershëm, familjar dhe shumë modest. I tillë jam ndjerë edhe në Clarence House, edhe në Manson House në Londër në vizitën Tuaj zyrtare kur Ju u takuat me Princin e Kurorës, Charlsin.”
Vizita e Presidentit Nishani në Londër në maj të 2015 është ngulitur thellë në memorien e diplomatit Berisha për prezantimin me aq dinjitet që ai i bëri Shqipërisë.
“Për Ambasadorët, vizitat e krerëve të shtetit janë rast i artë për të prezantuar vendin me sa më shumë dinjitet, gjë që ju e bëtë aq mirë sa latë prapa një përshtypje të veçantë. Fjalimi Juaj në Manson House ishte një dëshmi e asaj që Ju përfaqësonit si më e mira e popullit dhe kombit tonë. Të tilla kanë qenë tërë vizitat Tuaja kudo në botë,” thotë Z. Berisha ndër të tjera në mesazhin e tij.
Të gjitha këto kujtime e momente të bukura pafund do të vinin në mendjen e Ambasadorit Berisha këto ditë kur Presidenti Bujar Nishani do ti japë fund misionit të tij për tja lënë vendin pasardhësit të radhës. Por ajo që shumë Shqipëtarë në përgjithësi dhe Z. Mal Berisha në vecanti do të kujtojë do të jetë “Trashëgimia Juaj, Z. Nishani, që do të mbahet mend gjatë si e Një shërbëtori te devotshëm të Kombit tonë. Dua t’ju falenderoj nga zemra që na bëre krenar edhe neve që patëm rastin, nderin dhe privilegjin të flasim, veprojmë e punojmë në emrin Tuaj.” Mal Berisha, KCFO, shërbeu si Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe, Irlandës së Veriut dhe Irlandës nga viti 2012 deri në vitin 2015. Ishte kjo periudhë tepër ntensive që i coi marrëdhëniet midis dy vendeve në një stad të ri. Puna e palodhur e Z. Berisha, e kombinuar me aftësitë e tij unike në zbatimin e teorisë së “fuqisë së butë” ose ‘soft power” çoi në promovimin e më të mirës së Shqipërisë në sytë e Britanikëve. Mbi të gjitha, statuja e Skëndërbeut, e ngritur në një nga sheshet kryesore të Londrës me iniciativën e Z. Mal Berisha, do të jehojë gjithnjë fort.