Mandati i tretë i Ramës: Qeverisje pa program, vetëm me vizion “Rilindasi”?!

Nga Xhovan SHYTI –

Thirrjet patetike dhe ligjëratat hartimore, me vizione, histori emigracioni që e kanë joshur kryeministrin në detyrë të braktisë dekada më parë Francën e të vijë për të “rilindur” Shqipërinë, janë ekstrakti që sundon propagandën elektorale të Edi Ramës.

Nuk paraqet asnjë program qeverisës për katër vjeçarin e ardhshëm për të cilat i bën thirrje masive votuesve t’ia japin mandatin e tretë, pa e ditur se çfarë do tu sjellë konkretisht si përfitim për ndryshimin e jetës së tyre të mbetur në varfëri gjatë dy mandateve të shkuara qeverisëse të të njejtit kryeministër, Edi Rama.

E theksojmë: Po bredh anë e mbanë vendit duke i kërkuar me çdo kusht mandatin e tretë shqiptarëve me adresimin, mbarë e prapë të sharrje- fyerjeve të kundërshtarëve opozitarë dhe duke e mbushur boshllëkun e mospasjes së një programi, me ligjërata boshe si këto :

“MIRËMËNGJES dhe për hajër të gjithëve bashkë, për njëri-tjetrin dhe për Shqipërinë, e ardhmja jonë….”.

Por dhe duke listuar të tilla premtime që, si të jetë si të mos jetë ai Kyeministri i katër viteve të ardhëshme, por kushdo tjetër që do të vijë, do ti bëj se s’bën.

Lexoni arsyet që Rama thotë se e kanë shtyrë që të mos tërhiqet nga politika, por të kërkojë një mandat të tretë për të drejtuar vendin;  Fitimin e betejës ndaj “COVID-19”, përfundimin e reformës në shëndetësi ( që gjatë dy mandateve të shkuara numëron miliarda fonde të hedhura për hekur e beton, dhe konçensione PPP, se sa jetë të kuruara e kulturë shërbimi). Por rreshton si arsye  edhe rindërtimin e dëmeve që shkaktoi tërmeti i 2019 e që për turp, vijojnë të jenë ende prezente, ndonëse ka kaluar më shumë se një vit…

Një tjetër arsye, që Rama rreshton nën devizën: “përse e kërkoj mandatin e tretë”, është:  rritja e pagave dhe zhvillimi i ekonomisë, elementë që së bashku me rritjen e pensioneve të pleqërisë, të ndihmës ekonomike, pensioneve të invalditetit etj., ka patur në dorë ti realizonte brenda dy mandateve të shkuara. Brenda të cilave mund t’ua kishte sjellë ujin 24 orësh shqiptarëve. Duke u kërkuar paskëtaj shqiptarëve burrërisht edhe votëbesimin për mandatin e tretë, duke i parë në sy dhe jo skuthërisht, me fytyrë të fshehur pas maskës.

Aq më tepër nuk ka sens t’ua lyp votëbesimin duke mos u shpërfaqur asnjë program qeverisës, por duke u deklaruar vizionin e tij “rilindas” të bërë cop e çik gjatë tetë viteve, 2013-2017, kur nuk ja doli të rilindë madje as sjelljen kryeministrore, ndryshe nga homologët paraardhës.

Mirëpo kush është  vizioni që, në mungesë të një program, kryeministri Edi Rama publikon për të qeverisur në të tretin mandat dhe që, sikurse shpjegon: do ta shpjerë në një nivel tjetër Shqipërinë?

“Mandatin e Tretë s’do ta kërkoja, po do të kthehesha më në fund në shtëpi për të shlyer borxhet e mëdha që i kam familjes, e sidomos më të voglit nga ne të pestë, nëse nuk do të kishte ende plot gjyshër, prindër e fëmijë që duhen futur të gjithë, deri në fund, në shtëpi e në lagje të reja; nëse nuk do të duhej fituar lufta me Covidin dhe kryer vaksinimi i plotë i njerëzve të këtij vendi, duke kapërcyer një mal me vështirësi; nëse nuk do të duhej përmbyllur reformimi i shëndetësisë, ku pasi është rimëkëmbur gjerësisht infrastruktura e spitaleve e riorganizuar sistemi shëndetësor, duhet përfunduar kjo rimëkëmbje dhe duhet pastruar organizmi i trupës së bluzave të bardha nga abuzuesit e nga batakçinjtë, që njollosin keq punën e mijëra heronjve; nëse nuk do të duhej forcuar progresiviteti i taksimit në favor të atyre që fitojnë më pak, rritur më tej paga minimale dhe pagat në tërësi, tanimë që bazat e ekonomisë janë forcuar, zhvilluar më në fund infrastruktura portuale e aeroportuale, e cila nuk është më një ëndërr po një betejë e nisur konkretisht.

Janë këto e plot beteja të tjera që nuk mund të lihen në mes, sepse asnjë tjetër sot për sot, përveç meje e Partisë Socialiste nuk ka as çerekun e fuqisë së ambicies, vullnetit, dijes dhe eksperiencës që ne kemi fituar në drejtimin e vendit!

Dhe mos e harrojë askush, që të nesërmen e tërmetit edhe më optimistët thoshin se Rindërtimi kushedi kur do të bëhet… Po ja, siç po dalim përditë më të fortë nga tragjedia e tërmeti, duke hapur dyer të reja për gjyshër, prindër e fëmijë që kthehen të lumtur në shtëpi më të mira se ato që humbën, ashtu do të dalim edhe nga kjo pandemi e mallkuar, duke e kryer vaksinimin shumë më shpejt se sa duket sot dhe po ashtu betejat që do t’i fitojmë me patjetër gjatë Mandatit të Tretë, do ta çojnë në një nivel tjetër Shqipërinë”.

Ky është vizioni, sepse Edi Rama nukparaqet ndonjë program qeverisës konkret 4 vjeçar: ekonomik, financiar, social etj., që të mbështesë patetizmin e tij të harbuar elektoral. Që sikurse deklamon në reklamën e tij fushatiste pas fanepsjes së vizionit për ta ngjitur Shqipërinë në majën më të lartë, ndikoi që ta braktiste Parisin, për të synuar politikën.

Një shpikje e gjetur kjo për të justifikuar përfshirjen, por që nuk i shëron plagët e mëdha të Shqipërisë e shqiptarëve të sfilitur nga demagogjitë më të fundit “rilindase” dhe premtimet e mbytura në ujrat e lumënjve elektoral të tre dekadave të shkuara. / Arbërianews.net

SHKARKO APP