Maqedoni-Hapet porta për në NATO dhe BE
Nga Lisien Bashkurti
Mbrëmë Parlamenti i Maqedonisë votoi me shumicë të cilësuar hapjen e rrugës për ndryshimet kushtetuese për emrin e ri të Maqedonisë-Maqedonia e Veriut.
Me këtë votim historik deputetët e Maqedonisë kapën momentin historik. Madje edhe mjaft deputetë të opozitës VMRO-DPMNE vunë interesat strategjike të vendit mbi ato partiake dhe të momentit. Eshtë tejet pozitiv qendrimi i gjithë spektrit politik shqiptar, i cili pa ekuivok votoi hapjen e rrugës për ndryshimet kushtetuese të Maqedonisë për ndryshimin e emrit.
Shqiptarët u provuan sërish si themel i fuqishëm Euro-Atlantik i Maqedonisë. Vota e mbrëmshme e Parlamentit të Maqedonisë me rëndësinë e saj i kalon kufijtë e këtij vendi.
Ajo ishte votë që përshpejton rrugën e gjithë Ballkanit Perendimore drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Mbas këtij eventi historik Shqipëria dhe Maqedonia afrohen më shumë me njëra-tjetrën dhe të dyja së bashku në rrugën e pakthyeshme Euro-Atlantike.