“Marrëveshja” e Ramës me Athinën dhe Dulja në mes…
Nga Artur Zheji
Në këto siklete të mëdha ku është futur kryeministri shqiptar, i duhet një rrugëdalje teatrale dhe me ngjyra të forta emocionale. Projekti ri urban i Himarës, ka kohë që rri stand by dhe reagimi i një pjese të prekur të himariotëve, është krejt i pritshëm.
Askush nuk e di me siguri, se përse kryeministri urdhëroi pikërisht sot, që fadromat të futen në punë dhe që Tirana dhe Himara, të marrin sot lajmin e parë të hapjes në të gjitha mediat greke.
Fadromat në Himarë, përveç arsyes së jashtme dhe planzbatuese, të së ashtuquajturës reformë urbane, janë edhe një “karem” për të zënë peshq të mëdhenj në Athinë dhe për ti dhënë një fushëveprimi të hapur politike Vangjel Dules, që për të plotësuar dekorin e skenës, solli aty edhe dy apo tre flamunj zyrtarë grekë.
Me flamunjt grekë në krye të protestës, me Vangjelin orator dhe me fadromat që duken në televizor si tankse, që po shkelin dhe po “shpërdorojnë tokën greke” të Himarës, skenari është i plotë dhe krejt i gatshëm, për të spostuar vëmendjen e shqiptarëve, nga Tirana në Himarë.
Nga korrupsioni dhe trafiku ndërkombëtar i drogës, te patriotizmi… Athina me reagimet e veta të pritshme, do të jetë këto orë, aleatja më e mirë dhe më efikase e kryeministrit shqiptar, që kërkon strehë dhe shpëtim në një Çështje tjetër, përveçse sa më larg nga Çështja Tahiri.
Me Dulen si aktor kryesor, me flamunjt grekë që valëviten pa vend, në një proçes pothuajse normal urbanizues, kryeministri ka shpresë të hedhë pas krahëve humbjen e rëndë të pikëve të besueshmërisë, që i ka shkaktuar, ish ministri i brendshëm dhe Prokuroria antimafia e Katanias.
Grekët e Athinës do të jenë kaq të mençur, që të mos e hanë karemin e këtyre orëve, që po ua dhuron “Uliksi” i Tiranës, apo edhe ata kanë nevojë për kauza “patriotike” për të rritur pikët e tyre?
Bota është bërë e vogël dhe Ballkani, akoma dhe më shumë. Një ndezje fadromash në Himarë dhe ndoshta 15.000.000 shqiptarë dhe grekë sëbashku, do të merren me kleçka që do të paraqiten me ngjyrat e flamunjve kombëtarë dhe me himne që do të këndohen për mustaqet e Çelos dhe për Audin e Tahirit…/360grade.al/