Martin Leka, nga “Koha Jonë” te “… një kohë mashtrimi universal, ku të thuash të vërtetën është një akt revolucionar”
NE VEND TE NJE KARTOLINE, SOT PER DITELINDJE
Nga Albert Vataj
Për disa, emri i Martin Lekës mund të kalojë në heshtjen e zakonshme të emrave dhe zhurmën e ububushme të rrjeteve sociale, spektaklin e atyshmërisë boshe dhe virtuozitetin e krijimit të yjeve që tentojnë fluturimin nga kotësia e despotizmit të algoritmit e në qendër të galaksisë.
Por për ata që e përjetuan zgjimin e fjalës së lirë, në vitet e vështira të tranzicionit, për ata që ruajnë në kujtesë gazetarinë, kur ajo ishte më shumë mision se profesion, Martin Leka është një emër që peshon rëndë, po, peshoi aq rëndë sa pranga mbi fjalën e lirë, dhe era e mykut në qelitë e qeverisjes demokratike, që frikësohej fjalës së lirë më keq se djalli nga temiani. Është kjo kohë, kur Martin Leka dhe Aleksandër Frangaj, penat dhe zërat e “Koha Jonë”, që u dënuan me heqje lirie, duke qenë të parët që do t’u privohej liria për fjalën e lirë. Ata njëherash hynë në burg dhe në histori.
Për një brez të tërë shikuesish të televizionit publik shqiptar, ai është i njohur si drejtuesi i matur, i palëkundur dhe i qetë i Radiotelevizionit Shqiptar, në një kohë kur valët e propagandës po tërhiqeshin, dhe fjala e ndershme përpiqej të merrte formë në eter.
Për mua, Martin Leka është mbi të gjitha një mik dhe një koleg. Një njeri i fjalës që ka ditur ta mbajë atë të pastër, pa retorikë të zbrazët dhe pa hije kompromisesh. Ai është një nga ata gazetarë që nuk u shëmbën përballë stuhive të kohës, që nuk e përdorën pendën për të shërbyer interesave, por për të ngritur vetëdijen. I përkushtuar deri në rrënjë të qenies së tij ndaj profesionit, ai i dha “Koha Jonë” dhe gazetarisë shqiptare, jo vetëm përmbajtje, por edhe karakter.
Nëse i hedh një sy arkivit të gazetës “Koha Jonë”, një nga foltoret më të guximshme të shtypit shqiptar të viteve ’90, do të gjesh aty firmën e tij, një stil të kthjellët, një mendje të rreshtuar me arsyen, një qëndrim që nuk lëkundet nga moda e ditës. Shkrimet e Martin Lekës nuk janë produkte kohe, ato janë shenja të kohës që e kapërcyen vetë kohën. Sepse ishte “Koha Jonë” dhe botuesi i saj Nikoll Lesi, që e shndërruan përkushtimin dhe shpirtin e dritur të fjalës dhe kurajën e gazetarit së Martin Lekës, në një zë unik përfaqësimi, ku së bashku me një armatë zelltarësh të fjalës së lirë, shkruan historinë e shtypit të pavarur, ngritën një tempull që mbeti kulmim i gazetarisë shqiptare.
“Gazetaria është e vërteta e parë që viktimizohet kur heshtim për hir të rehatisë.” Këtë do ta thoshte Martin me tonin e tij të qetë, si të ishte një jehonë e fjalëve të George Orëellit: “Në një kohë mashtrimi universal, të thuash të vërtetën është një akt revolucionar.”
Ka qenë “Kështjella e medias”, gazeta “Koha Jonë”, ku Martin Leka ka thënë një nga përkufizimet më të guximshme: “Sot ka gazetarë që bëjnë pallate dhe ndërtues që bëjnë gazeta”. Më shumë se një citim, ajo ishte dhe mbeti akt i guximit etik dhe profesional, dinjiteti dhe integriteti
Martin Leka nuk ka qenë kurrë shpërthyes në fjalë, por thellësisht përvëlues në mendim. Ai nuk ka ndezur zjarr me demagogji, por ka mbajtur ndezur pishtarin e arsyes. Në debatet publike, ka ditur të jetë zëri i arsyes së ftohtë në një atmosferë të mbarsur me retorikë të nxehtë. Ka ditur të bëjë pyetjen e duhur, në vend që të japë përgjigjen më të zhurmshme. Dhe mbi të gjitha, ka ditur të dëgjojë, një cilësi që sot mungon aq shumë në arenën publike.
Pavarësisht se vitet i kanë sjellë më shumë kohë për reflektim sesa për shkrim, Martin Leka nuk i është ndarë mendimit të formuar, qëndresës pa bujë dhe përkushtimit qytetar. Qoftë si komentues, si analist apo thjesht si qytetar i angazhuar, ai ka ruajtur një pozicion të ekuilibruar, të kthjellët, shpesh sfidues, por gjithnjë të ndershëm. Ai është ndër ata që beson se media nuk duhet t’i nënshtrohet klaneve, por të mbrojë publikun. Dhe këtë nuk e ka thënë vetëm, e ka dëshmuar me gjithë veprën dhe qëndrimin e tij.
Në kujtesën time, Martin mbetet një nga ata njerëz që mbajnë fjalën si një kod nderi. Dhe jo rastësisht, mendja më shkon te fjalët e Albert Camus-së, që do të mund t’i atribuoheshin atij: “Në fund të fundit, njeriu është më shumë ato që hesht, sesa ato që thotë.”
Sot, në këtë ditë të veçantë për të, nuk dua të flas thjesht për një përvjetor biologjik, por për një përvjetor përkushtimi, për një jetë të investuar në fjalë të thëna drejt, në heshtje që peshon, në miqësi që zgjat, në integritet që nuk negociohet. Në një kohë kur shpesh media bëhet altoparlant i pushtetit dhe jo shpirt i shoqërisë, Martin Leka qëndron si një figurë që i përket një brezi të rrallë, brezi i gazetarisë që besonte se puna jonë nuk është të bëjmë zhurmë, por të kërkojmë të vërtetën dhe të luftosh për të, duke e përfaqësuar dhe mbrojtur profesionin e gazetarit.
KOHA JONË SONDAZH

