Mashkulli që po vdes, duke vrarë gruan
Nga Gjergj Meta – Çka po ndodh në Shqipëri, sipas një mikut tim, psikanalist me matricë jungiane, janë “sindromat e dekadencës patriarkale dhe pikë”. Rrugëdalja, sipas tij, është “puna me thellësinë e brendisë e cila është krejt femërore, por që e frikëson mashkullin”.
Mashkulli patriarkal po vdes, edhe pse po lë pas shumë viktima, sidomos gruan, femëroren. Ai po vdes duke i bërë atentat femërores dhe vendimit të saj për të gjetur vendin që i takon.
Fundi i epokës patriarkale në Shqipëri u nënvlerësua prej të gjithë neve. Menduam se mjaftojnë dy tre shoqata në mbrojtje të grave, disa të tjera në mbrojte të fëmijëve, e ndonjë e tillë në mbrotje të komunitetit LGBT dhe, mori fund patriarkalizmi. Ky kalim është ndër më delikatët në epokën tonë. Të dalë me hapa të shpejtë nga epoka mesjetare, duke kapërcyer etapat, te zhytur më thellë nga regjimi diktatorial që zhvilloi një superun esktrem, paradoksalisht, në emër të emancipimit, ne ramë kryekëput në vorbullën e një kaosi tranzitor që e hapërdau njeriun shqiptar duke e hedhur në krahët e pasigurisë.
Rënia e sistemeve të forta metafiziko-fetare, metafiziko-ideologjike (komunizmi) dhe metafiziko-zakonore (Kanuni dhe nënshtrati i traditave patriarkale), do të krijonte, patjetër, një situatë në të cilën më të dobëtit do të ishin viktimat e para. Elementi mashkullor patriarkal nuk i ka rezistuar këtij kalimi, që mua më pëlqen ta quaj zbrazëti, por ka reaguar dhunshëm duke vrarë femrën dhe, në përgjithësi, më të dobëtin. Po më pak se çdo gjë mashkulli i mesëm shqiptar nuk ka duruar dhe nuk duron çlirimin e femrës dhe faktin se ajo mund të ulet në të njëjtin log kuvendi apo në të njëjtën sofër me të. Ata burra që kanë provuar ta bëjnë këtë gjë menjëherë janë etiketuar burra grash, burra me një ‘r’ etj. etj.
Këtu nuk flitet për emancipim të femrës në kurriz të mashkullit, por për çlirim të njeriut nga kompleksi i sundimit, i frikës së humbjes së pozicionit patriarkal. Nuk janë vetëm burrat që nuk duan çlirimin e grave, por shpesh janë vetë gratë që pasivisht pranojnë situatën. Burrat që vrasin apo dhunojnë femrën jashtë tyre, nuk kanë bërë paqe me femëroren brenda tyre, dmth me delikatesën, butësinë, zemërgjerësinë, mirkuptimin, përkujdesjen, jetën. Edhe pas shumë grave që bëjnë abort qëndrojnë burra të papërgjegjshëm dhe të dhunshëm.
Ende burri shqiptar, pa dashur ta përgjithësoj në mënyrë të skajshme, nuk është i zoti të dialogojë me brendinë e tij dhe me brishtësinë e tij, duke i quajtur ‘punë grash e fëmijësh’. Ndodh shpesh që ka burra të cilët, kur i pyet pse nuk vijnë në Kishë për me u lut, të përgjigjen: kam çu gruan dhe fëmijët, se unë kam punë. Ashtu sikurse t’i ndërrosh pelenat një fëmije, e të tjera gjëra plot nuk janë ‘punë burrash’, por angari grash.
Naiviteti me të cilin kemi trajtuar një kalim të tillë na përfshin të gjithëve, në mënyrë të veçantë institucionet e edukimit (shkollat) dhe të ndërgjegjes (e kam fjalën për bashkësitë fetare), si dhe shoqërinë civile (shoqatat e mbrojtjes së të drejtave të njeriut).
Këtij naiviteti duhet t’i zërë vendin një punë e vrullshme dhe sistematike, duke nisur qysh nga familja. Në një reagim në rrjetet sociale Edi Oga duket se e kap thelbin e problemit duke u shprehur kështu: “Unë kam edhe djalë, edhe vajzë. Te vajza nuk kam shumë në dorë, pavarësisht se do t’i mësoj çfarë i duhet për të shpëtuar, por jam i lumtur që do të “shpëtoj” vajzën e dikujt, duke rritur si duhet djalin tim!”. Ja hapi i parë të cilit duhet t’i bëjnë jehonë shkolla dhe insitucionet e tjera, përshi ato fetare.
Po feja, Zoti çfarë lidhje ka këtu? Sipas Niçes, Zoti vdiq, por ne ndalemi vetëm në këtë pohim, duke mos vazhduar çka ai thotë më tej, se “ne e vramë”. Pra, vdekja e Zotit nuk ka qenë natyrale, por një artific, diçka e organizuar. Çdo vrasje është vdekje e parakohshme ose së paku me pasoja për ata që e kanë bërë. Ne ende nuk kemi nje autopsi të Zotit të vdekur, sepse ai nuk ka vdekur. Gjithsesi vrasja e Zotit ka krijuar nje boshllëk që nuk po mbushet. I vetmi që provoi ta mbushë ishte komunzimi, por nuk ia doli. Në fakt, Niçja nuk pretendoi kurrë ta zëvendësojë Zotin, e në këtë pikë ai mbetet ndoshta antimetafiziku më i madh i të gjitha kohërave, pra edhe antiideologjiku më i madh. Do kishte përfunduar në ndonjë gulag ose kamp përqendrimi, po të kishte jetuar në komunizëm. Niçja, me një kompleks edipik obez, vrau Zotin, i cili ishte edhe Zoti i babait të tij, pastor protestant. Vrasja e Zotit dhe shmangia e tij nga jeta publike ka sjellë një zbrazëti të madhe e cila është kthyer në një kaos.
Me vrasjen e Zotit, sikurse thotë Niçja, kemi fshirë horizontin me një sfungjer (nuk ka më objektiva), kemi hequr dheun nga këmbët, kemi hequr ajrin. Duke dashur të vrasim çdo lloj lidhje nga jashtë, kemi hequr edhe sigurinë nga brenda. Duke dashur të vrasë Zotin e moralizmit kristian të babait të tij, ai vrau edhe Zotin Atë i cili pret me padurim kthimin e të birit për t’i dhënë atij dashuri dhe dinjitet. Nuk është ai i Edipit, por Ati plot dashuri i djalit plangprishës në Ungjillin e Lukës. Dëshira e ligjshme për emancipim na çoi në vrasjen e Zotit dhe të çdolloj autoriteti që na thotë ndal! përderi edhe zërin e ndërgjegjes duke zbazur atë totalisht. Vrasja e Zotit ishte një vetvrasje. Ja, pra nga të fillojmë. Nga ndërgjegja e nga edukimi e formimi i saj. Mos ta japim për të mirëqenë.
Të fillojmë.
Jemi ende në kohë.
Politiko.al