Mbytja e një qyteti
RUBRIKA: “SHQIPTARËT DHE BARBARËT”
Shkatërrimi i Durrësit Antik, fshin dhe shuan një histori të madhe të Qytetërimit Europian
Nga Gjet Ndoj
I-Historia dhe fazat e ndërtimit të Durrësit.
1-Kushtet e formimit të qytetit Antik.
Gjiri i Durrësit është një nga vendet dhe qendrat më të zhvilluara të botës Ilire. Që në shekullin e VIII p.e.re, kur kishte hyrë në përdorim metali i hekurit, për përpunimin e veglave të punës, krijoi kushtet për rritjen e prodhimeve bujqësore si drithëra, filloj kultivimi i ullirit, i rrushit, përpunimi i tyre etj. Rritja e këtyre prodhimeve krijoi kushtet për eksportimin e verës, vajit dhe të drithërave. Të interesua për këto eksporte që në shek. VIII p.e.re ishin fisi ilir “Liburnët”, të vendosur në Korkyrë, ku kishin krijuar një bazë për banim që në shek IX p.e.re. Siç thonë studiuesit Hava Hidri e Sali Hidri në librin “Historia e Durrësit”: …këto detarë të zot, që zhvillonin piratërinë në Adriatik, e njihnin mirë dhe gjirin mbrojtës të Durrësit dhe duke qenë të pranishëm aty, krijuan lidhjet e para me krerët fisnorë Taulantë të vendbanimit Dyrrah. Roli ndërlidhës i liburnëve me Dyrrahun ka vazhduar në shekuj, të paktën deri në fund të shek. V p.e.re. Thënia e Tuqiditit, në fillimet e Kryengritjes së Demosit (viti 436 p.e.re), flet qartë për lidhjet fisnore të oligarkëve Liburnë të Dyrrahut me banorët liburnë të Korkyrës. “Puna është se të dëbuarit në Korkyrë dhe duke u përmendur varret e të parëve të tyre dhe lidhjet fisnore u luten ti kthenin në atdhe” (Tuqiditi , libri I, 26, 3, fq 25)….. Oligarkët që jetonin në Epidam , ishin Liburnë dhe Taulantë.. Mendimi se banorët e Dyrrahut lidhjet e para i krijuan me banorët e Korfuzit të banuar nga liburnë e provojnë dhe zbulimet arkeologjike. Kështu vërejmë se grupi i varreve arkaike, varrosur në pitosa të mëdhenj e amphora arkaike në nekropolin antik të qytetit Garitza në Korkyrë, janë të ngjashme me ato të metropolit arkaik të të Dyrrahut, ato i takojnë parisë së dy qyteteve, si asaj Liburno-Taulante të Dyrrahut dhe asaj Liburne-Dorike të Korkyrës. Po kështu Arkeologu Neritan Ceka në lidhje me këtë çështje, në librin “Ilirët”, Tr 2001, fq. 222 përmend: “Ilirët me anijet e tyre të shpejta zbrisnin në Peloponez, në ishujt Egje dhe fiset ilire të Italisë së Jugut (Etruskët), nga shek. IX p.e.re e deri në shek. III p.e .re. Në shekullit të VII Korkyra u pushtua nga korinthasit. Kështu ishulli pas shek. VII p.e.re banohej nga Korinthas (Grekë), Dorë(Ilirë) e Liburnë (Ilirë).
Pra sikurse shihet Korkyra (Korfuzi), ka qenë gjithmonë tokë Ilire.
Më vonë do të shohim se pas themelimit të Dyrrahut nga Ilirët, marrëdhëniet tregtare kanë ndodhur në vende të Greqisë si në: Egjeu Rod, Samos, Kios), në krahinat Atikës e Lakonisë, Beotisë, por dhe me Perëndimin të Mesdheut nga skelat (limanet) e Veriut Afrikan, në ato të Spanjës Lindore, Marsejën, Italinë e Jugut etj. Pas shek V marrëdhëniet tregtare të Dyrrahut dominojnë me Athinën.
2-Themelimi i Dyrrahut dhe zhvillimi arkitekturor i tij
Në hapësirat ilire si pasojë e zhvillimit të madh ekonomik dhe zhvillimit të tregtisë nëpërmjet Korkyrës, por dhe direkt me grekët e më gjerë, u themeluan “qytetet koloni” në bregdet si:
Dyrrahu në vitin 627 p.e.re; Apolonia në vitin 588; po në këtë kohë dhe Oriku e pak më vonë Buthroti etj. Kjo ndodhi pasi Korkyra Iliro-Epirote u kolonizua nga Korinti, duke u ndikuar në të gjithë aspektet e jetës kulturore e arkitekture greke. Fillimisht nga shek V e më vonë u kthyen në qendra ekonomike e politike të pavarura por duke u lidhur gjithnjë e më tepër me hapësirën e mjedisin ilir në tërësi.
Kontradikta mes aristokracisë së qytetit mes fiseve ilire themeluese Taulantëve, Liburnëve e Dorëve solli trazira, pas të cilave shtrihet sovraniteti i Shtetit Federativ Ilir. Kështu në vitin 312 p.e.re Apolonia dhe Dyrrahu ju dorëzua Glaukisë, mbretit të Ilirëve. Monedhat e Dyrrahut të shek II p.e.re, që mbartin emrat e mbretërve ilir Monun e Mytil, dëshmojnë bashkësimin e mëtejshëm politik e ekonomik të këtyre qyteteve me shtetin Ilir. Nga shek. III e deri në shek. II p.e.re Dyrrahu kalon një periudhë zhvillimi e lulëzimi si në planin ekonomik, politik, arkitektonik e kulturorë.
Edhe Milan Shuflaj për formimin e Durrësit përmend: “Dyrrahacion, ose sikurse quhet në burimet më të vjetra Epidamnos, …shtrihej në pjesën jugore të një kurrizi 10 km të gjatë dhe 184 m lartë me drejtim veri-jug (Mali i Durrësit). Kjo pjesë toke është e rrethuar nga deti, ndërsa në veri e lindje nga këneta e kripur, që e ndan qytetin nga toka. Për Durrësin shkruajnë kronikanët dhe historianët më të mëdhenj të botës antike: Tuqiditi e quan vendin që ndodhet Durrësi ishull, Straboni e quan gadishull, poeti Lukani “pothuajse një ishull”, etj.
Qyteti i vjetër ishte në formën e një trapezi, baza e të cilit ishte në jug buzë detit rreth 1110 m dhe në distancë drejt veriut 800 m është brinja paralel me bazën rreth 700 m. në këndin perëndimor u ndërtua Akropoli (në stilin grek). Në lindje u ndërtuan banesat e qytetit dhe në buzë të detit Skela e famshme . Brenda në qytet-shkruan Polibi, kishte burime të mëdha me ujë të pijshëm një nga mbetjet e së cilës është në perëndim (Fontana Civrile), jashtë pjesës së qytetit që u rindërtua nga Bizanti. Përveç shumë objekte ndërtimore, publike e private ishte Biblioteka e qytetit, nga më të rëndësishmet e më të pasurat e qytetërimit antik Ilir dhe atij në Adriatik.
Amfiteatri
Amfiteatri është një nga veprat më të mëdha të Dyrrahut, dhe më i madhi i këtij lloji në Gadishullin Ilirik, një nga më të mëdhenjtë e Botës Antike. U ndërtua në shekullin II e.s, gjatë kohës së sundimit të Perandorit Trajan. Gërmimet arkeologjike kanë arritur të zbulojnë më pak se 40% të hapësirës së tij gjigante. Kapaciteti rreth 18 vendsh e rendit këtë vepër arkitekturore pas Koloseut në Romë. Kjo tregonte se në këtë qytet kishte një aristokraci si rrallëkund dhe një qytet me një dinamizëm të jashtëzakonshëm. Ndërsa vetë qyteti kishte afro 50 mijë banorë.
Fortifikimi (Muret rrethuese)
Përveç tyre dhe gjetjeve arkeologjike të shumta, qyteti antik ishte i mbrojtur nga muret dhe kullat.
-Durrësi që nga shek V deri në shek II p.e.re, i fortifikuar me murin e madh rrethues e me porta, ka qenë qyteti më i madh antik i Adriatikut. Studiuesit Hava e Sali Hidri, në veprën “Historia e Durrësit” nënvizojnë: “Më interesant mbetet Lukani, autor i shek II p.e.re. në veprën e tij Lukani ai jep madhështinë e mureve të Dyrrahut, i krahasuar me muret e Efyrës në Epir dhe në Korkyrë. “Ai (Dyrrahu), i ruan muret duke e mbrojtur qytetin, që do të ishte i sigurtë edhe me kullat e tij. Ajo që mbrohet këtu nuk është punë e natyrës, por një mur i ndërtuar. (Pa këto mure shën. Gj. Ndoj), sado lart të ngrihen këto ndërtime brenda tyre, të bëra me punë njerëzore, i përkulen pa vështirësi rrebeshit të luftës dhe viteve që shkatërrojnë çdo gjë. ….kështu duke parë edhe pozitën asnjë hekur nuk mund ta shkatërrojë. I rrethuar nga një humnerë e pafund në çdo anë nga një det, Dyrrahu do të ishte ishull, pa kodrën e vogël (istmi ranor tek ura e Dajlanit).
Pas gati 7 shekujsh, në shek V-VI e.re, ndërtohet muri nga Bizanti në kohën kur sunduan perandorët me origjinë ilire Anastasi i dhe më vonë rindërtohet nga Justiniani.
Studiuesi Emin Riza në librin “Historia e Arkitekturës Shqiptare në lidhje me fortifikimet e periudhës Bizantine thotë: “Qyteti i pajisur me një skelë të klasit të parë, kishte një pozitë mjaft të rëndësishme strategjike, duke qenë kreu i Rrugës Egnatia, që lidhte Romën me Kostandinapolin….Dyrrahu që merr pjesë në Luftën Civile, e ruajti fortifikimin që prej kohës helenistike. Një rifortifikim serioz ai pati në fund të shek. IV që e gjen atë kryeqendër të Epirit të Ri, të mbrojtur prej një garnizoni prej 2000 vetash. Por ndërtimet më të fuqishme e bënë Dyrrahun një nga qytetet më të fortë të Bizantit, qenë ato që u ndërmorën me urdhër të perandorit Anastasi I-rë, me origjinë po prej Dyrrahu.
Fortifikimi (muret) që zë tërë skajin jugor, ka një sipërfaqe prej 85 ha. Në veri bashkëngjitej një rrethim kuadratik prej 25 hektarësh, duke arritur sipërfaqja e rrethuar e fortifikuar në 110 hektarë. Muri në pjesën fushore veriore përforcohej në çdo 60-65 m me kulla tre-katër katëshe me planimetri 5 këndore (Pentagonale)… Ndërsa pas një kulle të madhe në trajtë bastioni mesa duket për vendosje baterishë me armë të rënda kundër anijeve, muri lindor puqej me atë jugperendimor. Kështu muri rrethues arrinte një gjatësi prej 3300 metra lineare. Ana Komnena dhe Qiraku i Ankonës na bëjnë të ditur edhe për një portë nga ana verilindore, të trajtuar me munomentalitet.
Fortifikimi i Dyrrahut i ndërtuar i tëri me tulla nga Bizanti gjatë shek VI, paraqet një rast të rrallë për këtë kohë në tërë Perandorinë Bizantine. Muri 4400 m i gjatë, 3.5 m i gjerë, dhe 12 m i lartë tregon për një lulëzim të qytetit”.
Një fazë tjetër ndërtimesh e fortifikimesh ka qenë koha pas pushtimit Anzhuin, ku Karli I-rë urdhëron në v. 1280 kryerjen e disa punimeve fortifikuese në Akropol (ngritjen e mureve rrethues dhe disa kullave e të një kishe). Ndërsa kryekulla në këtë ambient monumental (Donzhon) ishte ndërtuar në shek. IX nga Despoti i Epirit Teodor Komneni.
Kalaja e Durrësit në Mesjetë, konsiderohej si një nga fortesat më të fuqishme të bregut të Adriatikut, aq sa pushtimi i saj nga Normanët më 1182, shkaktoi panik në krahinat përreth deri në Selanik, ndërsa më vonë kur turqit u ndodhën para portave të Kalasë, që ishte në atë kohë gjysmë e rrënuar kronisti turk Idriz Bitlisi shkruan: “Durrësi ishte një nga qytetet më të mëdhenj të të pafeve dhe kalaja e tij shihej në viset e Rumelisë si Kostandinopojë e dytë”.
Kalimi në zotërimin venedikas
Në fund të shek XIV veprimet dhe synimi i Perandorisë Osmane ishin para së gjithash pushtimi i qyteteve të mëdha si Shkodra Durrësi Lezha e Kanina. Në një situatë të tillë, duke përfituar edhe nga paniku që u përhap në Ballkan pas disfatës në Fushë-Kosovë (1389), Republika tregtare e Venedikut, duke përdorur paranë e diplomaci u përpoq të vinte dorë në qytetet bregdetare të Arbërisë, përpara se ti pushtonte Turqia. Kështu me 1392 Durrësi ra në dorë të Venedikut, Lezha në v. 1393 dhe më vonë Shkodra me territoret e kështjellat përreth si Drishti, Danja dhe Shasi.
Gjatë kësaj periudhe thotë Milan Shuflaj: “…interesi për këtë fortifikatë u ngjall menjëherë kur venedikasit morën përsipër mbrojtjen e qytetit nga turqit. Në vitin 1394 Senati dha urdhër të kontrollohej ky mur. Një urdhër të tillë u dha dhe në 1398. Ideja e mbylljes së Istmit (te Ura e Dajlanit), e cila u zbatua atëherë (1396-1415) në Korint, u zëvendësua këtu me një projekt më të mirë (1455). Por për shkak të vështirësive projekti mbeti përgjysëm, i parealizuar.
“Një kështjellë e re u ndërtua shumë afër molos (1280), një fortesë e përparuar, e cila lidhej me kështjellën me një mur me bedena 32 bërryla,, të pajisur me mbrojtje dërrase. Kjo është kulla veneciane e mëvonshme, të cilën Gjergj Topija ja dorëzoi Venedikut në v. 1388. Gjatë kësaj kohe u vunë në funksion shumica e kullave duke luajtur një rol mbrojtës për qytetin.
II-Mirë që barbarët “kishin arsye” të shkatërrojnë Durrësin, po natyra pse ishte kaq e pamëshirshme ndaj qytetit Antik?
Gjatë gjithë jetës së këtij qyteti, që në antikitet e deri në ditët tona, krahas ndërtimit ka ndodhur dhe procesi i shkatërrimit të tij. Madje që nga koha e dyndjeve barbare Sllave, më vonë me dyndjet dhe pushtimin barbar Turk e deri më sot procesi i shkatërrimit ka dominuar mbi ndërtimin e mbijetesën e trashëgimisë kulturore të këtij qyteti hijerëndë, pronë jo vetëm e Shqiptarëve dhe i Europës, por i të gjithë Civilizimit Botëror.
-Egërsia e natyrës në “aleancë” me barbarët e Teodorikut barbar të Gotëve (shek VI), më sllavët (Shek. VII –XI), pastaj me barbarët turq të Azisë e kopilave shqipfolës që lanë pas këta barbarë, fatkeqësisht realizuan me “sukses” mbytjen me ujë, shkatërrim e me beton këtë pasuri qytetërimore Iliro- Europiane të Botës.
Shkurtimisht momentet kryesore që sollën shkatërrimin e Durrësit kanë nisur që në shek. II pas. Kr:
1-Natyra kundër Dyrrahut
Vija e Bregut të detit në Dyrrah ka pësuar jo vetëm nga fuqia shkatërruese dhe akumuluese e dallgëve, ku poeti Lukani thoshte se kur fillonte stuhia, pullazet mbuloheshin me shkumën e dallgëve, por dhe prej tërmeteve katastrofike (viti 177, pastaj 345, 518, 1273) që shkaktuan ndryshime të forta (Milan Shuflaj, “Qytetet e Kështjellat e Shqipërisë”, fq, 17).
2-Dyndjet barbare
Në vitin 479, Durrësi ra në dorë të barbarëve, qoftë edhe për një kohë të shkurtër, kohë në të cilën pothuajse mori fund Perandoria Romake e Perëndimit.
“Tani filloi periudha e seleksionimit të qyteteve që ekzistonin, por dhe ajo edhe ajo e formimeve të reja embrionale me anë të profilaksisë së Perandorisë Romake të Lindjes, e cila filloj herët me sistemin e fortesave për tu mbrojtur prej barbarëve. “Fundi i shek V shënon fundin e qyteteve epirote që ishin të dënuar me vdekje. Priscus shkruan se Nishi gjendej pothuajse krejt i braktisur dhe me rajone të tëra të djegura; Në v. 479 edhe qyteti Skampa mbi rrugën e madhe të Egnatias me kohë nuk kishte më banorë; shenjat e djegies të bazilikës së Doklea (Afër Podgoricës së sotme), tregojnë se qyteti u pushtua nga Ostrogotët në v. 489 dhe mbeti i braktisur deri në kohën e Justinianit; Atëherë u arratisën nëpër ishuj edhe banorët e Dyrrahut…”. Ndërprerja e barbarive të gotëve të perendimit mbi Dyrrah ndikoj dhe Perandori i Bizantit ku ju bë e qartë Teodorikut (prijësit barbar), se me Dyrrahun dhe se për shkak të rëndësisë që ka nuk ka lëshime. Është koha e fillimit të ndërtimit të kështjellave të reja, sidomos në shek. VI në kohën e Justinianit: Në Epirin e ri u riparian 26 kështjella dhe u ndërtuan 32 te reja.
Natyrisht nga shek. VII e deri në shek. XI kemi një proces të gjatë të pushtimeve barbare bullgare e sllave, proces i cili solli shkatërrime të mëdha të qyteteve Ilire-Arbnore, ndër to dhe Durrësi.
3-Pushti turk i Durrësit (1501)
Është një fazë e re shkatërrimi, por dhe ndërtimet që bëhen gjatë kësaj periudhë nuk respektojnë tipologjinë kulturore të ndërtimit duke sjell për pasojë ndërprerjen e një vazhdimësie kulturore të vendit- njëherësh evropiane, por një stil e kulturë që ishte pjesë e Civilizimit Arabo-Aziatik.
Kur hynë në Durrës (1501), siç thonë kronikanët e kohës qyteti ishte gjysëm i shkatërruar. Kështjellën e sipërme e shkatërruan turqit, ndërsa murin e ri e ndërtuan duke shkurtuar hapësirën dhe duke kaluar mes dy kullave në v. 1502. Ky mur është ndërtuar duke shkatërruar dhe duke marrë gurë në gërmadhat dhe duke vazhduar pothuajse paralel me murin e vjetër romak 1000 m larg dhe me murin bizantin 500 m larg. “Porta Grande” me fragmentin e saj prej mermeri, me skulpturat e vjetra, me mbishkrimet romake, bizantine, veneciane, me gurët e varreve dhe me stemat që janë future në mur, janë si një muze i vërtetë” (Milan Shulaj).
Ndërsa në vend të kishës kryesore ndërtuan xhaminë (duke i vënë kishës minaren), xhami e cila më vonë u ndërtua me arkitekturën që ka dhe sot në qendër të qytetit. Të gjithë sistemi i fortifikimit me arkitekturën e trashëguar u shkatërrua ose duke mos u përdorur u rrënua pothuajse krejt. Stili i ndërtimeve publike dhe i banesave ndryshoi tërësisht, në kushtet e reja.
4-Pas Pavarësisë (1912 deri në ditët tona)
Me historinë e re të pas pavarësisë së Shqipërisë, Durrësi në kushtet e qeverisjeve të dobëta ka vazhduar degradimin dhe ndërtimin e objekteve të reja mbi trashëgiminë e atij qyteti.
Kështu ndodhi në të gjithë periudhat si në kohën nga 1912-1925, ka vazhduar në kohën e Zogut, por më shumë Durrësi mbytet në më shumë se 70 % të hapësirës së tij në kohën e Diktaturës Komuniste.
Gjithsesi deri në vitin 1990, kur fillon historia e qeverisjes në Sistemin Demokratik sidoqoftë qyteti antik “merrte frymë”. Hapësirat e mbetura u mbyllën pothuajse tërësisht në betonin e pallateve shumëkatëshe dhe objekteve të tjera publike. Sot po diskutohet në gjykata çështja zbatimi të një projekt të dhënë me koncesion (Valiera), një kompanie private, pasi hapësira e dedikuar për të mbart shumë objekte të një shtresëzimi bizantin dhe shtresëzimit osman. Këtu në Shqipërinë tonë kërkohet me pahir të shkatërrohet trashëgimia qytetërimore jo vetëm e shqiptarëve duke edhe pse ligji e ndalon, ndërkohë që diku tjetër në perëndim në këto raste nuk imagjinohet një situatë e tillë edhe sikur ligji “të lejonte”. Babëzia dhe barbaria në këtë vend nuk kanë të ndalur, ndërsa Durrësi i Vjetër- qyteti antik hijerëndë, është në frymën e fundit.