Me arkëmortin e kreut të Ballit Kombëtar, socialistët varrosën grimcën e fundit të trashigimisë së majtë
Nga Andi Bushati/
Rikthimi i dytë në pushtet i socialistëve po i zhvesh ata gjithnjë e më shumë nga çdo vlerë e së majtës. Në vend të shtresave të paprivilegjuara, PS ka zgjedhur ortakërinë me oligarkët. Në vend të taksimit të ndershëm, ka vendosur të privilegjojë lehtësimin e taksave për ata “që krijojnë vende pune”. Në vend të reduktimit të pabarazive, po stimulon politikat e thellimit të tyre. Në vend të solidaritetit, po inkurajon grykësinë.
E vetmja vlerë themelore e mbetur që prej themelimit të saj, ishte ajo historike, mbështetur tek mbrojtja e antifashizmit dhe dënimi i kolaboracionistëve të luftës së dytë botërore.
Por, sot edhe kjo atu ka rënë.
Me ceremoninë zyrtare që u organizua për sjelljen e eshtrave të Mid’hat Frashërit një trashëgimi e tërë u varros.
Sepse sot, kryeministi i së majtës nuk nderoi vetëm pinjollin e Abdyl Frashërit, firmëtarin e pavarësisë, anëtarin e qeverisë së Ismail Qemalit, diplomatin e parë në Athinë, eruditin dhe themeluesin e bibliotekës së parë, studiuesin e rrallë të albanologjisë.
Së bashku me to, ai larësoi edhe kreun e një organizate me njolla të turpshme kolaboracionizmi siç ishte Balli kombëtar.
Po të shihet me kujdes, fjalimi i Ramës, bri kodrës ku prehen edhe frashëllinjtë e tjerë, aty vërehen pa vështirësi manipulime të mëdha. Dy tezat e tij kryesore ishin se Mid’hat Frashëri edhe gaboi, por këtë e bëri pa qëllim. Dhe pastaj ai e redukton në maksimum këtë “mëkat” duke u nisur nga një llogjikë e mbrapshtë: meqë historia e shkruar politikisht nga fitimtarët e djeshëm i ka hequr atij pjesën më të ndritëshme, një hisori e shkruar sot, gjithashtu politikisht, u dashka t’i retushojë anën e tij më të errët.
Dhe ana e errët, që sot u la në heshtje, nuk do shumë mundim që të njihet.
Duke qenë kreu i Ballit Kombëtar, ai mban përgjegjësi për nënshkrimin e marrëveshjes me gjeneralin fashist Dalmaco, në të cilën bashkëpuntorët i tij u angazhuan të lufonin përkrah italianëve.
Ai mban peshë edhe më të rëndë gjatë pushtimit gjerman, kur në tetor të vitit 1943, udhëheqësit e Ballit morën vendim të mos shkrepnin asnjë pushkë kundër gjermanevë, madje- pjesë të tij- u reshtuan edhe përkrah tyre.
Ai nuk mund të mos jetë përgjegjës se vetëm 4 ditë pas masakrës së 4 shkurtit, liderë të BK u bënë pjesë e qeverisë kolaboracioniste duke u renditur përkrah Xhafer Devës.
Të vëna në një sfond kohor, këto veprime marrin më tepër kuptim po të rikujtohet se pak a shumë në të njëjtën kohë, Fan Noli bënte thirrje nga SHBA se “gjermanët janë armiqtë tuaj” dhe misionarët britanikë që zbarkonin në Shqipëri kanë lënë mëse një dokument që flet për bashkëpunimin e ballistëve me gjermanët.
Këto e kanë shtyrë një historian serioz dhe të paanashëm si Brend Fisher të mbërrijë në këtë përfundim: “Gjatë pushtimit gjerman shumica e anëtarëve të Ballit Kombëtar rrëshqitën në një kolaboracionizëm më të plotë sesa ç’kishin pasur me italianët. Çetat e Ballit nisën të informonin gjermanët rreth veprimtarisë së LNÇ; më pas ato filluan të merrnin fonde nga gjermanët… nga fillimi i shkurtit 1944, oficerët britanikë njoftonin se forcat e Ballit ishin bërë tashmë pjesë normale e çdo force gjermane”.
Pra i gjithë ky enumeracion faktesh nuk mund të mos e bëjë Mid’hat Frashërin përgjegjës. Lufta e dytë botërore dhe rreshtimi i tij në anën e gabuar, janë një njollë e pashlyeshme turpi. Ato nuk mund ti fshijë as kontributi i vyer në të shkuarën, as angazhimi kulturor dhe as bamirësitë e tij.
Për të pasur një pasqyrë më të mirë se si duhet të sillej shteti shqiptar sot, mund të na shërbejë një polemikë e hapur pak ditë më parë në Francë. Në kuadër të përkujtimit të 100 vjetorit të luftës së parë botërore, presidenti i vendit, Makron guxoi ta quante “një ushtar të madh”, marshallin Peten, i cili e shpëtoi mrekullisht Francën në betejën e Verdunit duke marrë aureolën e heroit kombëtar. Natyrisht, askush në vendin e galëve nuk e mohon këtë rol të tij. Por, Presidenti francez u fut realisht në telashe për këtë vlerësim që sfumonte një pjesë të hisorisë së këtij marshalli që më pas udhëhoqi Francën kolaboracioniste në bashkëpunim me pushtuesit gjermanë. Jo vetm nga e majta, por edhe përfaqësues të së djathtës së qendrës, i kujtuan Makronit, se bashkëpunimi i tij me nazistët e bënte Filip Petenin, të padenjë për një nderim kombëtar. Prej shumë vitesh tashmë politika zyrtare e Francës e refuzon nderimin e një heroi kombetar qe e vuri lavdinë e tij, qoftë edhe pak vite, në shërbim të nazizmit.
Edhe ndaj tij ka pasur shumë tentativa për ta relativizuar ‘gabimin” për ta parë atë si një segment të veçuar brenda një jete të ndritur, si një përpjeke për të ruajtur atë që mund të ruhej nga një Francë e pushtuar, por kurrë ato nuk janë shndërruar në qëndrime zyrtare.
Sepse jo vetëm në vendet ish komuniste, por kryesisht në botën perendimore ka një vijë të qartë ndarëse mes atyre që e kanë lufuar fashizmin dhe atyre që kanë qenë në anën e gabuar.
Pikërisht ky hendek tentoi të sheshohej sot në Tiranë.
Qeveria shqiptare, që vazhdon të flasë ende në emër të së majtës, nuk u mjaftua vetëm me sjelljen e eshtrave të Mid’hat Frashërit në vend. Ajo i garantoi atij një banesë të fundit më shumë se të zakonshme dhe këmbënguli ta bëjë këtë me një ceremoni shtetërore. Por mbi të gjitha, në fjalën e kryeministrit, u ekzaltua pjesa e ndritshme e jetës së tij, duke u kaluar me një të rënë të lapsit, njolla e saj më e madhe.
Eshtë pikërisht ky çekuilibrim i raporteve historike, kjo tentativë për revizionim, që përbën një manipulim. Fakti se historia e fitimtarëve të djeshëm e vizatoi Mid’hat Frashërin, me ngjyra më të zeza se sa i takonte, nuk mund ta zbardhë sot anën e errët të tij, as të minimizojë “gabimet e tij”.
Të kërkosh të bësh këtë do të thotë të vësh në diskutim një të vërtetë universale: atë se kush u reshtua në anën e gabuar në luftën kundër fashistëve dhe nazistëve. Dhe kur këtë e bën një forcë që e quan veten mbrojtëse të këtyre vlerave, ky është një krim i dyfishtë.
Prandaj, sot, bashkë me arkëmortin e kreut të Ballit Kombëtar, socialistët varrosën në kodrat e liqenit edhe grimcën e fundit të trashigimisë së majtë.
Shënim: Titulli origjinalit është “Ceremonia ku socialistët varrosën të majtën”/lapsi/