Me duar në xhepa dhe me sytë nga Rama

Por populli ka besim te kryeministri, duke mbajtur fort duart në xhepa dhe duke aplikuar ditë pas dite, për një vizë amerikane apo kanadeze. Po i Gjati, çfarë do të bëjë, kur mundësitë janë realisht dhe jo vetëm për faj të tij, të shkurtëra?…

Nga Artur Zheji

Ja ka arritur qëllimit. Me dhe pa rregulla, duket se është duke shijuar fitoren e thellë ndaj kundërshtarëve. Ndërkohë e di që të gjithë janë me sytë nga ai.  Me sy të vëngër, me sy tinzarë, me shikime bythëlëpirëse, me vështrime hipokrite apo me duar në xhepa dhe me kokën kthyer mënjanë.

Presin qeverinë e re dhe kryeministrin e vjetër në majë të shalës së kësaj pele brinjëdalë, që duhet të bëjë një copë udhë të lehtë duke tërhequr qerren e halleve të popullit, në rrugën me kalldrëm dhe plot gropa të rrugëtimit ndriçues të liderit dhe të kopesë që i vjen pas.

Mirëpo duhet që kopeja të ketë xhepa të thellë, sepse aty janë sytë e qeverisë, që do të rrisë taksat si edhe bën lali Eri në kryebashki, si edhe “lalat” e tjerë të qeverisjes, kush më shumë dhe kush më pak.

Jeta do të shtrenjtohet ndërsa paratë e ndershme në qarkullim do të paksohen, sepse nuk ka një bilanc ekonomik të qëndrueshëm. Kanabisi 2015-2016, ishte një mrekulli, që zor se përsëritet në ato përmasa kaq popullore.

Ustallarët e drogës kanë bërë plane të reja edhe më të sofistikuara. Për të lënë skllevërit skllevër, sepse pastaj rëndon bishti më shumë se sa sqepari dhe ëndërojnë të dalin më vete të gjithë, si drogë-dillera.

Ja po ndërtohet një shkritore kromi.

Mbillen qepë dhe patate dhe domate me farë të keqe por rezistence.

Mollët kalben, ndërsa shega dhe panxhari ecën.

Grurin e kemi gati nga magazinat shumëvjeçare, me omgj dhe të spërkatur me pesticide kundër mizave që duan ta hanë nëpër magaze.

Mishi është me hormone, që shqipot, tejkalojnë çdo rekord duke përdorur doza elefanti, për ti bërë viçat buçko sa më shpejt.

Qumështi është një përzjerje që Zoti e faltë…

Me një fjalë jemi të rrethuar.

Por populli ka besim te kryeministri, duke mbajtur fort duart në xhepa dhe duke aplikuar ditë pas dite, për një vizë amerikane apo kanadeze.

Po i Gjati, çfarë do të bëjë, kur mundësitë janë realisht dhe jo vetëm për faj të tij, të shkurtëra?

Do të zgjasë fjalimet me përralla dimri dhe me barcaleta verore dhe piper vjeshte.

Skemat dhe rrjetat e merimangave janë tashmë endja e tij e detyrueshme dhe e përditshme, me qëllim pushtetin.

Që të ketë super eskortë, të ushqehet me peshk të egër dhe me verë të vjetër, të hajë rreptësisht bio, të bëjë palestër dhe masazh dhe të englendiset në zyrë, duke parë shburrërimin e burrave pa karrakter që e rrethojnë dhe që thurrin qilima, që ti shkelë këmbë e tij.

Jo keq, si jetë 50 vjeçari.

Po Shqipëria dhe kopeja e njerzve të hutuar në udhëkryq?

Ah, po, por kjo është një çështje tjetër!…/360grade.al

SHKARKO APP