Më ka dërguar Edi Rama

AGRON GJEKMARKAJ/ 

Edi Rama sot për sot është prodhuesi më i madh i lumturisë! Por ai në të njëjten përmasë ka në dorë yzengjitë e trishtimit! Sa i gufuar e farfullitur gazmendi e shendi ishte sot një farë Gent Cakaj, djalosh i ri, pothuaj në moshë të dashurisë, siç rënkon ndezullie serenata korçare, i cili si në përralla bëhej de fakto ministër i Jashtëm i Shqipërisë. Kur papritmas u shfaq emri i tij ballinave mediatike askush nuk e njihte. Tani, pas një muaji e kusur përfoljeje e insistimi, ndalese nga Presidenti e promovimi nga Kryeministri, që e thirri gjeni, prapë askush nuk e njeh. Gërmuan njerëzia thellë në kujtesë e lart në imagjinatë, por asgjë nuk gjetën. Vetëm fjalën e Ramës, që jep certifikata gjenialiteti kanë si peng sigurie.

Ta gjesh gjeniun, ta njohësh deri në skutat e epërme të leximit, ta përkufizosh atë e mbi të gjitha, t’ia vësh në shërbim shoqërisë, është si dukuri njëfarësoj gjenialiteti për llogari të vet. Me qeverinë e re, Edi Rama e ka shfaqur thekshëm e konkretizuar bindshëm këtë cilësi, të cilën inatçinjtë e kazanit ia vinin në dyshim. E për këtë meriton një të madh aferim. Ne nuk i njohim ministrat e rinj, nuk ua dimë emrat, nuk ua gjejmë dot CV-të, por s’kemi të drejtë të dyshojmë.

Edi Rama në thelb është i pagabueshëm. Cili bir shqiptari del e thotë që ai ka bërë gjë keq? Veç ndonjë smirëzi a i verbër! Ne nuk i njohim ministrat e rinj dhe injoranca nuk është argument! Ata i njeh Edi Rama dhe ata e njohin atë. Nuk ka vend për dyshim në këtë mes. Besimi është i fortë dhe i ndërsjellë. Nëse ndokush ka nge e qejf për të dëgjuar ligjërimin e cucave dhe djalkave që do na qeverisin, e ndien këtë simbiozë të bashkëkohësisë rilindëse.

Gent Cakaj kishte një merak, të mos e zhgënjente Kryeministrin, se për të tjerët as kishte dert. E të drejtë ka! Çfarë i duhen të tjerët?! Po të qe për ta, ai do ishte sokaqeve të Prishtinës duke pirë çaj e molloisur përsiatje të gjata dimërore. Po jo, fati i buzëqeshi i bardhë, i trokiti ai. Të takohesh me Edi Ramën është puthje perëndie. T’i pëlqesh atij, bilete për parajsë.

T’i shërbesh atij është thagmë liturgjike. Dëgjojini ministrat sa të lartë e kanë vetëdijen, krenarinë, dinjitetin për këtë rrethanë. Një e dy pohojnë na ka dërguar Edi Rama, na tha Edi Rama, ma propozoi Edi Rama, është porosi e Edi Ramës, do të vijë Edi Rama.

Ky është një reagim apostujsh që kanë gjetur rrugën dhe të vërtetën te Mesia e tyre. Ndihen të gëzuar sepse është gëzimi burimor, që lind nga misteri i besimit, nga mungesa e interesit, nga dëshira për të shërbyer!

Ndaj, për këta ministra, s’ka rëndësi mungesa e emrit, e fytyrës, e CV –ve, sepse ata janë misionarë, të cilët nuk kërkojnë identitet, nuk kërkojnë të jenë të përveçëm, nuk kërkojnë gjykimin e njerëzve, por vetëm të Hyut të tyre.

Duhen mirëkuptuar, jo keqgjykuar. Shikoni ministrat që ikën, aq emër sa patën, aq fytyrë, aq pak zë, e prapë e turbulluan misterin e besimit dhe zemëruan Zotin e tyre, që i hodhi shuk në mes të sallës atje në purgatorin e meditimit të gjatë.

Ditmir Bushati largohej sot duke mbajtur fjalimin më të mirë të karrierës së tij. Po ç’e desh? Kujt ia tha? Pse e tha? Edhe Sali Berisha do të ndiejë nostalgji për “Ditëziun”! Rama mbajti më të shkurtrin kumt.

Gent Cakaj, më të gëzuarin fjalim. Tani, ai do na përfaqësojë nëpër kancelari! Do të takojë ministra e kryetarë shtetesh! Lum ata, se do takohen me një gjeni, i cili do t’ju rrëfejë librin e fundit dhe kryesorin që ka lexuar, “Kurbanin”, si pjesë e trashëgimisë kulturore të botës.

Sa do gëzohet Merkeli e Makroni, aq sa endja për të dëgjuar rrëfimin do t’i zgjasë takimet pa fund. Kësisoj, ata do të thithin nektarin e Shqipërisë, ëndrrat dhe brengat e saj, rrugën e mundimshme për progres e standarde demokratike!

Mbi të gjitha, do të njohin një gjeni që rrëfen për një gjeni tjetër. Jemi tokë pjellore, kemi bereqet të madh. Këtu s’ka të marrë që hedhin gurë në pus e as qindra që tentojnë t’i nxjerrin.

Mos u mërzisni, ju o shtegtarë, që ende s’e keni takuar Ramën. Një dite buzëqeshja ia beh. Pyesni Besën, Margaritin, Gentin, luleshtrydhen, Etildën melankolike etj., të cilët gjithmonë besuan në këtë profani.

Ata i ka dërguar Edi Rama në mesin tonë për të na kallëzuar Shqipërinë që duam. Ata janë ai dhe ai është Ata.

SHKARKO APP