Mesazhet e presidentit shqiptar, Ilir Meta në Qendrën Marshall
Nga Christine June*
Mesazhet e presidentit shqiptar, Ilir Meta në Qendrën Marshall
Nga Christine June*
Presidenti i Republikës së Shqipërisë Ilir Meta foli para 98 pjesëmarrësve nga 42 vende, lidhur me sigurinë dhe integrimin euro-atlantik të Ballkanit nga këndvështrimi shqiptar, teksa ishte i ftuar në “George C. Marshall”, Qendra Europiane për Studime të Sigurisë, më 25 tetor.
“Dua ta filloj diskutimin tim duke pohuar se në fillim të viteve ’90, vendi im ishte shumë me fat që kishte pranë vetes modelet më të mira të arkitekturës së sigurisë në historinë e njerëzimit – NATO-n dhe Bashkimin Europian”, tha Meta, i cili u zgjodh president i Republikës së Shqipërisë, më 28 prill 2017.
“Për rajonin e Ballkanit, ato kanë provuar se janë të dobishme si në kohë lufte, ashtu dhe në paqe. Dua të theksoj faktin se ndërhyrja e NATO-s, veçanërisht e SHBA-ve, dhe më pas përfshirja e BE-së në një mënyrë vendimtare dhe të vendosur, e shpëtoi Ballkanit të mos bëhet Lindja e Mesme e Evropës”, u shpreh ai.
Pjesëmarrësit ndjekin Programin e Qendrës Marshall për Studimet e Aplikuara të Sigurisë, i cili siguron një arsim të nivelit të lartë në politikat e sigurisë, çështjet e mbrojtjes dhe marrëdhëniet ndërkombëtare me një sërë profesionistësh të sektorit të sigurisë nga qeveritë dhe organizatat joqeveritare anembanë botës.
“Fjalimi i Presidentit përkoi pikërisht me kohën kur pjesëmarrësit po përfundonin pjesën akademike të programit”, tha drejtori i programit PASS, kolonel Carsten Treder.
“Ne kemi diskutuar pothuajse të gjitha aspektet e politikave të sigurisë, nga siguria dhe pasiguria e sotme, aktorët kryesorë, sfidat bashkëkohore, strategjitë dhe qasjet për t’i zbutur këto sfida”, tha Treder. “Presidenti dha një shembull të mirëpranuar “në botën e vërtetë” gjatë fjalimit të tij, si dhe kur u përgjigjej pyetjeve të pjesëmarrësve.”
Qendra Marshall është një institucion edukimi 25-vjeçar i Departamentit të Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara dhe i Ministrisë së Mbrojtjes Gjermane, i cila ka më shumë se 13000 studentë të diplomuar nga 154 vende.
“Më shumë se 800 ushtarakë dhe civilë (nga Shqipëria) janë trajnuar në programet unike të Qendrës Marshall – një kontribut i çmuar në ngritjen e kapaciteteve të forcave tona të armatosura dhe trupit diplomatik”, tha Meta.
“Falë përvojës mahnitëse të fakultetit, njohurive dhe përkushtimit, Qendra Marshall ofron një mjedis të jashtëzakonshëm dhe një rrjet profesionistësh të talentuar”.
Drejtori i Qendrës Marshall në Uashington, gjenerali Keith W. Dayton, vuri në dukje në fillim të fjalimit se përveç të diplomuarve nga Shqipëria, anëtarët e qeverisë shqiptare janë folës dhe pjesëmarrës të rregullt në pothuajse të gjitha programet dhe aktivitetet e Qendrës Marshall.
“Të diplomuarit nga Shqipëria përfshijnë jo vetëm përfaqësues nga të gjitha institucionet qeveritare, por edhe anëtarë të parlamentit dhe zyrtarë të lartë të qeverisë nëpërmjet seminareve të organizuara nga udhëheqësit e Qendrës Marshall”, u shpreh Dejton.
Ai shtoi se “Ballkani Perëndimor mbetet një rajon me sfida të mëdha për të ardhmen, dhe ne në Qendrën Marshall po përqëndrohemi te nisma e 360 konferencave për Ballkanin tonë me kërkesë të Komandantit Suprem të Forcave Aleate në Europë”.
Kjo nisma e saponisur e Ballkanit është një partneritet me Fondin Marshall Gjerman për të thelluar angazhimin e SHBA-ve dhe Gjermanisë në Ballkan.
Qendra Marshall gjithashtu ka një anëtare të fakultetit nga Shqipëria. Dr. Valbona Zeneli ka qenë profesore e studimeve të sigurisë kombëtare për shtatë vite me radhë në Qendrën Marshall dhe drejtore e programit të informimit për Detin e Zi dhe Euroazinë. Gjithashtu, ajo është e diplomuar nga PASS, në vitin 2003.
“Presidenti i Shqipërisë dha një prezantim gjithëpërfshirës për gjendjen në Ballkan dhe nevojën për një partneritet transatlantik dhe mbështetje për një të ardhme të begatë të rajonit”, tha Zeneli. “Ai u përqendrua gjithashtu në sfidat e brendshme, si forcimi i shtetit të së drejtës dhe qeverisjes së mirë që janë thelbësore për sigurinë, stabilitetin dhe qëndrueshmërinë në rajon”.
Aktualisht, janë tre pjesëmarrës nga Shqipëria, të cilët punojnë në Ministrinë e Mbrojtjes, Agjencinë e Sigurisë dhe Inteligjencës së Mbrojtjes dhe Shërbimin Informativ Shtetëror, si dhe 22 pjesëmarrës nga rajoni i Ballkanit.
“Jam i impresionuar që shoh një grup kaq të larmishëm pjesëmarrësish dhe më shumë, kur shoh këtu edhe përfaqësues nga rajoni i Ballkanit,” tha Meta.
Pas fjalimit të tij, që zgjati 20 minuta, presidenti u përgjigj pyetjeve nga pjesëmarrësit lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë në Ballkan.
“Ai ishte i angazhuar dhe i sinqertë”, tha Deyton. “Sipas mendimit tim të përulur, ai bëri shumë për imazhin e Shqipërisë sot para nesh, duke u folur njerëzve jo vetëm nga Ballkani, por edhe nga pjesa tjetër e Europës, Afrikës, Azisë, Lindjes së Mesme e Veriut dhe Amerikë së Jugut “.
Profesorja dhe mysafirja e përhershme e Qendrës Marshall, Ebi Spahiu, nga Shqipëria, e cila është analiste e pavarur për çështjet e Azisë Qendrore dhe Ballkanit Perëndimor, pajtohet dhe thotë: “Presidenti ishte i sinqertë për disa nga sfidat kryesore me të cilat përballet sot Shqipëria, por gjithashtu, përfshirë edhe klimën politike në të gjithë Europën që nuk e favorizon përparimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
“Megjithatë, dola nga salla më me shumë shpresë për marrëdhëniet e Shqipërisë me partnerët euro-atlantikë”, tha ajo. “Klima është ende pozitive, pavarësisht sfidave dhe ne jemi në një moment vendimtar në këtë rrjedhë të historisë. Të rinjtë shqiptarë janë ambiciozë, të talentuar dhe të gjallë. Ne mund të ofrojmë shumë duke qenë në BE. ”
Presidenti foli për Strategjinë e Sigurisë Kombëtare të Shqipërisë, e cila, tha ai, thekson se “veprimet tona sot përcaktojnë trashëgiminë për gjeneratat e ardhshme dhe të ardhmen e tyre”.
Ai përmendi shtatë parimet strategjike të dokumenteve që integrojnë çdo dimension të forcës kombëtare: Forcimin e shtetit të së drejtës dhe qeverisjen e mirë, rritjen e qëndrueshme ekonomike, arsimin cilësor, sektorët e mirëzhvilluar të sigurisë dhe mbrojtjes, ruajtja e kohezionit social dhe identitetit kombëtar, rajoni dhe angazhimi ndërkombëtar, si dhe përparimin drejt integrimit në BE.
“Ne jemi realistë për të kuptuar se fuqitë rivale, rrjetet e aktorët që sfidojnë ndërtimin europian dhe euro-atlantik janë të vështira, këmbëngulëse dhe në sofistikim të vazhdueshëm”, tha Meta. “Ne mund t’i përballojmë këto kërcënime vetëm përmes partneritetit strategjik kolektiv në një mënyrë që gjithmonë mbron interesat tona të përbashkëta, si dhe kombëtare”.
Presidenti e mbylli prezantimin e tij duke thënë, “përfshirja amerikane dhe partneriteti amerikano-gjerman janë çelësi për t’i mbrojtur këto interesa në këtë pjesë të botës. Ne lutemi që ky partneritet të rritet dhe forcohet në të ardhmen”.
*Autorja është përfaqësuese e Zyrë së Çështjeve Publike në George C. Marshall Qendra Evropiane për Studime të Sigurisë.