Mesdhetar

 

Nga Ilir Levonja

Ndërsa më pyesin për vendin e origjinës, atyre që nuk e dinë se ku ndodhet Shqipëria. U them se jam mesdhetar. Nga deti i Mesdheut. Aty në një qoshe ndodhet dhe vendi nga vi unë. Kështu më qëlloi edhe sot. Një grua e moshuar, me thinja plot shkëlqim. Me një qetësi të kulluar ma ktheu. ''Ah po nga pellgu i mizerjes''. Nuk ishin fjalët e saj. I tha edhe numri një i kombeve të Bashkuara. I përmendi edhe Kryeminstri i Italisë Matteo Renzi. Pikërisht fjala e tij u bë shkak të shkruaj edhe këto radhë.

Portali i New York Times i djeshmi, dt 22 prill 2015 hapet me këtë fjalim si editorial. Titulli është Puna e migrantëve është detyrë e të gjithëve. (Helping the migrants is everyone's duty). Ajo është e tëra një dhimbje mbi një pa fuqi ideale të një vendi si Italia. Por e parë në një konteks më të gjërë. Si të thuash, jo me bashkëfajtorë, por bashkëpërgjegjës. Ai ndihet i trishtuar nga konstatime të tilla si, ''mesdheu pellgu i mizerjes''. Mirëpo përpos keqardhjes për një union që shpenzon shuma të konsiderueshme për ruajtjen e këtij pellgu, ai jep edhe disa zgjidhje në lidhje me burimet e migrantëve. Që prapë kanë kosto të lartë financiare. Se si të kontrollohen, se si mund të zbuten dyndjet. Se si të ndalet migrimi i natyrës refugjate. Katastrofat detare që e bën atë Union të skuqet fajit. Përballë kërkesë llogarisë dhe furisë sonë. Që në fund të fundit përmblidhet në titullin detyrë e të gjithëve. Edhe pse u ka ardhur në maj të hundës me botën përreth. Dhe logjika të shpie në përgjigje që ne na duken të shëmtura. Si ajo e deputetes italiane Daniela Santache, e Forza Italia. Kur zbrazi mllefin me krahasimin për shqiptarët. Së fundi e bëri edhe Pangalos. Prapë ata japin ide bashkëpunimi. Ofrohen.

Mirë se më bën përshtypje përgjegjësia. Ndjenja e fajit. Në fakt u bënë kohë që vendet pritëse, Unioni Europian në përgjithësi, gjykohen dhe u kërkohet llogari. A thua janë ata shkaktarët e gjëmave të mesdheut?

Por le të qëndrojmë tek strategjitë e Renzit. Gjithmonë konform bashkëpunimit ai këmbëngul se në varkat e migrantëve jo të gjithë janë hallexhinj. Ngre shqetësimin e një terrorizmi internacional që furnizon edhe tregjet e qënieve humane. Për këtë nevojitet një dyfishim fondesh dhe bashkërendimi punësh.

Do të bëja mirë të flisja me përgjegjësinë e tij, edhe për Libinë, apo vende të tjera të veriut të Afrikës. Po vetiu më shkoi mendja tek vendi im. Tek ky eksod që në fakt është temë e dytë në botën shqiptare. Jo e parë. Ndaj iu afrova të dëgjoj disa pjesë nga punimet e Kuvendit. Aty pati një retorikë, pro-kundër, miratohet, pro-kundër miratohet. Më pas batuta për eksodin. Këtë ushtri moderne që po i kthen reston vendit të Perandorisë Romake. Vendeve të Perëndimit.

Asesi një plan solidariteti me Renzin. Me votë unanime pro!

SHKARKO APP