Mustafa Nano: Çfarë më tha Rama kur i propozova Ben Blushin për kryetar Bashkie
‘Provocateur’, është libri i botuar nga gazetari Mustafa Nano. Libri është një auto rrëfim në formën e një interviste ku Mustafa Nano interviston Mustafa Nanon.
Në një prej pjesëve të librit, gazetari shkrimtar, tregon një bisedë të zhvilluar mes tij dhe Edi Ramës në vitin 2011, në prag të zgjedhjeve lokale.
Nano kujton se në atë kohë ai kishte bërë një shkrim ku shprehej kundër kandidimit të Ramës për një mandat të katërt në Bashkinë e Tiranës.
Pas këtij shkrimi, shkruan Nano, Rama e kishte telefonuar dhe i kishte thënë se nuk kishte një kandidat tjetër. Në këtë pikë, gazetari tregon se Rama i kishte kërkuar një sugjerim dhe ai i kishte propozuar emrin e Ben Blushit, ndërkohë që përgjigja e Ramës për këtë propozim ishte ‘kurrë’.
Pjesa nga libri
Më kujtohet se në vitin 2011, kur ai po përgatitej të kandidonte për herë të katërt për kreun e Bashkisë së Tiranës, unë bëra një shkrim, në të cilin i kërkoja të mos e bënte këtë. Për dy arsye. Së pari, ai në atë kohë ishte kryetar i Partisë Socialiste, dhe në mendjen e njerëzve ishte kandidati për kryeministër dhe së dyti, kandidimi për herë të katërt ishte një teprim në vetvete; ai kishte humbur motivimet për të qenë në atë post; çdo njeri do të demotivohej në atë rrethanë; nuk duhej lejuar më të kandidonte edhe sikur të mos ishte kandidati për kryeministër. Rama e kishte lexuar shkrimin dhe po atë ditë, në mbrëmje, më bëri një telefonatë. Gjëja e parë që më tha ishte se nuk kishte se cilin të vinte si kandidat. Ai e hodhi si një mendim të pafajshëm dhe as që i kishte shkuar në mendje se kjo që po thoshte ishte e çuditshme. Unë ia thashë sidoqoftë. Që kryetari i një partie të rëndësishme të mendojë se në partinë e tij nuk ka një njeri tjetër, përveç atij vetë, që të kandidojë për një post të rëndësishëm, siç ishte ky i kreut të Bashkisë së Tiranës, kjo për mua është skandaloze. Siç është skandaloze, gjithashtu, që kandidati të kërkohet gjithnjë brenda partisë. Kjo e fundit është domethënëse, sidoqoftë. Fakti që nuk kërkohen e nuk preferohen kandidatë nga jashtë partisë, tregon se postet shihen si një lopë për t’u mjelë e jo si një përgjegjësi për t’u ushtruar e si një pushtet për t’u administruar. Partive tona u duket më e volitshme një humbje e garës sesa një fitore e saj me njerëz “të huaj”.
Në atë bisedë i thashë Ramës që shprehja “nuk kam asnjë kandidat tjetër të përshtatshëm përveç vetes” nuk e nxirrte në një dritë të mirë. Edhe sikur të ishte e vërtetë, ai nuk mund ta thoshte. Lëre pastaj që kjo nuk kish se si të ishte e vërtetë. Kjo nuk ka se si të jetë asnjëherë e vërtetë, sepse askush nuk e di apriori se kush mund të jetë më i miri në ushtrimin e një përgjegjësie. Përveç kësaj, ai po kandidonte për herë të katërt, dhe të gjithë e dinin se i kish rënë hovi e entuziazmi për atë punë. Por Rama në një moment më ndërpreu, duke tentuar të më çarmatoste: “Po mirë, më thuaj një emër ti, dhe unë do ta vë kandidat të PS-së”. Më kapi në befasi, jo thjesht me atributet prej despoti që po i jepte vetes (“më jep emrin dhe e vendos unë, tani, në telefon”), por edhe me tentativën për të më përfshirë edhe mua në këtë mes. Nuk kisha menduar ndonjëherë për këtë gjë. “Nuk është puna ime kjo”, -thashë, por ndërkohë kuptova se isha bërë aty për aty pjesë e lojës së tij: zura të vija trurin në punë e të sillja në mendje kandidatë të mundshëm. “Jo, jo, puna jote është; ja, më thuaj një emër dhe unë do të ta plotësoj dëshirën”.
Rama po këmbëngulte, duke u argëtuar shumë me pafuqinë time për të gjetur qoftë edhe një emër, por ndërkohë mua po më vinin ca ide. Fillova dhe unë të luaja: “Edhe sikur të të jepja ndonjë emër, ti nuk do ta vije”. “Thuaje një emër”, ia bënte ai. “Do një emër ti? Ok, më erdhi një emër. Ben Blushi”, i thashë. Rama as nuk mori kohën e nevojshme për ta përpunuar këtë mendim. Kam përshtypjen që as emrin e kandidatit tim nuk munda ta thosha të plotë. Më mbeti sh-ja në gojë: Blushshsh … “Atë kurrë”, tha Rama. “Epo ti nuk do kandidatë; ti do beniaminë të tutë”. “Jo, nuk është e vërtetë”, u mbrojt ai. Ky ishte momenti që unë të vijoja lojën: “Do emra të tjerë? Ja, po të jap unë një emër fitues. Do ishte edhe gjetje e mirë për ty, pasi me këtë do shfaqje vullnetin tënd për të ftuar në skenë edhe të tjerë, siç bëri Fatos Nano me ty”. “Hë”, nuk po i pritej Ramës. “Eduard Selami”, -ia bëra unë. U vendos pak heshtje. Nuk është se po reflektonte mbi idenë që unë i dhashë. Nuk kishte se ç’të reflektonte. Ai ishte i qartë mbi identikitin e kandidatit. Kishte një mijë vjet që ishte i qartë. Dhe në fakt, pas një a dy sekondash, ma prapësoi idenë pa shumë ceremoni. “Ah, as ky nuk të pëlqen? Të jap unë një tjetër. Quhet Shenasi Rama”. Dhe nuk po bëja shaka. Nuk është se e dija se kush ishte ky i fundit, nuk është se kisha ndonjë simpati, madje më ish dukur një njeri i vrazhdë e pa klas me sulmet badihava që bënte prej Amerikës (edhe mua më ish-vërsulur disa herë), por ishte një emër me kredenciale të mira morale dhe politike (ish-student i dhjetorit). Por Ramës iu duk sikur unë po e fusja nëpër ca labirinte të panjohura. Ai nuk ishte mësuar të kulloste nëpër livadhe të tilla. As që e merrte në konsideratë një kandidat jashtë partisë së tij dhe kjo flet edhe për vizionin e tij aspak përfshirës, madje përjashtues. Ndërsa brenda partisë shihte veç një emër që ishte shumë larg të tjerëve: Edi Ramën. Këtë vetëpëlqim e ka edhe më të madh sot.