Mustafa Nano: Teatri i shëmtuar i Ramës me godinën e Teatrit
Analisti Mustafa Nano e sheh si shqetësues përfshirjen e Parlamentit në çështjen e shumëdebatuar të Teatrit Kombëtar.
Në një intervistë për Tema TV, Nano tha se me anë të amendimeve në ligjin për artin dhe kulturën, kryeministri Rama po përpiqet ta heqë përgjegjësinë nga vetja.
“Mesa duket kjo çështje ka disa yçkla ligjore, të cilave nuk mund t’u dilte për zot dhe në këtë mënyrë gjëja po bëhet legale. Por përfshirja e Parlamentit nga ana tjetër është dramatike. Kjo po bëhet në mënyrë që nesër kryeministri të mos e mbajë vetë përgjegjësinë, unë nuk do ta votoja sepse e gjithë kjo është jo vetëm larg syve të publikut, por edhe larg syve të deputetëve. Nuk besoj se ndonjë deputet është më i informuar se në lidhje me këtë çështje. Unë mendoj se të gjithë deputetët do ta votojnë dhe kjo është për të ardhur keq”, tha Nano.
Nano u shpreh se shqetësime të tjera në lidhje me teatrin mbeten mungesa e transparences, vendosmëria e Ramës dhe politikat PPP që po ndjek qeveria.
“Shqetësimet e mia janë disa. Mua nuk më ka pëlqyer asnjëherë që nga fillimi mënyra se si po bëhet e gjithë kjo gjë. Po bëhet si fshehurazi, në mënyrë të dhunshme, si me pahir, si për inat të të gjithëve dhe pa asnjë lloj konsulte me njerëz të interesuar dhe grupe interesi.
Rama që nga fillimi deri në fund ka qenë strumbullari dhe nuk është konsultuar me askënd.
Ka bërë një konferencë shtypi që për mua ishte teatri më i shëmtuar. Ka një mungesë transparence, e gjitha po bëhet në terr. Shqetësimi tjetër është që kryeministrin Rama e shoh shumë të vendosur dhe nuk po tërhiqet, edhe pse përballë një presioni të madh. Shqetësimi i tretë ka të bëjë me politikën PPP, që këtu shihet si deus ex-machina. Këtu kryeministri duhet ta dijë se ky lloj partneriteti po përcaktohet si një flirt illegal mes qeverisë dhe bizneseve”, tha ai.