Ndahen për fajin e askërkujt!
Nga Ylli Dylgjeri
Titulli i shkrimit nuk është një vendim i gjygjeve të sotme që më pas pajtohen në TV Klan te zonja Çobani. Nuk është as sajesë apo humor imi. Ngjarja është e vërtetë. Është një vendim gjygjësor i marrë nga gjykatat e Tiranës në vitin 1986.
Bëhej fjalë për divorcimin e dy kuadrove të lartë të Partisë së Punës. Opinioni i mësuar deri në atë kohë me vendime që adresonin fajësinë në një palë u çudit deri në mosbesim për këtë vendim. Aq më shumë për Ne “kuadrot e rinj” që kishin mësuar në shkollat e politizuara se fajësia ka vetëm një emër, ka vetëm një palë.
Drejtësia e ndodhur nën trysninë e Partisë dhe peshës politike të dy kuadrove të lartë në fund vendosi: Ndahen për faj të askërkujt! Ky vendim, dha precedentin e kohës se faji nuk mund të ketë gjithmonë emër të përveçëm.
Do rridhnin vitet dhe praktikat gjygjsore do të njihnin edhe raste të tjera të kësaj vendimarrje. Por, si edhe më parë, këto gjykime do të kishin precedentin politik që i shtynte në këtë aportunitet. Më tej, në vite, Gjykata e Lartë do ti shpallte të pafajshëm edhe Metën edhe Priftin (i ndjeri) pas gjygjit të video përgjimeve.
I hodha këto rradhë pasi ndoqa së fundmi në Kuvend përplasjen Rama-Basha. Konflikti mori përmasa deri në fyerje e denoncime të forta për njëri tjetrin. A ekzistonin këto ngjarje; si fjala vjen fotot, krimi, droga, vjedhja e votës, etj. para Marrëveshjes së 18 Majit? Pyetja është retorike. PO.
Atëherë pse u ndanë këto dy kuadro të lartë të Partisë dhe Shtetit? Kush e ka fajin? Po gjykata nëse do padisnin njëri tjetrin çdo vendoste?
Përgjegja është në titullin e shkrimit: Ndahen….për fajin e askërkujt!