Në kërkim të modelit të ri ekonomik!

 

Nga Mitro Çela

Kryeministri, që martë ymër nga ditët tonë, për të mirën e vatanit, herë pas here në javë na llafos për “Modelin e ri ekonomik”. Fakti që e thotë edhe në Romë, edhe në Londër, edhe në Bruksel, tregon se e ka seriozisht. Po të shtojmë se avazin ja mbajnë edhe ministrat Shkëlqim Cani dhe sidomos Arben Ahmetaj, ja vlen të investigojmë. Më lindi pyetja:

-Ka qeveria ndonjë program për të “mbërthyer dhe zbwrthyer” modelin e ri ekonomik?

Me ndihmën e internetit u “futa” në zyrat e qeverisë. Gjeta zero me xhufkë. Shëtita në ministrinë e Financave dhe atë të Ekonomisë. “Qiqra në hell”. Duke qenë i ngeshëm, u bëra “zbor” edhe rubrikave të FMN-së, Bankës Botërore dhe BERZH. Gjeta “opingën e Sheros”?! Po dermani? Nisa të bëj “qilizëm” në programin e Partisë Socialiste. Do hapim 300 mijë vende të reja pune. Po të jetë “sakllam” kjo shifër, unë do ulërinja si vet Arkimedi: “Eureka!… Ja Modeli i Ri Ekonomik!” Po pse? Një vend pune kërkon mesatarisht 10 mije dollarë. Pra Rama duhet të gjejë 3miliardë dollarë. “Kafshatë që nuk kapëredihet, po të kemi parasysh paratë që na dha FMN-je.

I pari që e kuptojë “gafën” e Ramës, ishte ministri i Ekonomisë Arben Ahmetaj. Kur bëri studimin për zhvillimin afat mesëm të ekonomisë ( 2014-2017) vendosi shifrën 88 mijë vende të reja pune. Në një vit i bien rreth 30 mijë vende të reja. Morali: Duke u katandisur hapja e vendeve të reja të punës sa kokoshi i plakës, nuk mund të kemi derivat për “Model të ri ekonomik.”

Vazhdojmë me taksën progresive. Ide e madhe. Po të shtojmë se Rama, këshillën e kishte marrë nga ministri i Financave të Austrisë, unë u binda se do të kemi një model të ri…Ecë e ec dhe Rama mori frenat e qeverisë. Taksa progresive po zbatohet vetëm mbi pagat?! Po mirëqenia e miletit? Nuk matet me shifra. Por jep rezultat edhe në shtimin e popullsisë. Sa më i lumtur populli, aq më shumë kalamanë. O burra? Rrëmbeve programin afat mesëm të qeverisë. ( Pardon. Më doli nga mëndja. Programin afat mesëm e ka firmosur dhe vulosur vetë kryeministri Rama.)  Sipas programit, në vitin 2012 popullsia ishte 2.9 milionë banorë. Në vitin 2015 popullsia zbret në 2.8 milionë banorë. Ruana Zot! Sipas qeverisë shqiptarët po bëhen shterpë. Do të pjellin shumë më pak? Me logjikën ekonomike të Ramës po bëhemi si puna e grekëve?! Të komentosh më shumë për modelin e ri ekonomik, do të thotë të rrahësh ujë në hava?!

SHKARKO APP