Nëse nuk e doni Amerikën, votoni Demokratët!
Nga Michael Reagan
Zgjedhjet e gjysmëmandatit janë pas dy javësh, në rast se nuk e dinit. Unë jetoj në Kaliforni, por besoj se e njëjta gjë po ndodh në të gjithë vendin.
Të gjithë Demokratët në garat federale dhe shtetërore nuk kandidojnë për gjë tjetër, ata të gjithë kandidojnë kundër Donald Trump.
Është strategji shumë e dëshpëruar-dhe budallaqe-nga ana e Demokratëve që bazohet mbi urrejtjen e tyre të çmendur për Presidentin Trump.
Është e sikletshme të shohësh mungesën e logjikës nga Demokratët.
Të jesh kundër Trumpit do të thotë të jesh kundër taksave më të ulta për të ardhurat, kundër rritjes së ekonomisë me 4.2%, kundër zbritjes së papunësisë në 3.6%, kundër punësimit më të madh se kurrë të të zinjve dhe latinove dhe kundër shpëtimit nga tollonat ushqimorë për shumë njerëz.
Këtu në Kaliforni, ku kemi Gavin Newsom që kandidon për të zëvendësuar Jerry Brown si guvernator, është veçanërisht absurde.
Newsom ka qenë kryebashkiak i San Franciscos, një qytet i njohur në të gjithë botën për kampet e qelbura për të pastrehët dhe për trotuarët e mbushur me shiringa të përdorura droge dhe feçe njerëzore.
Falë politikave sociale të Newsom dhe Demokratëve të tij “progresivë”, një nga qytetet më të bukur të botës është kthyer me plotkuptimin e fjalës në një halè. Los Angeles nuk është shumë prapa.
Sundimi njëpartiak i Demokratëve ka shkatërruar edhe një shtet dikur të madh. Taksat shtetërore janë të turpshme, infrastruktura po shkërmoqet, shkalla a varfërisë po ngrihet, shkollat publike, dikur të parat në rang vendi, tani janë numri 46.
Bizneset po ia mbathin në Nevada apo Texas për shkak të rregullave dhe taksave të tepërta. Njerëzit po largohen sepse nuk mund ta përballojnë më jetesën këtu.
E ndërkaq, kemi super-liberalin Newsom – që do ta bëjë Jerry Brownin të duket si im atë-që konkurron për guvernator kundër Trumpit?
Për fat të keq, Newsom ndoshta do të fitojë. Ai kryeson me 5 pikë karshi Republikanin John Cox, çka nuk është edhe aq keq në një shtet ku Demokratët e regjistruar dominojnë kundër Republikanëve 54 me 26 për qind.
Por Komiteti Kombëtar Republikan është dorëzuar në Kaliforni. Nuk po shpenzon për të ndihmuar Cox.
Është jashtëzakonisht e mundshme të shohësh se si Demokratët kudo në vend i kanë kthyer ndeshjet e gjysmëmandatit në një referendum kundër personit Donald Trump.
Ata dhe miqtë e tyre të njëanshëm në median tradicionale e bëjnë presidentin të duket i lig.
Siç e kam thënë një milion herë, mund të mos e pëlqesh Trumpin personalisht apo ato çka thotë e shkruan në Twitter.
Por nuk është se do të duhet të flini me të. Apo të hani me të. Apo t’i bëni vizitë në shtëpi.
Suksesi ekonomik i Trumpit nuk mund të mohohet – nëse nuk punon për CNN apo MSNBC.
A nuk është më mirë Amerika pas dy vjetëve të tij të parë? Nuk është më mirë ekonomia? Nuk keni më tepër parà në xhepa pas taksave? Kursime më të mëdha? Punë më të mirë?
Demokratët do të përpiqen të zhbëjnë gjithçka që ka bërë Trump. E kuptoni se çfarë do të ndodhë nëse ata rimarrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve për dy vitet e ardhshëm?
Presidenti nuk do të firmosë ligje Republikane, ai do të vërë veton kundër ligjeve Demokrate.
Demokratët janë në gjendje ta përcjellin mesazhin e urrjetjes kundër Trump për një arsye – ata kanë ndihmën e medias tradicionale të njënashme 24 orë në shtatë ditë të javës.
Media liberale e sulmon çdo ditë presidentin, duke minimizuar sukseset e tij brenda e jashtë vendit.
Të vetmet vende ku dëgjon rregullisht lajme për ekonominë tonë të fortë janë kanalet kabllore të Fox, Newsmax apo radiot konservative.
Ndaj, këshilla ime për votuesit amerikanë është shumë e thjeshtë.
Nëse dëshironi që qyteti juaj të bëhet një ferr të pastrehësh si San Francisco, votoni Demokratët.
Nëse dëshironi që shteti juaj të bëhet një rrënojë sociale e fiskale si Kalifornia, votoni Demokratët.
Nëse doni të riktheheni në një ekonomi stanjacioni, taksa më të larta dhe kufij të hapur për karvanët e imigrantëve ilegalë nga Hondurasi, votoni Demokratët!
Nëse nuk po vdisni nga dëshira për të mësuar se si është të jetosh në Venezuela, do të pendoheni.
* Michael Reagan, djali i madh i ish-presidentit Ronald Reagan, dëgjohet çdo ditë nga mbi 5 milionë dëgjues përmes programit të tij në radio ‘The Michael Reagan Show’, që transmetohet në mbi 200 stacione radioje në SHBA dhe online në gjithë botën.SYRI.net