Nevoja për një Kod Antimafia
Forum E Enjte, 15 Korrik 2021 07:53
Nga Lavdrim Lita
Ditën e djeshme në Itali ka hyrë në fuqi i ashtëquajturi Kodi Antimafias, që janë një sërë modifikimesh të kodit të procedurës penale dhe masave të kundërveprimit ndaj kriminalitetit mafioz dhe dhënia e dispozitave të mëtejshme legjislative për të sekuestruar pasurinë e vënë në mënyrë të paligjshme. Me kodin e ri antimafia, në praktikë, mund të sekuestrohet çdo gjë edhe atij që është i dyshuar se është i përfshirë në një aktivitet kriminal, me tipare mafioze.
Padyshim, edhe vendi ynë ka nevojë për një Kod antimafia që plotësojë paketën antimafia të 2013-s, në mënyrë që të përparojë në një nga kërkesat kyç të Komisionit Europian, luftën pa kompromis ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Hapja e negociatave me BE kalon domosdoshmërisht përmës luftës së krimit të organizuar dhe pasjes së një rekordi pozitiv të dënimeve për këtë vepra penale. Sidomos pas përgjimeve të klanit Habilaj nga autoritet italiane që dëshmojnë për një implikim të mundshëm të shumë institucioneve të shtetit (Policia e Shtetit, QNOD, etj) në aktivitete kriminale.
Në Itali, magjistratët dhe karabinierët në një popullatë prej 60 milion banorësh, arrijnë të vënë në përgjim rreth 125 mijë persona në vit, që nga qytetari i thjeshtë deri tek Kryeministri. Sistemi që përdoret më shumë ndaj kriminalitetit jo vendas quhet IDEM. Njeriu ka tre shenja dalluese origjinale: ADN, shenjat e gishtërinjve dhe zërin. Zeri i çdo njeriu ashtu si ADN është kombinacion unik në frekuenca f1, f2, f3.
Disa vite më parë magjistratët italianë për të mos prishur një hetim, nuk moren lejen në Senat për të përgjuar kryeministrin Berluskoni i cili po komunikonte me një të përgjuar dhe normalisht duhej ndërpritur përgjimi, sipas ligjit, por magjistratët përdoren sistemin e rrjetës, përgjonin të gjithë njerëzit me të cilën fliste kryeministri. Për vite me radhë politika italiane ka dashur ti vërë një fre interceptimeve, por magjistratët, gazetarët e intelektualet kanë kundërshtuar fuqimisht këtë armë të forcave ligjzbatuese.
Edhe në Shqipëri ka disa qëndra përgjimi, jo të gjitha të shtetit, që kontrollojnë bisedat e kriminelëve me botën e politikës, ekonomisë dhe medias, por jo vetëm. Mijëra kilometra tabulatet dëshmojnë për një përfeksionim të së Keqes në vend.
Sido që të jetë, një gjë është e sigurtë, miratimi i një kodi Antimafia dhe krijimi i një Autoritet Kombëtar Antimafia, sipas modelit italian, mund të jetë shpresa e vetme për kthesën drejt vlerave dhe dinjitetit të njeriut. Çertifikata antimafia që do të duhet të lëshojë ky institucion mund të jetë përpjepja për ndryshim dhe ndërprerja e marrëdhënies së shtetit me antishtetin.