Nismë e pa precedent e botuesve online: Sëbashku kundër piraterisë së lajmeve

Nga Carlo Bollino.

Nëse mediat janë me të vërtetë “kazan”, siç përsëritë vazhdimisht kryeministri Rama dhe siç beson, për fat të keq, edhe një pjesë e opinionit publik, kjo vjen edhe për faj të anarkisë në të cilën prej vitesh jeton dhe zhvillohet sektori i mediave në Shqipëri. Me preteksin që të mos prekë lirinë e informacionit, asnjë qeveri nuk ka patur kurrë kurajon të propozojë rregulla brenda një bote, që kudo funksionon edhe duke rrespektuar rregullat. Rezultati i kësaj është kaosi i përgjithshëm në kuadër të të cilit nëpërkëmben ditë për ditë të drejtat tona, po ashtu si dhe detyrimet tona. Kaosi anarkik i mediave ushqehet edhe nga konfliktualiteti, që prej vitesh ekziston brenda kategorisë sonë dhe kështu, për të delegjitimuar një koleg-konkurent, kemi përfunduar duke delegjitimuar më tej të gjithë informacionin.
Rruga që duhet bërë për të shëruar sektorin tonë është e gjatë dhe e ndërlikuar, por, në rast se veçse rrimë e vështrojmë, duke pritur që dikush tjetër ta bëjë atë, rrezikojmë vetëm të zhytemi edhe më shumë. Madje, në disa aspekte, është diçka e mirë që politika të mbetet jashtë dhe që rregullat të lindin brenda gjirit tonë. Kështu, me një nismë që nuk ka precedent në këto 25 vitet e para të demokracisë, për herë të parë botues e gazetarë të mediave kryesore online kanë arritur mes tyre një marrëveshje për të filluar të vendosin frena në “vjedhjen e lajmeve”.

Fenomeni i lajmeve “kopjo e ngjit”, të marra nga një sajt dhe të ribotuara më pas pa kontroll dhe shpesh pa cituar as burimin, për fat të keq është shumë i përhapur. Ministria e Kulturës me kujdes ka shmangur mundësinë që lajmet të mbroheshin me copyright në reformën e saj të fundit të të drejtave të autorit, duke ushqyer dhe legjitimuar më tepër fenomenin e piraterisë në informacion.

Swiss Digital Desktop Reklama

Sot gazetarë e botues kanë vendosur që të drejtën e autorit mbi një artikull të shtypit ta njohin vetë ata.
Duke filluar nga dita e sotme, të gjithë ata që i bashkohen kësaj nisme angazhohen, jo vetëm të citojnë sajtin që për herë të parë e ka hedhur online artikullin të cilin më pas e ribotojnë, por angazhohen edhe për të krijuar një lidhje nëpërmjet një “iperlink”-u me sajtin, apo me artikullin original. Në këtë mënyrë, sajti autor i artikullit “të kopjuar” të paktën dëmshpërblehet simbolikisht me ca klikime më shumë.
Nisma bashkon për herë të parë botues e gazetarë të çdo krahu e bindje politike dhe është një mesazh i fuqishëm që vjen nga kategoria jonë në favor të një informacion korrekt dhe profesional. Respekti reciprok mes gazetarësh përballë autorësisë së një artikulli është hapi i parë në këtë drejtim, pasi, të tregosh qartësisht origjinën e një artikulli, është edhe një akt respekti ndaj lexuesve. Nisma është gjithëpërfshirëse, kështu që mediat online, të cilat i janë bashkuar të parat, janë të parat që u kontaktuan nëpërmjet një fjale që qarkulloi rastësisht: të gjitha mediat janë të ftuara t’i bashkohen, në mënyrë që kjo praktikë të aplikohet nga të gjithë dhe në mënyrë reciproke.

Swiss Digital Mobile Reklama

Këtu më poshtë vijon një listë fillestare e mediave që kanë aderuar deri tani: kushdo tjetër që do të dojë, mund ta bëjë këtë, qoftë edhe vetëm duke e njoftuar në sajtin e vet dhe të fillojë të përdorë metodën e citimit duke përfshirë “iperlink”-un:

Shqiptarja.com

Koha Jone

Gazeta Tema

Balkanweb

Gazeta Panorama

Gazeta Shqiptare

Lapsi

Syri.net

Pamfleti

Mapo

Javanews

Dritare.net

Bota

Lexo

Tiranapost.al

Zathur.al

folshqip.al

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi drejt Gjykata Kushtetuese për rastin Balluku?