Një drejtësi e vrarë nga heshtja e pushtetit, rasti i prokurorit Xhevat Hana

Nga Kujtim VANI

Më 5 janar 2012, drejtësia shqiptare nuk humbi thjesht një prokuror. Ajo humbi një nga zërat më të guximshëm që guxoi të sfidonte krimin, korrupsionin dhe vetë pushtetin politik. Prokurori Xhevat Hana u nda nga jeta pas një sëmundjeje të ashtuquajtur “të pashpjeguar”, një formulim që edhe sot, më shumë se një dekadë më pas, tingëllon si një alibi zyrtare për të mbuluar një të vërtetë të pakëndshme.

Vdekja e tij nuk ishte vetëm një tragjedi personale dhe familjare. Ajo ishte dhe mbetet një akt i rëndë dështimi shtetëror, një njollë mbi institucionet e drejtësisë dhe një paralajmërim i heshtur për këdo që guxon të prekë fijet e padukshme të pushtetit. Xhevat Hana ishte prokurori që nuk pranoi të bëhej pjesë e pazarit. Ai ishte aty ku sistemi nuk donte të kishte dritë. Pikërisht për këtë arsye, largimi i tij nga jeta nuk mund dhe nuk duhet të trajtohet si një rast i zakonshëm mjekësor.

Swiss Digital Desktop Reklama

Dosjet që e bënë të padëshiruar për pushtetin

Swiss Digital Mobile Reklama

Në qendër të veprimtarisë së tij ishin disa nga dosjet më të rënda dhe më të rrezikshme për establishmentin politik dhe kriminal të vendit. Rasti i rrëmbimit dhe zhdukjes së Remzi Hoxhës, i mbajtur për vite me radhë i mbyllur në sirtarët e errët të drejtësisë, u rihap falë këmbënguljes së tij. Ky veprim i vetëm mjaftoi për ta kthyer atë në një figurë të papërshtatshme për ata që kishin interesa të drejtpërdrejta në ruajtjen e heshtjes.

Po ashtu, përballja e tij me bandat famëkeqe të Vlorës dhe roli aktiv në hetimin e krimeve të vitit 1997 e vendosën përballë një aleance të rrezikshme mes krimit të organizuar dhe politikës. Dosja e abuzimeve me tenderin e “Rrugës së Kombit” ishte një tjetër vijë e kuqe që ai guxoi ta kalonte, duke prekur interesa miliona eurosh dhe emra me pushtet real. Në një sistem ku drejtësia tolerohet vetëm për aq kohë sa nuk cenon pushtetin, Xhevat Hana u shndërrua në kërcënim.

Presione, kërcënime dhe një fund i dyshimtë

Presionet ndaj tij nuk ishin sekret. Ato u shtrinë edhe mbi familjen, duke krijuar një klimë frike dhe izolimi. Megjithatë, ai nuk u tërhoq. Nuk kërkoi mbrojtje, nuk negocioi parimet dhe nuk pranoi kompromis. Dhe pikërisht këtu lind pyetja që shteti shqiptar ka zgjedhur ta shmangë:

A u la qëllimisht i pambrojtur një prokuror që kishte “tepruar” me ndershmërinë e tij? Sëmundja e papritur që e çoi drejt spitalit, trajtimi i pasqaruar dhe transferimi në Itali nuk u shoqëruan kurrë me transparencë. Refuzimi i qeverisë shqiptare për të financuar trajtimin e tij jashtë vendit nuk është thjesht neglizhencë administrative, por një akt politik me pasoja fatale. Kur shteti refuzon të shpëtojë jetën e një prokurori që ka shërbyer ligjin, lind dyshimi i arsyeshëm se ai shtet ka zgjedhur anën e gabuar.

Dyshimet për vdekjen e Xhevat Hanës nuk bien mbi mjegullën, por mbi drejtuesit e pushtetit të asaj kohe, mbi institucionet që heshtën, mbi qeverinë që refuzoi ndihmën dhe mbi drejtësinë që mbylli sytë.

Heshtja institucionale – bashkëfajtore

Sot, pas kaq vitesh, heshtja vazhdon. Dosja e vdekjes së tij nuk është rihapur, përgjegjësit nuk janë identifikuar dhe askush nuk ka dhënë llogari. Kjo heshtje nuk është neutrale. Ajo është bashkëfajtore. Pyetja është e thjeshtë dhe kërkon përgjigje urgjente: A do ta ketë SPAK-u guximin të hetojë rrethanat e vdekjes së prokurorit Xhevat Hana? Apo edhe drejtësia e re do të trashëgojë frikën dhe kompromisin e së vjetrës?

Xhevat Hana mbetet një kujtesë e dhimbshme e mënyrës se si shteti shqiptar i ka trajtuar njerëzit e ndershëm: i ka përdorur, i ka lënë vetëm dhe më pas i ka harruar. Por historia ka treguar se e vërteta mund të shtypet, por nuk zhduket. Drejtësia mund të vonojë, por kurrë nuk harron. Dhe kur ajo të flasë, përgjegjësit sado lart të kenë qenë nuk do të mund të fshihen më pas heshtjes.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Si ishte viti 2025 për ju?