Një letër për Klean!

Nga: Redjon Shtylla

Shëndet, drejtësi dhe ndryshim për ty. Klea, ti ke treguar historinë tënde, të goditjes kanibale në fytyrë dhe akuzon motrat Berisha, pasi ato të dhanë mesazhin. I mori burrin, ku*vë, fëmijë. Këta janë togfjalët që shkruhen për ty në këtë histori që mbërtheu si tornado Instagramin, aty ku ty të quajnë gabimisht Blogere dhe po rritesh furishëm në ndjekës.

E dashur Klea, të uroj shëndet, por shenjat do të mbesin, edhe nëse një ditë mjekësia e zhvilluar do ti eleminojë nga fytyra e kuruar që ke. Shenjat në jetë janë ato që mbesin brenda nesh, jo veç të dukshme në sipërfaqe, më keq nëse kthehen në mankth dhe në sëmundje që prekin shpirtin. Uroj që të mos e kesh këtë sëmundje. Nga sot ti nuk je më e njëjta, po as virtualiteti komentues për këtë ngjarje, që nuk po rendin duke të të gjykuar dhe paragjykuar, por askush nuk po analizon pse ndodhi kjo gjë. Pse një femër goditet mizorisht në fytyrë në këtë gjendje? A të ka shkruar dikush nga këta se çfarë ndodhi, si ndihesh, a je mirë?

E dashur Klea, kjo letër mori shkas nga ty, por i drejtohet Kleas (po përmend emrin tënd pa përmend ndonjë emër tjetër) që fshihet brenda nesh, ndoshta ti nuk je e tillë, por unë i flas Kleas që e shohim çdo ditë në rrugë, ku për disa kthehet në qëllim jete për të qenë Klea, disa e kanë varrosur thellë, për të mos e rilindur kurrë. Flas për Klea-t që dashurojnë markat dhe jetën e shtrenjtë, ose siç mbarojmë ta quajmë “Luxury Life Style”. Të gjithë e duam, por mënyra sesi e lakmojmë është e ndryshme. Dikush nga këto vajzat e showbizzit e sheh rrugën tek “Sugar Daddy”, dikush tek djersa e punës së përditshme, e më fal, dikush ndokund tjetër. Këto ditë lexova një thënie ”Markat e shtrenjta janë për njerëzit e varfër, sepse duan të DUKEN dhe të pasurit zgjedhin cilësinë”. Nuk duhet të lejojmë që marka të jetë fytyra jonë, por jeta e shëndetshme, këto janë shenja që nuk lënë asnjë njollë.

Nëse Klea është ku*vë, siç disa po të quajnë në rrjete sociale dhe unë jam kundër këtij etiketime, burrat si quhen? Prostitutë? “Ma more burrin, ngacmove një burrë me fëmijë”. Këto sherre nuk kanë nisur në 2024, por vitet e fundit ato janë transformuar tragjikisht në jetën e rrjeteve sociale. Femra që lidhen me burra që të dhurojnë marka, nuk lindi sot, por sot këto femra po bëhen personazhe, dhe figura televizive. Përveç se janë një pamje e kënshme për tu parë, në ekran çfarë përcjellin? Vulgaritet, dhunë, brutalitet dhe asnjë dorë të shtrirë për rininë e sotme, për vajzat e vogla. Nëse e duam fytyrën tonë pa shenja, të mos gabojmë! Po po, të mos gabojmë. Asgjë nuk lind nga asgjë. E dashur Klea, ti sot ke dhimbje, por shoqëria jonë është e vrarë nga jeta thithëse e ”Luxury Life Style”.

Femra që shiten, meshkuj që blejnë. Jemi bërë një shoqëri e një tregu të gjësë së gjallë, ku çdo mish ka një çmim, dhe blihet me çdo kusht, pa parë se kë, dhe se çfarë. Kush çmimi më me vlerë në jetë? Është një trup i shëndetëshëm tek një mendje me logjikë dhe norma, pasi çdo qarkullim në këtë jetë e ka një limit. Joshja është arma më e frikshme për dikë që është i dobët dhe preh e një kafshe që kërkon ushqim të njomë dhe paguan për të. Bukuria e fytyrës është thithëse për dikë që kërkon një femër si manekin në krah. Një grua e bukur është si një bankonat që të tërheq paratë, që të zbras xhepat, por sot më me vlerë është një shpirt i lirë dhe mendime të shëndetshme.

Femra që meshkujt i shohin si Zot, që marrosen pas tyre, bëhen pre e një ujku që qimen e ndërron, por jo zakonin, nuk janë asgjë më shumë sesa të rrëmbyera nga ambicia e sëmurë për të pasur atë që është virale në rrjete sociale.

Si ndryshon? Ndryshon nga ne, nga media, nga rrjetet sociale. Të mos i japim zë gocave ”blogere”, sepse dreqi e marrtë, nuk të bën një veshje me markë blogere. Kujt do ja imponosh këtë stil? Një tjetër Klea që nuk ka mundësi për të blerë një markë, dhe e tërheq në këtë valle ku të masakrojnë fytyrën? Çdo fenomen e ka një lindje dhe vdekje, uroj që koha e sotme të femrave që shesin fytyrën për marka të marrë fund, sepse veç se goditje, shenjë të bardhë nuk lënë.

SHKARKO APP