Njeriu që “magjepsi Parisin”, njeriu që vrau lirinë

Nga Arben Braçe –

Njeriu që “magjepsi Parisin” po prek fundin e tij, një fund i llahtarshëm i denjë dhe  pritshëm për çdo delirant autokrat diktator, që gëlltit pushtet të pamerituar, pa e menduar se do ta vjellë një ditë. Gëlltitja e të gjithë pushteteve, përherë ngjan me balenën, që duhet të vjellë, atë që ka përpirë. Djegia e godinës së Partisë Socialiste në Shkodër, na kthen 30-vjet pas, tek zhuritjet e godinave të Komiteteve famëkëqij të Partisë së Punës, si simbole të diktaturës, dhe jetës pa liri dhe skamje që kishin mbjellë. Shëmbëlltyra është e qartë, instikti popullor u prek në thelb të qënies së tij, dhe tashmë u ndërgjegjësua, se tetë vjet qeverisje, vetëm për vete dhe një grusht ortakësh oligarkë, me liri të vrarë dhe lufta për pushtet absolut, na çuan fatalisht, aty ku ishim më parë. U desh thjeshtë një rast fatal, i humbjes të një jete në kulmin e rinisë së vet, që të nxisë gjithë këtë revoltë të papërmbajtur, që do të ndalet, vetëm kur të ndalet regjimi i insaluar, që shton përbindshëm vetëm koston e ndryshimit, me rezistencën për pushtet. Kjo është forma e shprehjes së instiktit popullor, për atë që i kanë marrë dhe grabitur.

Pikërisht, për të mos rënë në këtë fatalitet, në kushtet e një demokracie liberale, përherë duhet të afrohet një politikë luajale dhe e kujdesshme, që garanton atë që kushton më shumë; vetë lirinë. Por deri këtu, na çuan ata, që pretendonin se kishin “magjepsur Parisin” atë që nuk kishte mundur ta magjepste në kohën e tyre, as vetë Rusoi, Monteskje, Didëroi, Volteri, Sen-Simoni, Konti, Tokërvili, De Vinji, Balzaku, Hygoi, Floberi, Prusti, Benda, Kamy, Sartri, De Bovuar, Benua, Levi-Strosi, Finkielkraut dhe dhjetëra të tjerë, që i kanë dhënë kulturës franceze, dhe asaj botërore, atë trashëgimi të lirisë, që gëzojmë deri tani.

Për ata, që nuk kuptojnë, dhe përbuzin paturpësisht protestuesit dhe luftën për të sjellë ndryshimin, padyshim që, nuk janë në gjëndje të kuptojnë se, para së gjithash, vetë ai që pretendonte që “kishte magjepsur Parisin e madh” ai që do të na “rilindëte brenda ditës” duke na shpëtuar nga “politika e vjetër” dhe duke na konvertuar njeherazi në një politikë nordike bashkëkohore, atë që do të shkatërronte me ngulm dhe vullnet vrastar, do të ishte vetë liria, ajo që në të gjithë historinë e tyre i ka munduar shqiptarët më shumë.

Dikush mund të thotë me të drejtë, që asnjëherë në historinë shqiptare, nuk janë përqëndruar aq shumë pushtet dhe pasuri në duartë e një grushti personash, dhe se korrupsioni shtetëror dhe trafiku i drogës, kapin shifra rekord në këto tetë vite, por prapë se prapë edhe në këto lloj zullumesh kriminale, shqiptarët e kanë durimin sizifian, mbajnë më shumë se kushdo dhe shpesh lënë vetë zotin për të vepruar.

Por ajo që i mundon më shumë sot, është vrasja barbare në mes të rrugës, përbuzja, mospërfillja, shkelja me këmbë, konsiderimi si emigrant brenda vendit të vet, mungesa e pjesëmarrjes në jetën politike dhe administrative dhe mohimi i skajshëm i lirisë elementare, që po i detyron të djegin edhe një herë godinat e asaj partie, që përpos të gjithë poshtërsive, që kishte ushtruar mbi ta në të kaluarën, vrasja e lirisë, kishte qënë përherë goditja fatale në skamjen që kishin jetuar.

Për të gjithë ata “filozofë, teoricienë dhe studjuesë” që nuk arrijnë të magjepsin as studentët e tyre, të cilët kanë në majë të gjuhës urrejtjen për popullin dhe “instiktin e tij të mpirë” i them me bindje se modeli që kanë krijuar prej vitesh, kritikat bajate dhe mllefi i tyre ndaj popullit, nuk ka asnjë vlerë. Tashmë që instikti popullor është zgjuar, vlerë të vërtetë, kanë vetëm orientimi i duhur nga inteligjenca e vërtetë dhe patriote që kjo revoltë popullore, të shkojë në drejtimin e duhur, larg shkatërrimit dhe dhunës, në forma të mirëfillta demokratike, për të sjellë ndryshimin e kërkuar.

Kush ka zgjedhur politikën si profesion, ose konstaton se gjëndet në politikë pa qënë politikan, sikurse Kryeministri i ynë, nuk përjashtohet nga ajo që Blez Paskal e ka quajtur madhështi dhe mjerim të njeriut. Kjo madhështi tregohet në njohjen e mjerimit, të atij mjerimi që vërteton madhështinë për shkak se është mjerimi i një “mbreti të rrëzuar nga froni”

Mjerimi që po jetojmë sot, më shumë se gjithçka tjetër, ka të bëjë me faktin që gjithkush që jeton në Shqipëri, e kupton që çdo ditë e më shumë, se vendi po asfiksohet  nga mungesa e lirisë, ndërsa “mbreti i ynë” që ka futur gjithçka në dorë, që kontrollon të gjithë pushtetet, akoma nuk e kupton një gjë të tillë.

Mungesa e plotë e lirisë, ulërin kur vritesh, si një qënie e pavlerë, nga ata që duhet të të ruajnë vetëm 20-metra larg shtëpisë, në lule të rinisë, vetëm se ke shkelur një rregull që nuk e respekton askush. Mungesa e plotë e lirisë, është aty, ku nuk mundesh të përplasësh të vertetën në sy, për korrupsionin gjigand që ka mbërthyer vendin, dhe të mbetet të ulërish vetëm brenda katër mureve të shtëpisë, se sikur ta bësh atë në mes të rrugës, të mbërthejnë dhe të plasin brenda për të çmëndur. Në mediat dhe në televizionet e paralizuara, dhe të blera nga qeveria, nuk ke rast të bësh një gjë të tillë.

Mungesa e plotë e lirisë, është pikërisht aty, ku kërkon të drejtën dhe si pasojë e një reforme për të kapur sistemin e drejtësisë, tashmë gjyqtarët dhe prokurorët, bishat e korrupsionit, të ndodhur në agoninë e ditëve të fundit, kanë rritur pazaret dhe nuk lënë zot në botë të shpëtojë, pa paguar “haraçin e drejtësisë”

Mungesa e plotë e lirisë, është pikërisht aty, kur kërkon të udhëtosh i lirë përtej kufijve të atdheut dhe mjaft të nxjerrësh pasaportën shqiptare dhe të fillon kalvari i detyrimeve, përtej asaj që kërkojnë konventat ndërkombëtare, dhe do të vuash dhe pasojat e reputacionit kriminal dhe korruptiv të qeverisë shqiptare, që ka marrë famë kudo.

Mungesa e plotë e lirisë, është aty, kur shkon të kurohesh në një spital shtetëror, ku shëndetësia ishte e premtuar falas, dhe je i detyruar të shkosh në spital privat, ku duhet të paguash kur je i sëmurë me Covid-19, shumën prej 2800 euro në ditë.

Mungesa e plotë e lirisë, është aty, ku shteti, shërbëtori i shqiptarëve, është pikërisht ai që i rrjep me taksa të shumta, që shkojnë në xhepa qeveritarësh dhe i diskriminon me procedura false on-line, në të cilat populli, nuk ka asnjë akses, sepse nuk është IT për të përmbushur ato lloj procedura të vështira edhe për persona që kanë përfunduar studimet në atë fushë. Asnjë institucion shqiptar për më tepër në kushte pandemie nuk ka numër telefon kontakti ku mund t’i drejtohesh dhe të mbarosh punë. Si kurrë ndonjëherë, duhet të futesh në procedura të spërdredhura, ku me shtetin mund të kontaktosh vetëm në mënyrë elektronike, një mënyrë që nuk ke rast kurrë të provosh padrejtësisë që ke hequr. Të mbetet vetëm një alternativë; t’i hysh rrugës së korrupsionit me para në dorë për të përfunduar punë.

Të rinjtë kanë dalë në protesta, dhe të revoltuar nga vjedhja e lirisë, dhe jeta pa shpresë, që kanë në vendin e vet, po reagojnë sikur e gjejnë të përshtashme, në vrullin e moshës dhe të zemërimit që i ka mbërthyer. Por autoriteti i të gjithë kësaj proteste, duhet të luhatet në drejtim të të diturve, eksponentëve të shoqërisë së dijes, që duhet ta drejtojnë me shumë përgjegjësi, ndryshe këtë radhë do të magjepsim vërtet Parisin, por këtë radhë në një formë groteske, kur të hapim llogaritë bankare të korrupsionit, të parave të vjedhura të shqiptarëve, të cilat do të trondisin të ardhrat financiare të qytetit, që nuk është magjepsur as nga madhështia e vet.

 

 

 

SHKARKO APP